Kompetencat/ Ngritja e KLGJ-së shpërndan KLD-në, gati formimi i Gjykatës Speciale

Kompetencat/ Ngritja e KLGJ-së shpërndan KLD-në, gati formimi i Gjykatës Speciale

Konferenca Gjyqësore për ngritjen e KLGJ

TIRANE - Një ditë pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë zgjedhur edhe gjashtë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke hedhur kësisoj një tjetër hap të rëndësishëm në finalizimin e zbatimit të reformës në drejtësi. 360 gjyqtarë kanë zgjedhur përmes votimit të fshehtë Ilir Toskën, Brunilda Kadin, Dritan Hallunajn, Marcela Shehun, Brikena Ukperajn dhe Medi Bicin anëtarë të KLGJ (Lexo këtu). Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, nga të cilët gjashtë anëtarë zgjidhen nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, ndërsa pesë anëtarët e tjerë votohen nga Parlamenti nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile. Pesë anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti janë Fatmira Luli, Alban Toro, Maksim Qoku, Erion Muharremaj dhe Naurela Llagami. Me votimin e djeshëm, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, organi më i rëndësishëm i gjyqësorit, plotësohet me anëtarë dhe do të nisë së funksionuari. 

Shpërndahet KLD  
Këshilli i Lartë Gjyqësor zëvendëson zyrtarisht Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një nga institucionet më të kritikuara të drejtësisë për qoka dhe mbrojtjen e abuzimeve të gjyqtarëve. Pika 1 e nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon që mandati i anëtarët të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pika e 4 e këtij neni përcakton se ditën e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të gjitha dosjet dhe dokumentacioni në administrim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kalojnë KLGJ. Zgjedhja e 6 anëtarëve të KLGJ ka shënuar fundin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetari i KLD Ilir Meta, së bashku me anëtarët Xhezair Zaganjori, Etilda Gjonaj, Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Gjin Gjoni, Vangjel Kosta, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Gerd Hoxha, Neritan Cena dhe Ridvan Hado, nuk mund të mblidhen për të marrë vendime. Mandati i tyre konsiderohet i ndërprerë. Kompetencat e KLD tashmë do t’i ushtrojë KLGJ. Sipas ligjit, KLGJ emëron, ngre në detyrë dhe shkarkon gjyqtarët, përfshi edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjykata Speciale
KLGJ dhe KLP janë dy organet më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri, përcaktuese për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme, Gjykatave Speciale si dhe për qeverisjen në tërësi të drejtësisë së re. Këto institucione janë projektuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, si dhe çdo akuzë penale kundër funksionarëve të lartë shtetërorë. Sipas pikës 4 të nenit 135 të Kushtetutës, gjyqtarët e gjykatave të posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Tashmë procedurat për ngritjen e organeve të reja kundër korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet do të nisin brenda tre muajve. 

Anëtarët e përzgjedhur të KLGJ 

Ilir Toska, Gjykata e Apelit Tiranë
Brunilda Kadi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Dritan Hallunaj, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda 
Marcela Shehu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin
Brikena Ukperaj, Gjykata e Apelit Vlorë
Medi Bici, Gjykata e Lartë

Anëtarët e KLGJ të zgjedhur nga Kuvendi 
1.    Fatmira Luli (avokat)
2.    Alban Toro (avokat)
3.    Maksim Qoku (pedagog)
4.    Erion Muharremaj (pedagog)
5.    Naurela Llagami (Shoqëria Civile)

Kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor

1.    Emëron gjyqtarët pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës.
2.    I propozon Presidentit kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.
3.    Emëron, cakton në pozicion, transferon, ngre në detyrë dhe komandon gjyqtarët.
4.    Vlerëson veprimtarinë etike dhe profesionale si dhe vendos masa disiplinore për gjyqtarët.
5.    Emëron kancelarin e gjykatës dhe ndihmësit ligjorë.
6.    Mban lidhje me Shkollën e Magjistraturës në lidhje me trajnimin vazhdues të gjyqtarëve.
7.    Harton dhe ndjek zbatimin e politikave për administrimin gjyqësor.
8.    Miraton rregullat e brendshme standarde të gjykatës.
9.    Hedh të dhënat dhe përditëson Regjistrin Qendror të Personelit për nëpunësit civilë gjyqësorë.
10.    Publikon dhe shpall konkurrim të hapur për vendet e lira në shërbimin civil gjyqësor
11.    Miraton rregullat e që lidhen me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë.
12.    Ngre komisionin e ristrukturimit në rastet e mbylljes ose ristrukturimit të gjykatave.
13.    Cakton numrin e kandidatëve dhe prokurorëve që duhet të pranohen në Shkollën e Magjistraturës.
14.    Merr masa që publiku dhe palët e interesuara të informohen mbi veprimtarinë e gjykatave.
15.    Cakton të paktën një gjyqtar për mediat për çdo juridiksion apeli.
16.    Shqyrton funksionimin e rregullave të procedurës gjyqësore civile.
17.    Ndihmon gjykatat në hartimin e projektbuxheteve të tyre vjetore;
18.    Mbikëqyr dhe këshillon gjykatat mbi teknikat dhe procedurat e përshtatshme dhe efiçente që lidhen me menaxhimin financiar të tyre.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • erma: 13/12/2018 12:56

    panele i turpshem, klgj e dhjere!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi