TIRANE- Kryetari i komunës Hajmel, Lek Bibaj dhe katër persona të tjerë të kësaj zone janë marrë të pandehur nga prokuroria e Shkodrës, për shkak se kanë abuzuar me fondet financiare të subvencionimit të kulturave Agro-Blektorale. Gjatë fazës hetimore tre prej të pandehurve Aleksandër Zeka, Pal Zeka dhe Gjon Çuku, janë hetuar me masën e sigurisë të “arrestit në burg”, ndërkohë për kryekomunarin Lek Bibaj dhe përgjegjësin e pronave në Komunën Hajmel Ded Shita, janë hetuar në masën e detyrimit për t’u paraqitur.

Hetimi i njësisë Task-Forcë në Shkodër ka nxjerrë në dritë, abuzimin që është kryer me fondet financiare dhe trojet në këtë komunë, ku me dokumentat që ka lëshuar kryekomunari Lek Bibaj, u është kthyer pivatëve, sipërfaqe tokësore që kanë qënë shtetërore. Këto toka janë rregjistruar më pas sikur ishin përfituar në bazë të ligjit 7501 “Për Tokën”. Gjithçka është zbuluar  pas një marëveshje të kryer mes komunës Hajmel në Shkodër dhe subjektit “Dino 2000” për marjen me qera të një sipërfaqe toke në zonën, ku ka juridiksionin komuna.

140 mijë m2 tokë
Hetimi dosjes ka pasur si objekt veprat penale të “Fallsifikimit të dokumentave” dhe “Mashtrimit me subvencione”. Nga veprimet e prokurorisë së Shkodrës rezulton se kryetari i komunës Hajmel, Lekë Bibaj dhe përgjegjësi i pronave në këtë komunë, Ded Shita, nëpërmjet fallsifikimit të dokumentave, kanë pajisur me tituj pronësie të tokës bujqësore, në një sipërfaqe totale rreth 140.000 m2, shtetasit Aleksandër Zeka, Pal Zeka dhe Gjon Cuku. Këta të fundit, nga ana e tyre, duke qenë në dijeni të faktit se kanë përfituar sipërfaqe toke në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me ligjin, kanë aplikuar dhe kanë përfituar subvencione nga shteti për mbjelljen e kulturave bujqësore. Në dy raste janë marrë subvencione me vlerë prej 7.5 milion lekë të vjetra, në total 15 milion lekë të vjetra.

Zbulimi i skandalit
Veprimet e kundraligjshme të kryekomunarit Lek Bibaj, janë zbuluar kur subjekti juridik “Dino 2000” sh.p.k më datë 17 qershor 2013 ka lidhur një kontratë “Për dhënie me qira të tokës bujqësore” me Komunën Hajmel, Shkodër me një afat 99 vjeçar për një sipërfaqe toke prej 94 hektar, pasuri të ndodhura në zonën kadastrale nr. 2778, me adresë në fshatin Nënshat, Komuna Hajmel, Shkodër. Këtë sipërfaqe subjekti juridik i mësipërm, në bazë të kontratës do ta mbillte me kulturën bujqësore të arrës dhe këtë mbjellje do ta realizonte deri në fund të vitit 2013.

Në muajin shtator, nga ana e subjektit “Dino 2000” sh.p.k kanë filluar punimet në terren për realizimin e qëllimeve Agro-Blektorale, por në momentin e fillimit të realizimit të kësaj kontrate, kanë konstatuar se disa prej pronave objekt i kontratës ishin zënë padrejtësisht me ndërtime dhe kultura bujqësore të ndryshme nga banorë të fshatit Nënshat, Komuna Hajmel Shkodër. Shtetasit Aleksandër Zeka, Pal Zeka dhe Gjon Cuku pretendojnë se pronat objekt konflikti i kanë përfituar në bazë të ligjit nr.7501 të vitit 1991 “Për Tokën” por këto prona nuk i kanë të regjistruara pranë Z.V.R.P.P Shkodër.

Këto prona ato i kanë mbjellë kultura të ndryshme bujqësore (ullinj) dhe për mbjelljen e tyre janë financuar nga ana e Agjensisë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor pranë M.B.ZH.R.A.U. Pas këtij konflikti çëshja ka përfunduar në dyert e prokurorisë, e cila gjatë verifikimeve në përfundim vendosi të marrë 5 persona të pandehur.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)