TIRANE, 29 Shtator /ATSH/- Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot kandidaturat për një anëtar të Bordit të Agjencise se Mbikqyrjes Financiare, ( AMF) .
Kryetari i Komisionit, deklaroi se pas përfundimit të afatit të dorëzimit të kandidaturave, janë paraqitur si kandidatë të mundshëm katër kandidatura, znj. Ketrin Katro, znj. Ilda Malile, znj. Kledia Haxhi dhe z. Arjan Salati.
Nga verifikimi i dokumentacionit, z. Xhafaj tha se znj. Kledia Haxhi nuk i plotëson kriteret, gjë që e ka pranuar edhe ajo vetë, duke dhënë dorëheqjen.
Gjithashtu, edhe znj. Ilda Malile ka paraqitur në datën 26 shtator 2014 një kërkesë ku sqarohej se pas rivlerësimit të kandidimit si dhe për arsye personale tërhiqet nga gara.
Pas shqyrtimit të kandidaturave, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi që t'i propozojë Kuvendit kandidaturën e z. Arjan Salati.
Në mbledhjen e sotme, anëtarët e komisionit miratuan dhe nen për nen projektligjin "Për Kontrollin e Lartë të Shtetit".
e.xh/f.n/









