Fondet e IPARD/ PS rrëzon kërkesën për mocion me debat për gjetjet e OLAF! Çuçi: Ta bëjmë në vjeshtë! Bardhi: Po mbroni hajdutërinë

Mazhoranca rrëzon kërkesën për mocion me debat lidhur me gjetjet e OLAF-it dhe masat që duhet të merren. Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi iu drejtua mazhorancës se po mbron hajdutërinë.

‘T’ju vijë turp po shkelni hapur rregulloren. Po mbroni hajdutërinë. Ne ju ftojmë të marrim masa ndërsa ju mbroni vjedhjet’.

Gjatë mbledhjes Bardhi pati replika me kreu e grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi.

Gazment Bardhi: Kuvendi të analizojë gjetjet e OLAF, se çfarë nuk ka shkuar me fondet e BE dhe te marr çdo masë që mundësojmë zhbllokimin e fondeve nga BE. Prandaj edhe kërkesa për debat dhe rezoluta janë në këtë linjë. Gjithashtu kërkojmë që nëpërmjet  një komisioni të posaçëm në koordinim edhe me BE të adresojmë çdo problem.

Çuçi: Nuk jemi kundër, por mendojmë se nuk është koha e duhur. Për disa arsye, duke nisur nga fakti se raporti i OLAf, nuk është zyrtar dhe është ende konfidencial. Dhe po ashtu ka një hetim të organeve të drejtësisë. Kërkoj mirëkuptim dhe nuk jam kundër, por ta bëjmë në vjeshtë kur dhe raportet ti kemi zyrtare.

Bardhi: Kërkesa jone nuk bazohet në thashetheme. Më vjen keq që kolegu Çuçi nuk e paska si informacion, por raporti  i OLAF është publik në faqen e komisionit europian. Nuk janë thashetheme por përmbledhja zyrtare që OLAF ka bërë mbi hetimin për rastet e abuzimeve me fondet e BE. Raporti i është vënë në dispozicion autoriteteve  ekzekutive shqiptare por edhe drejtësisë. Kërkesa nuk bazohet as në thashetheme e lajme gazetash por në raportin zyrtar te OLAF. Po të ishte bazuar mbi lajme mediash do të kishim kërkuar në korrik 2023 këtë debat por kemi pritur raportin zyrtar. Është fiks momenti tani për këtë debat, një punë që padyshim do të zgjas edhe në sesionin tjetër parlamentar. Me rëndësi është që të biem dakord për debatin, pastaj kohën se kur e vendos debatin në bazë të rregullores i takon kërkuesve.

Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve njoftoi zyrtarisht disa muaj më parë se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës prej 112 milionë euro, për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

G.K/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Koçiu në konferencën për Autonominë spitalore: Standarde evropiane në shërbim të qytetarëve dhe rritje e të ardhurave për mjekët, të panegociueshme integriteti dhe transparenca

Koçiu në konferencën për Autonominë spitalore: Standarde evropiane në shërbim të qytetarëve dhe rritje e të ardhurave për mjekët, të panegociueshme integriteti dhe transparenca