Kompensimi i TVSH-së në bujqësi ka qenë pjesë e debateve dhe gjatë diskutimeve në parim të Paketës fiskale, por vetëm këtë të mërkurë u bë e qartë se përfituesë do të jetë vetëm një pjesë e vogël e fermerëve. Nga gati 100 mijë në të gjithë vendin, pjesë e kompensimit do të jenë pak më shumë se 10 mijë, të cilët rezultojnë të kenë një NIPT në tatime. Për të tjerët, NIPT-i vetëm në Qendrën kombëtare nuk vlen për të përfituar kompensim.
“Fermerë të pajisur me NIPT nga tatimet janë 10.149 për periudhën Janar-Shtator 2025, që kanë shitur tek blerës të cilët kanë lëshuar edhe autofaturë. Në total kemi 100 mijë fermerë me NIPT, ”, tha Arjana Dyrmyshi Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave.
“Ju thatë që me NIPT nga tatimet janë 10.149 fermerë, po ata 90 mijë me NIPT nga QKB, që prodhojnë?”, pyeti Braçe.
“Po ata janë tregtar, nuk janë fermerë më”, u përgjigj zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj.
“Po s’ka kuptim që të përjashtohen. Këtë skemë po e bëni për 1/10-ën e fermerëve”, tha deputeti i PD-së Eno Bozdo.
“Skema e kompensimit është për të gjithë fermerët nuk janë të regjistruar në QKB. Fermeri me NIPT në QKB, konsiderohet i vetëpunësuar. Aktiviteti i tij është në sektorin bujqësor apo blegtoral, nuk ka si të kompensohet 10% për arsyen sepse ky është një lloj si çdo vetëpunësuar tjetër”, u përgjigj Dyrmyshi.
Të gjithë fermerët që kanë NIPT në tatime do të kompensohen me 10% të vlerës së faturës që do ju japë grumbulluesi pasi tu blejë mallin.
Problem konsiderohet dhe vetë skema e propozuar. Sipas deputetit të PS Erion Braçe dhe deputetit të PD-së Eno Bozdo, nuk zgjidhet problemi i fermerëve, ndaj duhet barazim i TVSH-së në bujqësi në 20%.
“Ne do të mbajmë skemën e TVSH në bujqësi që është propozuar edhe këshilli i Ministrave”, tha Zv. ministri i Financave Yzeiraj.
“Ky qëndrim më bën të mendoj se Ministria e Financave ka qëllim këtë gjë, të ndryshojë strukturën e ekonomisë duke goditur sektorë që kanë një funksion shumë të gjerë. Pse nuk bëni barazim si në import dhe brenda vendit?”, tha Braçe.
“Unë nuk e di si i bëni ju analizat tuaja, se të vish të thuash që është më lirë prodhimi vendas në raport me atë të importit, i bie të jeni komplet jashtë realitetit në terren”, tha Bozdo.
Po kështu deputetët kërkuan që kompensim të përfitojnë edhe fermerët me NIPT në QKB, si dhe kalim të kompensimit në llogari të fermerit çdo muaj dhe jo një herë në 6 muaj.
Por asnjë prej këtyre propozimeve nuk u pranua në Komisionin e Ekonomisë që vendosi ta kalojë projektligjin për seancë plenare pa asnjë ndryshim.
Më herët në seancat dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, shoqatat e fermerëve dhe dhoma e tregtisë kanë kundërshtuar skemën e TVSH-së në bujqësi, pasi problemi i fermerëve nuk zgjidhet me kompensimin 10% por duhet të barazohet TVSH-ja në 20% si brenda vendit ashtu edhe jashtë, dhe të ketë rimbursim për litër qumësht, apo për hektar toke të mbjellë.
Sot kur një grumbullues blen tek fermeri e ka TVSH-në 0%, ndërsa kur e shet produktin e ka TVSH-në 20%. Praktikisht nuk përfiton rimbursim TVSH-je (pra TVSH 20% në shitje minus TVSH në blerje që është 0%, rezultati mbetet 20%, tvsh për tu paguar për produktin vendas), duke i bërë grumbulluesit jo të interesuar për prodhimin vendas. Ndërsa në import, si në blerje dhe në shitje TVSH-ja është 20%, duke e bërë më tërheqës produktin e huaj.

(Klikoni linkun për të lexuar dokumentin e plotë)
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat prodhoi debate të forta mes deputetëve. Agron Shehaj kërkoi fjalën e tij dhe kryetarja Milva Ekonomi iu kthye duke thënë se prioritet kanë anëtarët e përhershëm më pas ata zëvendësuesit.
Shehaj: Jam anëtar i këtij Komisioni.
Ekonomi: Jeni anëtar zëvendësues.
Shehaj: E çdo të thotë kjo gjë?
Ekonomi: E ka fjalën Braçe që është anëtar i përhershëm, më pas ju që jeni anëtar zëvendësues.
Pas fjalës së tij, Shehaj u përplas sërish me kryetaren Ekonomi, ku ndërhyri edhe deputeti socialist, Erion Braçe, duke ngritur tonet.
Ekonomi: Edhe vetë po e përjashton veten nga ky Komision, po na drejtohesh me ju. Prandaj them që nuk jeni anëtar si gjithë të tjerët, jeni zëvendësues. Nuk keni marrë pjesë në seancat paraprake. Fjalën e keni pasi të sqarohemi ne që po punojmë për këtë gjë.
Shehaj: Më ndërpretë fjalën. Ju mendoni se jemi në shkollë ose kopsht dhe thoni: ‘Kush është ka ardhur më shumë do flasë më shumë’. Mos e bëni këtë komision më qesharak seç është.
Braçe: Nuk vjen dot këtu dhe të na ofendosh ne. E ke bërë një herë, dy herë…
Shehaj: Qetësohu ti. Po flas me kryetaren.
Braçe: Boll po të them! Qepe po të them!
Shehaj: Qetësohu.
Braçe: Ka mundësi t’ia fikni atë mikrofon?
Ministria e Financave nuk ka pranuar të barazojë TVSH-në në bujqësi në 20% që ishte kërkesë e opozitës dhe e socialistit Erion Braçe.
Zv. ministri i Financave Yzeiraj: Ne do të mbajmë skemën e TVSH në bujqësi që është propozuar edhe këshilli i Ministrave.
Braçe: Ky qëndrim refraktar ka sjellë këtë gjendje të bujqësisë sot, ka 4 vite me rënie. Ky qëndrim më bën të mendoj se Ministria e Financave ka qëllim këtë gjë, të ndryshojë strukturën e ekonomisë duke goditur sektorë që kanë një funksion shumë të gjerë.
E dini që në çdo qytet janë krijuar tregje bujqësore, ku dalin të shesin bujq, nuk e shesin tek grumbullues. Tani kush je ti, kush është kjo qeveria që thotë që ti që prodhon dhe del shet vetë në tregun e Lushnjës nuk merret kompensim. Kush jeni ju që e thoni këtë?
Jam i regjistruar me NIPT, në Lushnje, në Korçë, në Elbasan, në Tiranë, në Durrës e të tjerë me radhë, dhe ju thoni që nuk japim kompensim për prodhimin tënd. Pse? Sepse nuk e çon te një grumbullues që është i regjistruar skemë te TVSH-së. Po kush jeni ju? Nuk duan me ta çojnë në grumbullues.
Komente












