Komisioni i Burimeve Natyrore miratoi projektligjin “Për energjinë elektrike”, që sipas qeverisë synon të reformojë sektorin energjetik në vend, duke u përafruar edhe me normat e standardet e Bashkimit Evropian.

Përmes kësaj nisme ligjore e cila do të marrë vulën përfundimtare në seancën e 18 qershorit, synohet të përdoret çdo burim i mundshëm për prodhim energjie më pak të dëmshme për mjedisin, me objektiv që të ulet sa më shumë varësia nga HEC-et e të rritet prodhimi nga burimet e rinovueshme. 

I pranishëm në komision Ministri i Energjisë Enea Karakaçi tha se përmes këtij ligji u jepet mundësi për herë të parë vetëprodhuesve të shesin, por edhe të depozitojnë energji, përmes baterive.

“Sot janë 400 mega të instaluara aktualisht në vend vetëm nga vetëprodhues, që përdoret 80% nga bizneset dhe 20% nga familjet. Bateria/‘storage’ apo depozitimi i energjisë është koncept i ri që ka disa vite që tregu e kërkon, dhe për bateri nën 1 mega nuk kërkohet licencim përkatës”, tha Karakaçi. 

Po ashtu ligji i ri ka të parashikuar edhe ngritjen e një operatori që do të menaxhojë pikat e karikimit të mjeteve elektrike.

“Në ligjin që paraqesim sot kemi të përcaktuar një operator të ri që shtohet që është operatori i pikës së ri-karikimit dhe patjetër ky operator duhet të përmbushë disa kritere, shkon në ERE, dhe kemi të përcaktuar ku e blen energjinë edhe me çfarë çmimi e shet energjinë elektrike. Ky operator menaxhon edhe pikat e karikimit”, tha ministri.

Sa i takon sektorit energjetik aktualisht ministri thekoi se po bëhen investime në rrjetet ku ka probleme, sidomos ato rurale, ndërsa humbjet sipas tij kanë rënë në 16%, dhe pritet që të ulen edhe më shumë gjatë këtij viti.