Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, zyrtarët europianë vlerësuan ritmin e reformave, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një tjetër gur kilometrik. Por vëmendje mori edhe projekti i Zvërnecit dhe protestat kundër tij, për të cilat Komisioni Europian kërkoi respektimin e plotë të standardeve mjedisore të BE-së

***

Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociimit me Bashkimin Evropian duke hedhur kështu një hap më shumë drejt përfundimit të procesit teknik.

Vendi konsiderohet tashmë plotësisht i njësuar me standardet europiane për kapitullin 25 kërkimin shkencor, Kapitullin 26 për Arsimin dhe Kulturën si dhe kapitullin 30, atë të marrëdhënieve me jashtë.

"Përgëzime të gjithë miqve tanë shqiptarë për punën e tyre dhe për këtë arritje. Ne mbështetemi te Shqipëria për të vazhduar për të këmbëngulur në reforma. Do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim",- tha Kos.

“Kjo ishte një super e martë për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë saj",- tha Thomas Byrne/ Minsitër për Çështjet Europiane, Irlandë

Ndërsa kryeministri Rama e cilësoi një gur kilometrik për Shqipërinë, ndërsa u zotua për përmbushjen e të gjitha standardeve.

"Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë më i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit",- tha Rama.

Por ajo që është kryeçështje në Shqipëri nuk mund të mos ishte edhe në Bruksel. I pyetur për protestat dhe projektin e Zvërnecit e sa sa kjo çështje rrezikon integrimin europian të Shqipërisë, Rama u përgjigj kështu.

"Komisioni është në krye të gjithçkaje duke qenë shumë i mirëinformuar bazuar në fakte. Projekti nuk mund të shihet askund sepse s’është finalizuar. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër. Për ne vlen libri i rregullave të standardeve të anëtarësimit dhe Komisionit të BE. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipëri dhe Europën. Kjo është ambicia ime",- tha Rama.

Ndërsa komisionerja Marta Kos, duke e konsideruar mbrojtjen e mjedisit si një nga kapitujt më domethënës në procesin e integrimit, e bëri të qartë atë që Brukseli kërkon nga Shqipëria. Komisionerja theksoi se protestat në Tiranë nuk ndikojnë në procesin e anëtarësimit.

“Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike.Kapitulli 27 është më kërkuesi, dhe jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin. Jemi të sigurt që asgjë nuk do të ndodhë në ëkëtë fushë që nuk do të jetë e harmonizur me legjislacionin europian”,- tha Kos.

Për të dyja këto kërkesa Rama thotë se po punohet.

“Na duhet të shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjikë sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet. Kur bëhet fjalë për ligjin tjetër nuk kemi asgjë për të shfuziquar edhe pse ka patur në rezolutë në PE që e ka kërkuar këtë , por duhet ta trajtojmë ligjIN mbëshetur në të gjitha standardet europiane.  Ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi, kemi punuar shumë fort. Na duhet të trajtojmë pjesë specifike që duhet të jenë në pajtim të plotë me BE, edhe për këtë po punojmë me Komisionin",- tha Rama.

Me mbylljen e 3 kapitujve të parë Shqipëria e cila shënoi rekord në shpejtesine e ecurise se negociatave, është drejt arritjes së objektivit për të mbyllur 10 kapitujt brenda këtij vitit, dhe të gjithë kapitujt brenda vitit 2027-të.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:41
Shqipëria mbyll 3 kapitujt e parë me BE, Rama ironizon nga Brukseli: Po si thanë, nuk ka më negociata? (VIDEO)

 

Pas mbylljes së 3 kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama bashkë me delegacionin shqiptar ironizuan nga Brukseli skeptikët e procesit në Tiranë. 

“Po si thanë, iku kjo punë. Vate kjo punë. Nuk ka më negociata. Por në fakt jo vetëm ka negociata, por u mbyllën 3 kapijt e parë, pra filloinumërimi mbrapsht, mbyllja e kapitujve. Dhe ne, duan s’duan ata që s’duan, do t’i mbyllim të gjithë kapitujt deri në 2027”,- shprehet Rama në video.

