/ATSH/.- Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Safet Kamberi, vizituan sot ndërmarrjen publike "Trepça", ku janë pritur nga menaxheri, Ahmet Tmava dhe ndihmësi i tij, Ibush Jonuzi.

Temë kryesore e bisedës ka qenë gjendja aktuale në "Trepçë" dhe miratimi i ligjit për të.

Menaxheri i "Trepçës", Ahmet Tmava, i ka njohur drejtuesit komunalë me gjendjen aktuale në ndërmarrje, duke thënë se ka kthesa pozitive sa i përket realizimit të planeve prodhuese dhe normalizimit të proceseve.

Tmava u shpreh se "punëtorët janë shumë të motivuar për prodhim dhe se po arrijnë rezultate të mira. Edhe sot, kur pritet që Kuvendi i Kosovës të marrë një vendim shumë të rëndësishëm për "Trepçën", gjendja është normale në tërë "Trepçën", ndërsa punëtorët shprehin besimin e tyre të plotë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës".
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i ka thënë menaxherit Tmava se ju gëzohet sukseseve të "Trepçës dhe se kjo dhe menaxhuesit e saj çdo herë e kanë mbështetjen e plotë të drejtuesve të komunës dhe institucioneve të pushtetit lokal, por mbi të gjitha e kanë mbështetjen e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës e të rajonit.

Bahtiri dhe Tmava biseduan edhe për domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për "Trepçën", në mënyrë që të pengohet likuidimi i saj. Ata janë pajtuar në vlerësimet se "Trepça" është një pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe se e tillë duhet të mbetet.

Që të dy bashkëbiseduesit ju kanë dhënë mbështetje të plotë institucioneve të Republikës së Kosovës në përpjekjet e tyre për zgjidhjen e problemeve të "Trepçës", përkatësisht pengimin e procesit të likuidimit të saj, duke vlerësuar se një gjë e tillë do të kishte pasoja të rënda për të gjithë.

Bahtiri e Tmava, po ashtu kanë rënë dakord që t'i koordinojnë të gjitha aktivitetet kur është fjala për normalizimin e plotë të proceseve në "Trepçë" dhe mbrojtjen e interesave të punëtorëve, qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me "Trepçën"./KosovaPress/