TIRANE - Oborret të cilat janë marrë në përdorim si pasojë e zhvendosjeve të familjeve gjatë regjimit komunist nuk do t’u kthehen pronarëve, por do t’u jepen pronarëve të rinj. Gjatë diskutimit të ndryshimeve në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, ditën e premte në komisionin e ligjeve, është theksuar se familjet që kanë marrë banesa në vitet 1960 nuk kanë mundur të gëzojnë pronën për shkak se trualli ka pronarë. Por deputetët e maxhorancës janë shprehur kundër largimit të këtyre familjeve kur kanë mbi 70 vite që jetojnë në këto banesa. Nga ana tjetër pronarët e tokës do të kompensohen në bazë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Gjatë diskutimeve deputetët janë shprehur se fondet që do të grumbullohen nga legalizimi i ndërtimeve informale do të kalojnë në buxhetin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Një propozim i tillë argumentohet me interesin publik.

Ndryshimi
Përcaktimi për të mos cënuar familjet e vendosura në banesa e ish pronarëve, apo që kanë ndërtuar shtëpi në trojet e ish-pronarëve, para vitit 1990, është saktësuar në nenin 24 të projekligjit i cili është duke u diskutuar në komisionet parlamentare. “Trajtimi i pronës në tokat e zëna me ndërtime. ATP-ja, në territoret e tjera me ndërtime, për aq sa është e mundur, trajton me kompensim fizik brenda pronës së njohur aplikuesit për pjesën e pronës që është e lirë nga ndërtimi. Nuk lejohet kompensimi fizik nën truallin e objekteve dhe në një hapësirë funksionale përreth, të nevojshme për t’i shërbyer objektit”, thuhet në nenin e ndryshuar në komisionin e ligjeve.

Argument
Relatorja e projektligjit, deputetja e PS-së Vasilika Hysi gjatë diskutimeve në komisionin parlamentar të çështjeve ligjore është shprehur se këto familje nuk kanë mundur të gëzojnë tokën që kanë. Duke folur mbi pronat e zëna me ndërtime, Hysi i ka ndarë këto në dy kategori, teksa ka nënvizuar se shumë qytetarë kanë prona që nga vitet 1960 ku i kanë marrë me vendimet e Komitetit Ekzekutiv dhe mund të jenë shtëpi private me oborre dhe me ndërtime. “Sot e kësaj dite nuk kanë mundur të jenë pronar dhe t’i gëzojnë, siç janë bërë pas vitit 1992, kur shteti kundrejt një pagese simbolike na bëri pronar të banesave.

Argumenti ka qenë se s’mund t’u jepej shtëpia pasi ka pasur pronarë. Ne, një person që ka jetuar 50 apo 70 vite që jeton aty, nuk mund ta nxjerrim nga shtëpia”, tha Hysi në argumentin e saj. Ajo shtoi se nga ana tjetër një pjesë e tokës është zënë me ndërtime të paligjshme. Gjë që do të duhet t’i jepet zgjidhje me ligjin për kompensimin e pronës. Për këtë, Hysi është shprehur se dhe Gjykata e Strasburgut, në argumentin e çështjes Manushaqe Puto e të tjerë, e ka parashikuar zgjidhjen ku paratë që vijnë nga ALUIZNI të kalojnë për kompensimin e pronarëve. Propozimi i Hysit ka marrë të premten mbështetjen e komisionit parlamentar të ligjeve, ndërsa pritet që drafti përfundimtar të miratohet në seancën e ditës së enjte. Në projektligj parashikohet ndryshimi i metodikës së vlerësimit të tokës, ku çmimi do të jetë ai i vitit 2013, por zëri kadastral do të njihet ai i momentit të shpronësimit.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 01 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)