 
Ora 20:18
Rama: Shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjike, po hartojmë të riun! Ai për zonat e mbrojtura ndër më të mirët që kemi, do të trajtojmë pjesë specifike (VIDEO)

Ligji i investimeve strategjike do të shfuqizohet, tha kryeministri Rama në Konferencën Ndërqeveritare. Në bashkëpunim me Komision Europian, po hartohet ligji i ri ndërsa vlerësoi mirëformulimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Megjithatë, ky i fundit do të pësojë disa ndryshime që të jetë në përputhje të plotë me standardet europiane.

“Na duhet të shfuqizojmë ligjin e investimeve strategjikë sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë ngushtësisht me Komisionin për atë që do ta shfuqizojë. Na duhet ta trajtojmë ligjin mbështetur në të gjitha standardet europiane dhe të ndryshojmë gjithçka që s’është në pajtim me standardet europiane. Shfuqizimi nënkupton anulim. Ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi, kemi punuar shumë fort. Na duhet të trajtojmë pjesë specifike që duhet të jenë në pajtim të plotë me BE, edhe për këtë po punojmë me Komisionin. Shfuqizim nuk është një fjalë që e marrim si fjalë për të qenë në përputhje, është miratim 100% me standardet”, tha Rama.

Ora 20:15
‘Zvërneci’, Rama: Komisioni është i mirëinformuar, do të jemi rigorozë! Projekti do të jetë krenari për Shqipërinë dhe BE (VIDEO)

I pyetur në Konferencën Ndërqeveritare për projektin e Zvërnecit dhe debatet që ka ngjallur në Parlamentin Europian, kryeministri Rama tha se Komisioni Europian është në dijeni të çdo zhvillimi. Gjithashtu siguroi se projekti do të kryhet sipas standardeve më të larta dhe do të jetë krenari për vendin dhe Europën.

“Nga vitet e gjata në detyrë, kur thua Bruksel është fjalë shumë komplekse. Për ne të gjithë zërat janë mjaft të respektueshëm, por ka një fjalë që e marrim shumë seriozisht, zëri i Komisionit. Komisioni është në krye të gjithçkaje duke qenë shumë i mirëinformuar bazuar në fakte. Në këtë botë informacioni dhe pikëpamjeve të debatueshme ku e vërteta gjen gjithnjë e më pak hapësirë, komisioni mbetet në fakt ai që mban fort objektivitetin sepse punon bazuar në fakte, të dhëna, burime të verifikuara. Jam i sigurt që edhe ju, nëse do të kishit interes për faktet, për të dhënat, burimet e verifikuara do të kuptonit se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Projekti është ende punë në vazhdim. Projekti nuk mund të shihet askund sepse s’është finalizuar. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër. Gjithçka po bëhet sipas rregullave që prej ditës së parë. Përmendja e emrave nuk është diçka që na ndihmon për të shkuar tek  e vërteta. Për ne vlen libri i rregullave të standardeve të anëtarësimit dhe Komisionit të BE. Ideja që Shqipëria do të vazhdonte përpara me diçka që nuk do të ishte në përputhje të plotë me librin e shenjtë të besimtarëve ateistë në Shqipëri është pretendim pa bazë. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipëri dhe Europën. Kjo është ambicia ime. Shqipëria duhet ta bëjë realitet për vete dhe Europën. Do të jemi rigorozë për të mos kërkuar asgjë veç standardeve më të larta”, tha kryeministri.

Ora 20:15
Komisionerja Marta Kos: Qeveria shqiptare ka treguar gatishmëri për forcimin e mbrojtjes së mjedisit para protestave (VIDEO)

E pyetur mbi protestat që zhvillohen në Tiranë prej 45 ditësh, Komisionerja për Zgjermin e Bashkimit Europian, Marta Kos, tha se ato nuk ndikojnë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Sipas Kos, qeveria shqiptare ka demostruar gatishmëri të plotë për forcimin e mbrojtjes së mjedisit kohë para nisjes së protestave.

“Mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike. Procesi i anëtarësimit është në vazhdimësi. Kapitulli 27 është më kërkuesi, dhe jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin”,- tha Marta Kos.

Ora 20:04
Shqipëria mbyll 3 kapituj të negociatave me BE, Rama: Nuk kemi arsye të besojmë se procesi i zgjerimit mund të frenojë (VIDEO)

Shqipëria sot mbylli për herë të parë 3 kapituj nga 33 që janë, të procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Nga Brukseli, kryeministri Edi Rama u shpreh optimist se procesi i zgjerimit të Unionit do të vazhdojë dhe deri më tani nuk janë shfaqur arsye që mund të vënë në pikëpyetje nismën.

"Ajo çfarë është e rëndësishme është që deri më tani jemi në drejtimin e duhur me kalendarin tejet ambicioz që është diskutuar dhe për të cilin është rënë dakord në ndërveprimin tonë me Komisionin. Dhe falë detyrave të pareshtura të shtëpisë që kemi bërë deri tani, ky kalendar bëhet gjithmonë e më ambicioz dhe ne duhet të punojmë gjithmonë më tepër, pareshtur.

Nëse atmosfera do të vazhdojë të jetë ajo çfarë kemi përjetuar gjatë kësaj periudhe të fundit, çdo gjë do të jetë aty ku duhet dhe çdo detyrë shtëpie do të bëhet si duhet. Deri tani nuk kemi ndonjë arsye të besojmë se do të ketë një ndryshim të atmosferës.

Dje në takimin e Koalicionit të Vullnetshëm patëm edhe një qasje për këtë proces, për vendet që janë në negociata aktive, dhe të gjithë janë të prirur që të shkojnë përpara, dhe të gjithë janë të prirur të gjejnë mënyra edhe më të shpejta për ta vlerësuar këtë. Gati për të ecur përpara dhe për t’u përballur edhe me sfidat nëse shfaqen.

Siç e thashë, presidenca irlandeze na jep komfort, sepse Irlanda është një vend që ka dëshmuar se progresi eksponencial është i mundshëm dhe se irlandezët nuk pranojnë asgjë përveç ekselencës si objektiv.

Të jesh i shkëlqyer në objektivin e presidencës do të thotë të mbyllësh më shumë kapituj me ne dhe të tjerët në fund të vitit",-tha Rama.

Ora 20:01
Mbyllja e 3 kapitujve të negociatave, Marta Kos: Krah Shqipërisë deri në fund (VIDEO)

 

“Është një super e martë për zgjerimin”, tha Marta Kos duke vlerësuar punën e Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Ajo shtoi se qytetarët europianë e kanë përkrahur zgjerimin, teksa garantoi se Shqipëria do të ketë mbështetjen e saj derisa të përfundojë mandatin.

“Universitetet shqiptare janë pjesë e kërkimit europian. Përgëzime të gjithë miqve tanë shqiptarë për punën e tyre dhe për këtë arritje. Ne mbështetemi te Shqipëria për të vazhduar për të këmbëngulur në reforma thelbësore. 94% e qytetarëve mendojnë se zgjerimi do të sjellë më shumë avantazhe. Udhëheqja politike dhe mbështeteja publike janë përtej dyshimit, një recetq shumë e fortë për sukses. Është në dorën tuaj që të jepni rezultate për qytetarët shqiptarë. Do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, tha Kos.

P.J/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/07/2026 04:00

    Evropa kerkon shfuqizim e ligjit per investitoret strategjike,Rama thote do te bejme nje tjeter,Evropa kerkon shfuqizimin e ligjit per zonat e mbrojtura,Rama thote do t'a pershtasim me BE! He dhelper o dhelper!

    Përgjigju
  • Shkodrani: 14/07/2026 20:31

    ME LAJMET E MIRA NGA BE SI PRANIMI I TRE KAPITUJVE MORI FUN PROTESTA ISLAMIKE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Korrik, 12:01

    Si e vlerësoni vendimin e PD për të bojkotuar seancat plenare?