Opozita e re ka depozituar në Kuvend kërkesën për të thirrur në interpelancë ministren e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku. Kjo kërkesë është bërë nga deputeti Artur Roshi lidhur me koncesionin e autostradës Tiranë-Durrës si dhe hidrocentraleve në vend. Në dokumentin që Shqiptarja.com disponon drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi kërkohet që Balluku të pyetet për politikat mbi strategjinë e koncesioneve të rrugës dhe hidrocentraleve në vendin tonë.
"A do të ketë koncesion për rrugën Tiranë-Durrës? Cili është qëllimi i tyre? Si përcaktohet koha kur jepet një segment rrugorë me koncesion dhe pse ai dhe jo një tjetër? Cila është procedura e dhënies së tyre për të garantuar konkurrimin me shanse të barabarta për kompanitë e interesuara? Koncesionet e hidrocentraleve me çdo lloj kapaciteti do të kenë një numër të fundëm apo do të prekin çdo burim uji natyral në vendin tonë", janë këto pyetjet janë parashtruar në kërkesën e Roshit drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Pak javë më parë, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku sqaroi procedurat për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës, ku theksoi se rruga nuk do të bëhet as tani dhe as në shtator me pagesë, por në vjeshtë do të hapet gara më pas do të zgjidhet fituesi.
Ndërkohë më herët, një tjetër deputet i opozitës së re, Lefter Maliqi, ka kërkuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur për situatën politike në vend.