TIRANE- Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka marrë në shqyrtim projektligjin e ri të qeverisë mbi kthimin dhe kompensimin e pronës duke vlerësuar pozitivisht skemën e re të vlerësimit financiar. Në një deklaratë për mediat të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave thuhet se anëtarët e Komitetit e “shohin si një hap tepër pozitiv drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes së tejzgjatur të kthimit dhe kompensimit të pronave, për pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist”.

Në këtë mbledhje, Republika e Shqipërisë u përfaqësua nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Agjent Qeveritar pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Alma Hicka. Sipas saj, ky ligj përmban të drejtat, detyrimet dhe garancitë që parashikon për ish pronarët si dhe finalizimin e procesit të kompensimit, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj, përmes fondit të kompensimit.

“Ky ligj vepron në të gjitha aplikimet që janë në shqyrtim në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi, si dhe në të gjitha ato aplikacione, të cilat do të dorëzohen brenda afateve të caktuara”, shprehet Hicka në deklaratën për media. Hicka shtoi se një sërë delegacionesh përshëndetën arritjet e autoriteteve shqiptare në kuadër të zgjidhjes së këtij problemi kompleks.

 “Ata inkurajuan autoritetet të mos kursejnë asnjë përpjekje në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme teknike dhe logjistike, si dhe burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që skema e kompensimit të jetë efektive, e shpejtë si dhe të respektohen të gjitha afatet ligjore dhe angazhimet”, tha Hicka.

Ndërkohë në në dokumentin e publikuar prej KiE nënvizohet se “nuk janë subjekt i  këtij ligji, prona të marra si rezultat i zbatimit të ligjit nr.108, datë 1945/08/29, mbi "Reformën Agrare", me ndryshimet e mëvonshme, shpronësimet kundër një shpërblimi të drejtë në përputhje me dispozitat në fuqi në kohën e shpronësimit, si dhe prona e dhuruar  shtetit për të cilin dokumentet zyrtare janë në dispozicion”.

Ligji
Në  ligjin e miratuar një javë më parë në parlament, “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, parashikohet ndryshimi i metodologjisë së vlerësimit financiar si dhe të procesit të kthimit fizik të sipërfaqeve të sekuestruara gjatë regjimit komunist. Në nenin 6 të draftit parashikohet se çmimi për m2 do të jetë ai i miratuar prej Këshillit të Ministrave, por se zëri kadastral do të jetë sipas vitit të shpronësimit. Pra pavarësisht se tashmë sipërfaqja është truall, vlerësimi do të jetë në bazë të tipit që prona ka pasur para vitit 1990, tokë bujqësore, livadh, pyll etj.

Një tjetër ndryshim është dhe rishikimi i vlerës financiare për të gjitha dosjet që tashmë kanë marrë një vendim prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave. Në këtë rast nëse një subjekt nga kompensimet e mëparshme financiare apo kompensim tejkalon vlerën që i takon sipas metodologjisë së re, ai do të cilësohet i shpronësuar edhe pse ka ende prona që i pretendon të pa marra.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)