Përgjigjia e Komisionit të BE-së për ligjet e jashtëzakonshme në Hungari është tepër e dobët. Presidentka e Komisionit, Ursula von der Leyen, la zëdhësin e saj në Bruksel që të përsëriste edhe një herë se të gjitha shtetet anëtare duhet të mbajnë parasysh parimet e proporcionalitetit dhe të shtetit të së drejtës edhe në raste pandemish. Dhe se zhvillimet në Hungari do të vëzhgohen dhe analizohen më me rreptësi.
Kjo nuk do t'i bëjë përshtypje Viktor Orbanit, të cilin parlamentarë kritikë evropianë e quajnë tashmë "diktator i COVID-it". Të fortit nga Budapesti nuk i bëjnë pështypje apelet nga Brukseli dhe kjo jo vetëm tani pas shpërthimit të virusit. Edhe para përgjigjes zyrtare nga Komisioni i BE-së, Orbani ishte tallur me Bashkimin Evropian në mediat vendase të kontrolluara nga shteti. Nëse BE-ja nuk e ndihmon Hungarinë gjatë krizës së koronës, atëherë Hungaria duhet të ndihmojë veten. Akuza është e gabuar. Hungaria merr të njëjta ndihma si të gjitha vendet e tjera anëtare.
Virusi gërryen shtetin e së drejtës
Mbingarkesa e pritshme në sistemin shëndetësor dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga masat për luftimin e virusit Corona nuk janë justifikim për autokratizimin që po mbulon Hungarinë e drejtuar nga Viktor Orbani. Kontrolli parlamentar i qeverisë është pezulluar pë një periudhë të papërcaktuar. Mundësitë e fundit të opozitës për t'u shprehur dhe për të paraqitur propozime do të shfuqizohen. Liria e shprehjes është bërë pothuajse e pamundur. Kjo është e palejueshme për një demokraci evropiane dhe bie qartë në kundërshtim me parimet e traktatet evropiane.
Komisioni i BE-së, si "mbrojtëse e traktateve evropiane", nuk ka zgjidhje tjetër përveç se ta padisë Hungarinë për shkelje të rëndë të traktateve përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg. Llogaria që bën kryeministrit iliberal Orban se ai mund të bëjë si të dojë, sepse për shkak të virusit Corona BE për momentin ka shqetësime të tjera, nuk duhet të funksionojë. Procesi para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë thjesht mund t'i shkaktojë Orbanit një buzëqeshje të lodhur, sepse ai e di që shtetet e tjera anëtare nuk kanë shumë interes të merren me Hungarinë.
Mundësi të kufizuara
Procesi penal bazuar në nenin 7 të traktateve të BE-së, që ka nisur Parlamenti i BE-së dhe që vendet anëtare përgjegjëse po e ndjekin pa dëshirë, duket se deri tani nuk po tregon ndonjë efekt. Viktor Orbani mund të jetë i sigurt për simpatinë e Polonisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Lindore, të cilat për interesat e tyre e pengojnë dënimin e veprimeve autokratike të Orbanit. Kjo sepse edhe kundër qeverisë nacional-konservatore polake është duke u zhvilluar një proces bazur në nenin 7 për shkak të mungesës së sundimit të ligjit. Shfuqizimi i hapur i Orbanit i shtetit ligjor gjatë krizës së Coronës mund të shërbejë si shembull për nacionalistët e tjerë dhe populistët e djathtë.
BE-ja është akoma larg "monitorimit të sundimit të ligjit" që synon të ndërmmarrë në gjithë vendet anëtare. Varësia e pagimit të fondeve prej sundimit të shtetit ligjor në periudhën e ardhshme buxhetore mbetet një kërcënim i pamundur të realizohet. Mbetet e pasigurt nëse kjo do të bëhet ndonjëherë realitet. "Diktatori i vogël", siç e ka quajtur dikur ish-Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker kryeministrin hungarez Orban, mund të vzhdojë të jetë shumë i sigurt për kauzën e tij. Dhe kjo është e gabuar.
Çështja e kuptimit
Nëse BE-ja e lejon Orbanin të bëjë si do, ajo në krizën e koronës do të humbasë pas tregut të brendshëm, lirisë së pakufizuar të udhëtimeve dhe një bashkësie të qëndrueshme valutore edhe themelin e vlerave të saj. Dhe në këtë mes lejohet pyetja: pse na duhet akoma Bashkimi Evropian? Për t'u dërguar çdo vit autokratëve si Orbani edhe më shumë para nga fondi përbashkët? Kështu nuk mund të vazhdohet. Pas Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE), duhet që edhe vendet anëtare të BE-së t'i bëjnë pa mëdyshje thirrje Hungarisë së Orbanit duke shtruar qartë pyetjen nëse Hungaria mund dhe duhet të mbetet anëtare e BE-së? Por nga Berlini, Parisi, Roma, Madridi dhe kryeqytete të tjera tani dëgjohet vetëm një heshtje tronditëse. Për sa kohë akoma?/ DW