TIRANE- Punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh, që i përket kompanisë “ARMO”, kanë zhvilluar një protestë ditën e djeshme për mosmarrjen e pagave prej disa muajsh. Rreth 100 punonjës gjatë ditës së djeshme kanë bojkotuar punën e tyre për një orë, për të theksuar edhe një herë kërkesën e tyre të përsëritur, për marrjen e pagave të prapambetura. Megjithë këmbënguljen e tyre për pasur një takim me administratorin e “ARMO” për këtë çështje,kjo gjë nuk u është mundësuar. Takimi i disa ditëve më parë me administratorin e firmës nuk ka prodhuar asnjë rezultat ndaj edhe punëtorët e kësaj firme, në mënyrë të përsëritur janë mbledhur për të protestuar para hyrjes së rafinerisë.

“Kemi kërkuar një peticion që të vijë administratori edhe në uzinën Ballsh, edhe këtu. Kemi kërkuar një takim mes deputetëve të qarkut, dhe kemi dërguar peticion ministrit të Energjitikës”, tregon për “Shqiptarja.com” një prej punëtorëve. Sipas tyre në varësi të sektorëve në të cilët punojnë, ka edhe nga ata që kanë edhe një vit pa marrë pagat. “Kemi paga të prapambetura prej një viti, që në shkurt-mars 2013 të cilat ende nuk i kemi marrë dhe nuk na është dhënë asnjë premtim se kur do t’i marrim”, tregon një tjetër punëtor. Në një peticion drejtuar ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, për ndërhyrje të menjëhershme për këtë çështje që prek drejtëpërdrejtë ekonominë e qindra familjeve në qytetin e Fierit dhe Ballshit.

Protestës së djeshme i janë bashkuar edhe disa punonjës të sektorit të zjarrfikseve në këtë fabrikë, të cilët pretendojnë se janë pushuar padrejtësisht nga puna. ”Edhe ne për shkak të një sistemi të çrregullt të dhënies së pagave, na kanë shkurtuar dhe na kanë hedhur në rrugë pa asnjë lloj motivacioni dhe na kanë njoftuar vetëm nëpërmjet një liste verbale për pushimin”, është shprehur një prej ish-punonjësve të zjarrfikseve. Sipas tyre, nuk është aspak normale që të mos ketë një repart zjarrfikës në një uzinë të përpunimit të naftës ku puna me lëndët kimike mund të shkaktoj në çdo moment incidente që rrezikojnë jetën e punëtorëve. Kjo nuk është hera e parë që punonjësit e kësaj kompanie zhvillojnë protesta për pakënaqësitë e tyre ndaj administratorëve për çështjen e pagave. Punëtorët kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve mbikqyrëse ndaj kompanisë pasi në të kundërt ata kanë paralajmëruar se do të përshkallzojnë protestat e tyre.

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)