TIRANË, 5 Dhjetor/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, u nderua të premten me titullin "Qytetar nderi i komunës Livadhja".
Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm autoritetet vendore të komunës Livadhja, përfaqësues të pushtetit vendor të Gjirokastrës, Sarandës dhe Vlorës, Kryetarë të Komunave Dhivër, Finiq Aliko, Mesopotam dhe dhjetra banorë e nxënës të shkollës së mesme. Po ashtu ishte i pranishëm dhe Konsulli i Përgjithshëm grek në Gjirokastër, Nikos Kotrokois, si dhe përfaqësues nga pushteti vendor nga shteti fqinj, nënkryetarët e Bashkive të Igumenicës dhe Filatit.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Komunës Livadhja, Dalani, vuri në dukje kontributin e dhënë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në rritjen e sigurisë në këtë zonë të minoritetit, jo vetëm duke hapur postën e policisë në Komunën Livadhja, por dhe duke ndjekur nga afër shqetësimet e banorëve të zonës, me synim zgjidhjen e tyre. Z. Dalani theksoi gjithashtu se posta e policisë e ngritur në qendër të Livadhjasë, ishte një nga nismat që komuniteti e kërkonte prej vitesh, por vetëm tani u bë realitet, brenda 3 muajve, falë vizitave të njëpasnjëshme dhe të befasishme të vetë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm grek në Gjirokastër, Nikos Kotrokois, vlerësoi bashkëpunimin, jo vetëm me autoritetet konsullore dhe diplomatike, por kryesisht me pushtetin lokal, me komunitetin lokal dhe me përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri. Në fjalën e tij, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi tha se Posta e hapur në komunën Livadhja, do tu afrojë banorëve të kësaj zone ndihmë dhe shërbime për të parandaluar veprat penale dhe garantuar zbatimin e ligjit.
Ndërkohë edhe deputeti Andrea Marko ka vlerësuar funksionimin e kësaj poste policore ç'ka ka treguar se komuniteti i banorëve ndihet më i sigurt. Më pas Z. Didi ka vizituar edhe shkollën e kësaj komune./a.gjonaj//m.m/











