Një vepër distopike që ndërton një univers ku kufiri midis jetës së njeriut dhe mekanizmit shtetëror është gati i shuar, romani i Ismail Kadaresë është bërë baza prej nga është krijuar një itinerar letrar. Turi nisi nga Rruga e Barrikadave, dikur e njohur si Rruga Mbretërore, aty ku në roman ndodhet shtëpia e Mark-Alemit. Më pas itinerari vijoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në ndalesa simbolike si Banka Qendrore, Kulla e Sahatit, ministritë dhe ndërtesat që Kadare i kthen në pjesë të mekanizmit të frikshëm të “Pallatit të Ëndrrave”.

“Rastisi që kemi bërë një maklet lidhur me ‘Pallatin e Ëndrrave’.  Ky itinerar mua më pëlqeu shumë, mu duk shumë i veçantë. Është një nismë shumë e mirë sepse i lidh vendet reale me mënyrën se si ato përshkruhen në libër. Ishte një eksperiencë shumë e këndshme.”, tha nxënësja Pavlina Lilollari për “Report TV”.

Përmes qytetit real, nxënësit përjetuan atmosferën imagjinare të romanit, ku shteti kontrollon jo vetëm jetën, por edhe ëndrrat e njerëzve.

“Dita e sotme ka qenë me të vërtetë shumë interesante, sepse na ra rasti të ecim në gjurmët e Ismail Kadaresë dhe të shohim Tiranën me një këndvështrim tjetër. Është një eksperiencë që do të na mbetet gjatë në kujtesë.”, tha nxënësja Altea Spiro.

Ndalesa e fundit ishte pranë ish-Komitetit Qendror, sot selia e Kuvendit të Shqipërisë, një nga hapësirat që lidhet simbolikisht me Tabir Sarajin, institucionin famëkeq të romanit.

“Ne kemi trajtuar edhe më parë vepra të Kadaresë në klubin e librit, por ta përjetosh ‘Pallatin e Ëndrrave’ në këtë mënyrë ishte krejt ndryshe. Ishte një eksperiencë e mrekullueshme.”, vijoi një tjetër nxënëse.

Ky është vetëm turi i parë letrar i projektit “Tirana e Kadaresë”. Së shpejti pritet të prezantohen edhe guida të tjera të bazuara në veprat e shkrimtarit, të cilat do të ofrohen në shqip, anglisht dhe frëngjisht për vizitorët vendas dhe të huaj.

“Ne vendosëm të dilnim jashtë apartamenteve të shkrimtarëve dhe të prezantonim ‘Tiranën e Kadaresë’, një seri guidash të bazuara në veprat e tij. E nisëm me ‘Pallatin e Ëndrrave’ sepse është një vepër shumë fizike dhe shumë e lidhur me qytetin. Qëllimi ynë është që letërsia të bëhet e prekshme dhe muzeu të jetë aty ku janë qytetarët.”, tha Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpive-studio “Kadare-Agolli”.

Paralelisht me guidën, në Ditën Botërore të Muzeve, në Shtëpinë Studio Agolli u çel edhe një ekspozitë e veçantë me blloqe shënimesh, dorëshkrime origjinale dhe fotografi të rralla nga puna e Dritëro Agollit si gazetar.