PRISHTINË, 30 Shtator /ATSH-B.Jashari/ -Komisioni Evropian (KE) dhe Qeveria e Kosovës mbajtën takimin e tyre të rregullt të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit (SAPD) për Ekonomi, Statistikë dhe Kontroll Financiar, në Prishtinë. Ky takim u fokusua në një numër fushash politike, përfshirë zhvillimet makro-ekonomike të Kosovës, politikat financiare dhe fiskale, privatizimin, reformat strukturale, zhvillimin e sektorit privat dhe sistemin statistikor.
Në njoftimin e dërguar sot nga Zyra e BE-së në Kosovë bëhet e ditur se, në takim u diskutuan treguesit ekonomikë kryesorë, përfshirë rritja e BPV-së, inflacioni, tregu i punës dhe bilanci i pagesave. Në vitin 2013 rritja ekonomike u përshpejtua dhe arriti në 3.4% të BPV-së, por u përmend se një bazë prodhimi e pakonkurrencë ndërkombëtarisht, mjedisi afarist sfidues dhe niveli i ulët i investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë në sektorët e tregtisë së ndërsjellë vështirësojnë edhe më tutje zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Për shkak të situatës së pasigurt të tregut të punës, Komisioni ka rekomanduar heqjen e shtangësive të identifikuara të sistemit dhe adresimin e boshllëkut sa i përket kuadrove në tregun e punës.
Komisioni ka shprehur shqetësimin e tij për qëndrueshmërinë e vendimit të fundit për rritjen e pagave të shërbyesve civile dhe pensioneve sociale për 25%, dhe iniciativave shpenzuese për të burgosurit politikë dhe veteranët e luftës. Këto rritje kanë qenë relativisht më të larta se sa ato që janë paraparë në buxhetin e miratuar, me një ndikim të tyre vjetor që kap shumën mbi 130 milionë EUR. Financimi i këtyre iniciativave mund t'i japë presion iniciativave shpenzuese që kanë të bëjnë me reformat e rëndësishme dhe ato paraqesin rrezik potencial të grumbullimit të borxhit të qeverisë.
Komisioni inkurajon autoritetet që të lëvizin drejt një përbërjeje shpenzimesh të drejtuar kah rritja dhe në veçanti të rritet shpenzimi në investimet jo-rrugore. Trendi në rënie i të hyrave nga kufiri do të kërkojë një reagim në politikat e duhura tatimore me synimin për të fuqizuar bazën e tatimit vendor.
Autoritetet paraqitën situatën aktuale të reformave strukturore kryesore në sektorët, si: shëndetësia, administrata publike dhe privatizimi. Si edhe në vitet e kaluara, Komisioni ka rekomanduar një prioritizim të fuqishëm të shpenzimeve në mesin e nevojave të mëdha dhe urgjente.
Komisioni theksoi progresin e arritur, në veçanti në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe në mjedis afarist, veçanërisht sa i përket kohës së nevojshme për regjistrimin e kompanive. Përkundër këtij progresi, Kosova do të përfitonte nga adresimi i pengesave të tjera të shumta në zhvillimin e sektorit privat, si: kapaciteti i pamjaftueshëm administrativ, mungesa e qasjes në financa, infrastruktura e  pazhvilluar mirë, veçanërisht në furnizimin me energji elektrike, mungesa e sundimit të ligjit, ekonomia joformale dhe arsimimi profesional jo i duhur.
Në fushën e statistikës, Komisioni mirëpriti finalizimin e klasifikimit evropian të aktiviteteve ekonomike, të ashtuquajtur NACE Rev. 2 në regjistrin e bizneseve. Autoritetet raportuan për përgatitjet për regjistrimin bujqësor që do të implementohet në nëntor 2014. Kapaciteti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës ende ka nevojë të fuqizohet, veçanërisht në fushat e statistikave afariste dhe makro-ekonomike. Po ashtu, duhet të arrihet edhe rregullimi i statistikave të Kosovës sipas standardeve evropiane.
Kosova prezantoi po ashtu situatën aktuale dhe progresin e arritur në kontrollin financiar publik. Komisioni Evropian ngriti shqetësimet e tij sa i përket vonesave në emërimin e Auditorit të Përgjithshëm dhe theksoi nevojën për një ligj të ri për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, dhe veçanërisht nevojën që ky ligj të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së për pavarësi organizative, financiare dhe funksionale të kësaj Zyre.
Ky takim u bashkë-kryesua nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtorati i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare si dhe për Zgjerim. Dialogu për Procesin e Stabilizim Asocimit (PSA) është një kornizë në kuadër të së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike lidhur me axhendën evropiane. /a.ke/