“Le të shfrytëzojmë potencialin e tregjeve të kapitalit, dhe t’i vëmë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”. Ky ishte mesazhi i kreut të AMF, Ervin Mete në konferencën ndërkombëtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO) për “Diversifikimin e sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”.
Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të nivelit të lartë nga Qeveria shqiptare, mbikëqyrësit financiarë, si edhe institucionet financiare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në event u diskutua për tregjet e kapitalit në Shqipëri, e cila synon të promovojë rëndësinë e zhvillimit të këtyre tregjeve si burim potencial ende i pashfrytëzuar drejt një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.
Zhvillimet aktuale gjeopolitike, por edhe situata pandemike e viteve të fundit kanë shtuar edhe më tej nevojën për likuiditet dhe akses në kapital, duke e bërë edhe më të rëndësishëm ekzistencën e një tregu të zhvilluar kapitalesh, mirë-funksionues, eficient dhe të mirë-rregulluar.
Mete shtoi se funksionimi i duhur i tregjeve të kapitalit është kyç në forcimin e ekonomisë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
“Një treg i zhvilluar ofron më shumë mundësi investimi si dhe alternativa të reja financimi. Përmes kanalizimit të kursimeve drejt sektorëve produktivë dhe novativë këto tregje nxisin zhvillimin e biznesit dhe rrjedhimisht shoqërohen me përfitime që shtrihen në të gjithë ekonominë”, tha Mete.
Ndër të tjera pretendon se me lëvizjen e lirë të kapitalit dhe ndërveprimin me tregjet e huaja, tregu shqiptar i kapitaleve mund dhe duhet të bëhet tërheqës edhe për investime në tituj nga investitorë jashtë vendit, përfshirë këtu edhe thithjen e investimeve nga diaspora shqiptare.
Ekosistemi i tregut të kapitaleve ka ende shumë hapësirë për emetues të rinj në anën e ofertës, përtej emetimit të bonove apo obligacioneve shtetërore nga ana e Qeverisë, apo emetimit të obligacioneve me ofertë private. Në këtë drejtim një listim i mundshëm i disa kompanive me kapital shtetëror apo emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporativë.
Gjithashtu, në anën e kërkesës, zhvillimi i mëtejshëm i investitorëve institucionalë, si fondet e investimit, fondet e pensioneve apo kompanitë e sigurimit do t’i jepnin më shumë hov zhvillimit të tregut. Në përfundim thotë se çështja që shtrohet është sesi të arrijmë më shpejt dhe më cilësisht zhvillimin e dëshiruar të tregjeve të kapitalit në Shqipëri dhe kjo do të diskutohet në panelet vijuese.