Kosova merr një lajm të mirë nga Brukseli. Komiteti për të Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian ka votuar pro liberalizimit të vizave me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenime.  Tashmë çështja për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës kalon tek Parlamenti Evropian dhe Këshilli për Marrëveshje nder-institucionale për Liberalizim.

Eurodeputetja dhe raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon kërkoi mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Janë më të izoluarit në Ballkan dhe është shumë e vështirë. Dua nga ju që të mbështesni Kosovën në luftën e saj për vizat dhe tani të votoni për liberalizimin e vizave për Kosovën” tha Fajon, ndërsa apeli i saj u mbështet.

Qytetarët e Kosovës presin fundin e vitit për vendimin përfundimtar që do i hapte rrugën lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Europian. Zyrtarët e BE kanë deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara  për liberalizimin e vizave.