Konferenca e Sigurisë , një nga ngjarjet më të rëndësishme gjeopolitike, çeli siparin sot në Mynih, me fokus të ardhmen e aleancës euroatlantike dhe përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë.

Liderë nga e gjithë bota u mblodhën për ditën e parë të forumit, në një klimë të tensionuar për marrëdhëniet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në fjalën hapëse, kryetari i konferencës, Wolfgang Ischinger, foli për paqëndrueshmërinë e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ai përshëndeti praninë e delegacionit amerikan të drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili pritet të mbajë fjalën e tij të shtunën.

“Partneriteti transatlantik ka nevojë për një Europë më të fortë,” tha ai, duke shtuar se vendet europiane duhet të qëndrojnë më pranë njëra-tjetrës se më parë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz nga ana tjetër tha se rendi global i deritanishëm po shpërbëhet

“Kam frikë se duhet ta themi edhe më drejtpërdrejt: ky rend, sado i papërsosur të ketë qenë, nuk ekziston më në atë formë,  është zëvendësuar nga një panoramë shumë më e pasigurt, e formësuar nga rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe nga një vëmendje e re ndaj interesave kombëtare. Është hapur një çarje mes SHBA-së dhe Europës.” u shpreh ai.

Ai bëri thirrje për një Europë më të fortë për të rregulluar marrëdhëniet me SHBA-në duke paralajmëruar se  në epokën e re të rivalitetit mes fuqive të mëdha, askush nuk mund të ecë i

“Ne nuk besojmë te tarifat doganore dhe proteksionizmi, por te tregtia e lirë. Mbetemi besnikë ndaj marrëveshjeve për klimën dhe ndaj OBSH-së, sepse jemi të bindur se vetëm së bashku mund t’i zgjidhim sfidat globale.  Të qenit pjesë e NATO-s nuk është vetëm avantazh për Europën. Është edhe avantazh për Shtetet e Bashkuara,” tha ai, duke shtuar: “Le ta riparojmë dhe ringjallim së bashku besimin transatlantik.”

Në Mynih pritet të flasë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili kërkon lëvizje konkrete në bisedimet për paqe, ndërsa lufta me Rusinë vijon.

Vitin e kaluar, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance shkaktoi reagime të forta me një fjalim ku kritikoi politikat europiane për emigracionin dhe lirinë e shprehjes, duke shtuar tensionet mes dy brigjeve të Atlantikut.

Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një event vjetor mbi politikat ndërkombëtare të sigurisë që është mbajtur në Gjermani që nga viti 1963. Është mbledhja më e madhe në botë e llojit të vet. Në këtë konferencë marrin pjesë krerë shtetesh, qeverish dhe organizatash ndërkombëtare, ministra, deputetë, përfaqësues të forcave të armatosura, shkencës, shoqërisë civile, biznesit dhe medias. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:16
Konferenca e Sigurisë në Mynih, Merz: Hungaria vazhdon të bllokojë zgjerimin e BE-së, duhet strategji e re!

Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz

Gjatë diskutimeve në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz u ndal te zgjerimi i Bashkimit Europian, pasi presidenti i Malit të Zi ngriti pyetjen mbi ecurinë e procesit.

Merz pranoi se po ndihet “gjithnjë e më i parehatshëm” me paaftësinë e BE-së për të bërë përparim domethënës në procesin e anëtarësimit.

“Duhet të hapim një strategji të re se si t’i afrojmë këto vende me Bashkimin Europian. Nuk dua t’ju humbas,” tha ai.

Ai pranoi se ekziston “një elefant në dhomë”, pasi procesi kërkon unanimitet dhe Hungaria vazhdon të bllokojë hapa të mëtejshëm.

“Duhet ta kapërcejmë këtë,” u shpreh Merz.

Merz la të kuptohet se zgjedhjet parlamentare në Hungari, që pritet të mbahen në prill, mund të ndikojnë në ecurinë e procesit. Sipas tij, pas këtyre zgjedhjeve mund të hapen kapituj të rinj negociatash dhe vendet kandidate të afrohen më shumë me BE-në.