“Thyerja e Kornizës – Gratë e Ballkanit ri-imagjinojnë kinemanë” është konferenca ndërkombëtare që po zhvillohet në Tiranë me pjesëmarrjen e autoriteteve të fushës së artit nga shumë vende të botës.

Konferenca organizohet nga Albanian Women in Audiovisual, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe në partneritet me KUB Tirana, duke e vendosur këtë debat në qendër të reformave që po diskutohen aktualisht në vend.

Catherine Suard, Ambasadore e Francës në Shqipëri, foli për meritokraci dhe barazi gjinore në krijimtari dhe veçanërisht në kinematografi.

“Po i kushtojmë rëndësi të veçantë meritokracisë, në mënyrë që gratë të mos jenë thjesht një numër, por që forca e krijimtarisë së tyre të përcaktojë suksesin e sektorit të kinematografisë. Grave nuk u duhet të kërkojnë një vend në tryezën e kinemasë, sepse ato e kanë ndërtuar vetë tryezën e tyre.”, tha Suard.

Konferenca ndërkombëtare vjen si një përpjekje për të kaluar nga diskutimi në veprim konkret, duke synuar afrimin e politikave rajonale me standardet evropiane për barazi, transparencë dhe mbështetje strukturore për gratë në sektorin audiovizual.

Ndërsa Jonid Jorgji, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë shqiptare tha se gratë në këtë fushë në Shqipëri, por edhe në rajon përballen ende me sfida, të cilat duhen kapërcyer:

“Kornizat institucionale duhet të thyhen për të ndërtuar një të ardhme për gjysmën e shoqërisë, e cila në rajonin tonë përballet ende me një tavan të ngushtë prej 15%. Vetëm imagjinata nuk mjafton; duhet të riimagjinojmë një botë që na bashkon. Si mund ta gjejë gjysma më e mirë e njerëzimit vendin që meriton në kinema?”, tha ai.

Në të njëjtën linjë, Sabina Kodra, Drejtore Ekzekutive e Albanian Women in Audiovisual, theksoi gjithashtu përpjekjet e organizatës së saj dhe të tjera të ngjashme për ti dhënë hapësirën grave në fushën e kinematografisë:

“Shumë çmime ndërkombëtare po fitohen nga profesioniste gra në sektorin audioviziv. Kemi të njëjtin problem — mungesën e producenteve gra — por po përpiqemi të inkurajojmë më shumë pjesëmarrje. Kemi profesioniste të reja, shumë këmbëngulëse në kuptimin pozitiv të fjalës, dhe ato paraqiten në çdo thirrje. Po përpiqemi t’i mbështesim.”, tha Kodra.

Gjatë konferencës së ndarë në disa panele, regjisore dhe autoritete të tjera të fushës, në Francë e shumë vende të tjera, folën për sfidat e grave në krijimtari dhe veçanërisht në kinematografi. Ndërkohë, Shqipëria ndodhet në një moment kyç për zhvillimin e industrisë.

Një ligj i ri për kinematografinë është në përgatitje dhe parashikon për herë të parë mekanizma “tax incentive” për prodhimet vendase dhe të huaja.

Këta stimuj fiskalë synojnë të tërheqin investime ndërkombëtare, të rrisin punësimin në sektorin kreativ, të forcojnë zinxhirin lokal të shërbimeve filmike dhe ta bëjnë vendin më konkurrues në hartën e bashkëprodhimeve evropiane.