TIRANE- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën në mbrëmje nen për nen pr/buxhetin e vitit 2015, duke i hapur rrugë miratimit në seancën plenare të enjten e 27 nëntorit.
Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014. Rritja e të ardhurave sipas ministrisë së Financave vjen prej luftës ndaj evazionit fiskal dhe jo nga rritja e taksave.
Sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, efekti nga rritja e taksave është më pak se sa një e treta e të ardhurave shtesë që pritet të realizohen. "Synimi kryesor i këtij buxheti është që të fillojë në rrugën e kthimit të rritjes normale të parakrizës", është shprehur ministri Cani.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2015 është planifikuar të arrijë 475 miliardë lekë ose rreth 31.7% e PBB. Bazuar në parashikimet afatmesme, shpenzimet totale buxhetore parashikohen të ulen në terma realë (30.6% e PBB në 2016 dhe 29% të PBB në 2017) duke reflektuar kësisoj objektivin e uljes së borxhit publik gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë, niveli total i investimeve publike i parashikuar për periudhën 2015-2017, reflekton një trend konstant përgjatë kësaj periudhe me një mesatare prej 5.3% të PBB. Ky fakt, konfirmon dhe një herë prioritetin e Qeverisë për të kontribuar aktivisht në rritjen ekonomike dhe rritjen e nivelit të punësimit në vend.
Qeveria ka parashikuar të investojë per vitin 2015 80 miliardë lekë ose 5.4 për qind të Prodhimit Kombëtar për vitin e ardhshëm.
Fondi total i investimeve është i ndarë në dy pjesë, ku 67.5 miliardë lekë janë investime në projekte kombëtare, ndërsa 12.5 miliardë lekë të tjera kalojnë përmes Fondit Rajonal të Zhvillimit që administron pushteti vendor.
Gjatë diskutimit nen për nen për rreth 10 ditë në Komisionet parlamentare u propozuan disa ndryshime në fondet e disa institucioneve, pas argumentimit të përfaqësuesve të institucioneve në komisione parlamentare.
Gjatë mbrëmjes së sotme relatori i pr/buxhetit, Anastas Angjeli, informoi mbi shtesat e miratuara nga Komisioni i Ekoonmisë për disa institucione.
Ministrisë së Shëndetësisë i shtohet një fond prej 16.2 milionë lekë nga 50 milionë lekë të kërkuara. Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë i miratohet një shtesë fondi prej 7 milionë lekësh nga 50 milionë lekë që kërkoi. Institucionit të Presidencës i miratohet një shtesë fondi prej 1 milionë lekësh nga 8 milionë lekë të kërkuara. Një fond shtesë prej 500 mijë lekësh është miratuar edhe për Akademinë e Shkencave. Një fond shtesë prej 300 mijë lekësh i akordohet edhe ILDKPKI-së. /ATSH/