Kompensimi, si do të ndahen
11 milionë dollarë për pronarët

Kompensimi, si do të ndahen<br />11 milionë dollarë për pronarët
TIRANE- Nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ALUIZNI ka arkëtuar rreth 16 milionë dollarë, 11 milionë prej të cilave janë vënë në dispozicion të kompensimit të pronarëve të prekur nga ndërtimet pa leje. Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame raportoi dje se deri tani janë shpërblyer 499 subjekte, pronarë të pasurive të paluajtshme, të prekura nga ndërtimet pa leje, ndërkohë që u është kaluar e drejta e pronësisë mbi truallin rreth 5 mijë ndërtuesve pa leje.

“Nga vlera (rreth 1.9 miliard lekë) e mbledhur nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore për periudhën 2014-2015, janë transferuar në fondin special të kompensimit, afro 1.3 miliardë lekë të cilat përdoren për shpërblimin e pronarëve, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje”, tha Lame gjatë raportimit të djeshëm në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.

Rrezikohen 90 mijë objekte
Ndërsa theksoi se në total numërohen rreth 450 mijë aplikime për legalizime, Lame sqaroi se numri real i tyre është 350 mijë, për shkak të përsëritjes së tyre. “Ka shumë mbivendosje vetëdeklarimesh. Numri real i aplikimeve nuk është 450 mijë, rreth 100 mijë janë mbivendosje dhe dublime, pra kemi rreth 350 mijë reale”, sqaroi Lame.

Ndërkohë që sipas kreut të ALUIZNI-t, 90 mijë prej këtyre legalizimesh kanë problematika të rënda, gjë që e bën shumë të vështirë përfshirjen e tyre në proces. 

“Po të heqim rreth 60 mijë të bëra deri tani, mbeten rreth 290 mijë. Te këto 290 mijë, po të heqim rreth 90 mijë objekte të cilat në çfarë do lloj qeverie nuk mund të legalizohen, ose janë prishur, mbeten rreth 200 mijë objekte ende të legalziueshme. Ato 90 mijë që nuk legalizohen, të mos tremben njerëzit e të dalin në rrugë se po vjen ruspa. Qytetarët të rrinë në shtëpitë e tyre se gazetarët aq duan për ta kthyer në lajmë këtë. I vë shumë rëndësi kësaj që të mos krijojmë tension te qytetarët”, tha Lame.

Brenda mandatit
Sipas kreut të ALUIZNI-t, 200 mijë të mbeturat janë realisht objektet për t’u legalizuar. Këto 200 mijë objekte mund t’i ndajmë në dy blloqe: blloku i ndërtimeve që gjenden në zonat informale, të cilat po ecin me shpejtësi maksimale. Dhe zonat brenda qyteteve që, sipas Lames, janë një kalvar i vërtetë. 

“Për dhjetë legalizime që bëhen në zonat informalet, bëhet një në qytet. Për shkak të gjyqeve, mbivendosjeve, problemeve të pronësisë. Pra brenda qyteteve ecet shumë ngadalë. Por ama, në momentin që do mbyllim masën e madhe të zonave rrethuese të qyteteve, bie stresi i legalizimeve. Legalizimet do të bëhen standard, pasi përfundohen gjyqi, pasi familjarët merren vesh me njëri-tjetrin, në këtë mënyrë legalizimet do të vazhdojnë me qetësi edhe për shumë vjet. Në këtë mandat qeveritar do të mbyllim me urgjencë legalizimet në zonat informale. Më pas do vazhdojmë me legalizimet në qytete, të cilat kanë problematikë shumë më të theksuar, pasi të mos harrojmë që gjyqet vazhdojnë me vite të tëra, pesë apo shtatë vite. Masa e madhe e ndërtimeve që krijojnë stres dhe kanë nevojë për legalizim mbyllet në këtë mandat qeverisës”, tha Lame.

Objektet
Sipas Lames, është kryer evidentimi faktik në terren për 124.332 ndërtime pa leje. Kjo procedure, përfshin përditësimin në terren të gjendjes ndërtimore dhe plotësimin e hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor (proces verbal, genplan, planimetri, hartë e përditësuar e zonës kadastrale, etj.). Për peridhën 2006-2015, janë dhënë 57.000 leje. Është përfubduar legalizimi i 15.294 ndërtimeve në vitin 2014 dhe 19.714 të tjerave për periudhën janar-26 tetor 2015.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Mjeti përfundon në lumin Lana, humb jetën drejtuesi në Bërxullë

Tiranë/ Mjeti përfundon në lumin Lana, humb jetën drejtuesi në Bërxullë