Foto: Gazment Bardhi dhe Taulant Balla

Mazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë “KAYO”. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë Konferencës së Kryetarëve ka deklaruar se kërkesa e demokratëve nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore.

Sipas Ballës, nga pikëpamja përmbajtësore, kërkesa nuk individualizon një “çështje të veçantë”, siç kërkohet nga Kushtetuta, pasi objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë dhe përfshin një sërë çështjesh të ndryshme, pa përcaktuar qartë faktet konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se kompania KAYO ka shpenzuar rreth 34 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe kërkoi transparencë mbi mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve, kontratat dhe aktivitetin e kompanisë.

"Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi.

E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?! Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit ajo që kërkon PD-ja është të kenë informacion rreth kontratave të lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private

“Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro?

Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit”, përfundoi ai.

Kërkesa e opozitës u diskutua në Konferencën e Kryetareve, pas pretendimeve të ngritur nga PD lidhur me aktivitetin e kompanisë, kjo edhe pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj, ku pretendohet për trafik armësh.


Lajmi kryesor:

Sot Kuvend, 5 interpelanca në rend dite! PD: Të mos votohet drafti i PS për pagat e magjistratëve, të vijojmë me konsultimet! Rrëzohet kërkesa e opozitës për komisionin për ‘Kayo’