Prindërit me fëmijë nën 18 vjeç që kanë dorëzuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave kanë nisur të marrin kompensimin për tatimin e mbipaguar.

Administrata tatimore njofton se 3 mijë përfituesit e parë kanë marrë kompensimin në llogaritë bankare.

Rreth 550 mijë euro për 3,091 përfitues është shuma e disbursuar deri tani. Sipas njoftimit të Administrata Tatimore, pagesat e tatimit të mbipaguar për individët deklarues të DIVA 2025 kanë nisur për subjektet e konsideruara pa risk.

Tatimet theksojnë se kjo është një lehtësi fiskale që vjen për herë të parë përmes deklarimit të DIVA 2025, duke krijuar mundësi për përfitim nga deklarimi korrekt i të ardhurave.

"Administrata Tatimore ka nisur pagesat e tatimit të mbipaguar për individët deklarues të DIVA 2025, të konsideruar pa risk. 3091 individë përfitues, 52,823,000 lekë vlera totale e tatimit të rimbursuar. Një lehtësi fiskale që vjen për herë të parë përmes deklarimit të DIVA 2025, duke krijuar mundësi reale për përfitim nga deklarimi korrekt i të ardhurave, në ndihmë të qytetarëve dhe në funksion të një administrate tatimore më efikase dhe më pranë tyre", shkruajnë Tatimet.