Edhe pse në Tiranë mazhoranca e konsideron të mbyllur çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në raport me kërkesën e SPAK për arrestim, në Bruksel, në Bruksel hetimet ndaj ish nr. 2 të qeverisë i shikojnë me kujdes. Komisionerja për Zgjerim Marta Kos tha se Brukseli po e monitoron me vëmendje këtë temë.

Duke folur në samitin “Evropa konkurruese” të POLITICO, për Kos SPAK po bën një punë të shkëlqyer.

“Ka edhe disa raste, dhe ju keni përmendur rastin e Ballukut të cilin po e monitorojmë me shumë kujdes. Ju e dini, SPAK-u, agjencia e antikorrupsionit në Shqipëri po bën një punë të shkëlqyer, dhe është në njëfarë mënyrë normale që ata të zbulojnë raste. E rëndësishmja është të shihet që nëse këto çështje ekzistojnë, cilat janë reagimet, dhe këtë ne gjithashtu po e monitorojmë",- tha Kos.

Teksa ende po fliste për Shqipërinë gjatë intervistës, zyrtarja e lartë e Bashkimit Europian tha se eliminimi i korrupsionit në një vend, nuk varet vetëm nga ligjet anti-korrupsion që miratohen, por edhe nga mendësia e popullit në raport me fenomenin.

"Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thosha për të gjithë vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër. Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë",- tha Kos.

Deklaratat e Kos për korrupsionin nxitën edhe reagimin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Ai shkruan ndër të tjera se qëndrimi i Komisioneres Kos është i pabesueshëm pasi sipas tij reagimi bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.

Në samitin e zhvilluar në Bruksel, Komisionerja Kos hodhi idenë se vetë BE-ja duhet të gjejë rrugë të reja për të anëtarësuar vende të tjera, dhe për të gjithë shtetet që nuk bien dakord u bëri thirrje për të propozuar idetë e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:09
'Jo vetëm me ligje, shqiptarët të heqin korrupsionin dhe nga mendësia', Bardhi reagon pas deklaratës së Kos: Po fyen shoqërinë shqiptare, përbuzim vlerësimin tuaj

1771843775_Sequence23.00191715.Still009.jpg

"Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thoja për të gjithë vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër."

Kështu ka deklaruar sot Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, teksa fliste për stadin në të cilin ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit europian. 

Kjo përgjigje e Kos gjatë një interviste për median ndërkombëtare "Politico" duket se ka irrituar kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin, i cili përmes rrjeteve sociale shprehet se "shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar".

Bardhi thotë se "ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët".

"I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.

Jo e nderuar znj. Komisionere;

Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.

Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët - kartona në Kuvendin e Shqipërisë. SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.

Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët",- shkruan Bardhi.

Komisionerja europiane për Zgjerimin tha se BE po monitoron me kujdes ecurinë e procesit penal që po zhvillohet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-minstres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, nga SPAK. Për këtë të fundit, Kos tha se po bën një punë të shkëlqyer.