Komiteti i barcaletave

Komiteti i barcaletave

Tito dhe Hrushovi

Bukë s’kishte mjaft, por humor me bollëk. Liri të shprehjes nuk kishte, por në ambiente të sigurta private lulëzonte tregimi i barsoletave. Njerëzit prisnin në rend për qumësht dhe kohën e kalonin duke i pëshpëritur njëri-tjetrit anekdota e rrëfime shpotitëse. Sipas George Orwellit, mjeshtrit të analizës së sistemeve totalitare, çdo barsoletë është një revolucion i vogël.

Këtë e ka dëshmuar Ben Lewis në librin e tij “Manifesti komik. Komunizmi dhe satira mes viteve 1917-89”. Në Rumani, Lewis zbuloi një ekspert të statistikës i cili mes viteve 1979 dhe 1989 mbajti shënim mbi çdo barsoletë që e kishte dëgjuar, ku e kishte dëgjuar, nga kush e kishte dëgjuar dhe sa shpesh e kishte dëgjuar.

Eksperti i barsoletave, pardon i statistikave, arriti në përfundimin se në komunizëm në “çdo të 4,71-tën ditë” ishte shpikur një barsoletë e re. S’duhet të habitemi që presidenti amerikan, Ronald Reagan, ishte koleksionist i madh barsoletash komuniste. Më 1993 shkrimtari hungarez, György Dalos, botoi vëllimin me barsoleta të komunizmit me titullin: “Proletarë të të gjitha vendeve, më falni”. Ka edhe përmbledhje e studime të tjera për rolin e humorit në komunizëm.

Por në këtë shkrim, dua të prezantoj disa nga barsoletat e një libri aspak të njohur. Është botuar më 1977 nga Instituti Zviceran i Lindjes, i cili s’ekziston më. Por libri me titullin “Genossen-Geflüster” (Pëshpërima e shokëve të partisë) ka mbetur. Qe disa shembuj:

“Çka është socializmi? Socializmi është sistem për tejkalimin e vështirësive, të cilat nuk do të ekzistonin pa socializëm”.

“Një anëtar partie e pyet një hebre i cili nuk është anëtar partie: ‘Çfarë qëndrimi keni për Leninin? Dhe për leninizmin?’ ‘Ah, e dini çka: mirë do të ishte sikur Lenini të ishte gjallë në vend të leninizmit”.

“Titoja dhe Hrushçovi po shëtisnin në mbrëmje nëpër Moskë dhe arritën te një varrezë. ‘Pa shikoni gurët e varrit’, tha Hrushçovi, ‘sa herët kanë vdekur njerëzit dikur!’. Befas diçka lëvizi pas kaçubave. Të dy ateistët u trembën kur një i vdekur po vinte drejt tyre. Tito ishte i pari që e mori veten dhe iu drejtua figurës së veshur me lecka. ‘Sa vite patët jetuar? Kur keni vdekur?’ ‘Çka? Si?’, tha figura duke iu dridhur zëri. ‘Jam mjeshtër për montimin e ngrohjes në atë fabrikën matanë, po vij nga ndërrimi i radhës dhe kaloj këtu nëpër varreza për të shkurtuar rrugën për në shtëpi dhe... ende nuk kam jetuar’, u përgjigj ai më në fund”.

“Një çift sillet i hutuar në katin e dytë të shtëpisë së mallrave ‘Centrum’ në Berlinin lindor. Dikur burri i drejtohet shitëses: ‘Më fal, vërtet nuk keni mobile?’ Shitësja qeshi përzemërsisht: ‘S’ka mobile është në katin e katërt. Këtu s’kemi këpucë”.

“Një çek që kishte emigruar në SHBA u shkroi familjarëve të tij: ‘Këtu është si te ju: me korona çeke s’mund të blesh gjë, me dollarë gjithçka”.

“’Ne kemi më së shumti vetura’, tha një amerikan. ‘E mundshme’, u përgjigj një rus, ‘por ne kemi më së shumti parkingje’”.

Humori në komunizëm ishte një kryengritje e përditshme kundër shtypjes, varfërisë, poshtërimit. Sistemin totalitar nuk e rrëzoi humori. Por së paku humori lehtësoi pak jetën e njerëzve deri në ditën kur ra Muri i Berlinit dhe pastaj njëri pas tjetrit ranë edhe sistemet komuniste. I vetmi komunist që ia pa hairin humorit komunist ishte me gjasë polaku Jerzy Urban. Ky humorist dhe cinik i papërmirësueshëm në vitet ‘80 ishte zëdhënës i gjeneralit Wojciech Jaruzelski (Vojçeh Jaruzelski). Autori Ben Lewis shkruan se Urban fitoi miliona, pasi më 1990 themeloi revistën satirike “Nie”, një organ majtist dhe antiklerikal që nganjëherë arrinte tirazhin deri në 700 mijë kopje. Tani tirazhi ka rënë dukshëm (25 mijë). Dhe Urban vdiq më 3 tetor 2022.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artan: 31/01/2023 12:19

    Nje gazmore qe ua tregoi i ndjeri Skender Sallaku shokeve te Birose: Dikur ne tabelen e dyqanit shkruhej "Kasap" dhe brenda kishte mish, tani shkruhet "Mish" dhe brenda eshte vetem kasapi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Zëvendëskryeministri Bratakos dhe ministri i Shtetit Papastavrou largohen nga qeveria

Greqi/ Zëvendëskryeministri Bratakos dhe ministri i Shtetit Papastavrou largohen nga qeveria