Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar një moment të rëndësisëhm Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbajtur ditën e djeshme në Bruksel.
Përmes një njoftimi, Ministria e Jashtme bën të ditur se “Konferenca mirëpriti dhe mbështeti raportin e Komisionit Evropian mbi Piketat e Ndërmjetme (IBAR), sipas të cilit Shqipëria ka arritur një nivel të mjaftueshëm progresi në Grupkapitullin 1 ‘Themeloret’ dhe miratoi edhe Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Evropian për piketat mbyllëse të këtij grupkapitulli.”
Sipas Ministrisë së Jashtme, takimi i djeshëm është një gur kilometrik në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Për Ministrinë e Jashtme, rezultatet e Konferencës Ndërqeveritare konsolidojnë më tej rrugëtimin evropian të vendit, forcojnë besimin e partnerëve tanë në vullnetin politik dhe kapacitetet institucionale të Shqipërisë, si dhe përbëjnë një investim të rëndësishëm drejt realizimit të objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:
Më 26 maj 2026, u zhvillua në Bruksel Konferenca e 8-të Ndërqeveritare në nivel ministror mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, një moment me rëndësi të veçantë në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Delegacioni i Shqipërisë u kryesua nga Kryeministri Edi Rama dhe përfshiu edhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha; Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren, Majlinda Dhuka; Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari; Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu; Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj si dhe një numër anëtarësh të ekipit negociator.
Konferenca mirëpriti dhe mbështeti raportin e Komisionit Evropian mbi Piketat e Ndërmjetme (IBAR), sipas të cilit Shqipëria ka arritur një nivel të mjaftueshëm progresi në Grupkapitullin 1 “Themeloret”. Në të njëjtën kohë, konferenca miratoi edhe Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Evropian për piketat mbyllëse të këtij grupkapitulli.
Ky zhvillim është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Ai shënon një moment historik dhe përbën një tjetër gur kilometrik në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, ai shënon njohjen e progresit të qëndrueshëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e reformave kyçe, të cilat kanë rëndësi themelore si për forcimin e demokracisë dhe institucioneve në vend, ashtu edhe për avancimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këto reforma përfshijnë forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e qeverisjes demokratike, reformën në drejtësi, rritjen e standardeve të sigurisë, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe fuqizimin e llogaridhënies institucionale. Ato përbëjnë thelbin e çdo demokracie funksionale, themelet mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Evropian dhe bazën e vizionit për Shqipërinë evropiane.
Rezultatet e këtij takimi konsolidojnë më tej rrugëtimin evropian të vendit, forcojnë besimin e partnerëve tanë në vullnetin politik dhe kapacitetet institucionale të Shqipërisë, si dhe përbëjnë një investim të rëndësishëm drejt realizimit të objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
Shqipëria është vendi i parë në procesin aktual të zgjerimit që arrin këtë etapë sipas metodologjisë së re të Bashkimit Evropian, çka i hap rrugën fazës pasuese të negociatave – atë të mbylljes së kapitujve.
Faza vijuese e negociatave do të kërkojë angazhim edhe më të madh, koordinim më të ngushtë dhe më efikas ndërinstitucional, si dhe intensifikim të punës nga të gjitha strukturat dhe grupet negociatore. Ajo do të kërkojë qëndrueshmëri e përshpejtim të reformave dhe zbatim të plotë të angazhimeve të marra.
Njëkohësisht, do të kërkojë energji dhe përpjekje shtesë si nga ekipi negociator ashtu si edhe nga aktorë të tjerë në vend, në bashkëpunimin me partnerët tanë evropianë, me synimin për të përmbushur me sukses detyrimet që lidhen me mbylljen e kapitujve, në avancimin e pandalshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian për çka, Shqipëria është e vetdijshme, e gatshme dhe mbetet tërësisht e angazhuar.
Duke përgëzuar ekipin negociator dhe të gjithë personat e përfshirë dhe të angazhuar, Ministria shprehu mirënjohje ndaj partnerëve tanë evropianë, Komisioneres Kos dhe ekipit të saj, Presidencës qipriote si dhe të gjitha vendeve anëtare, për bashkëpunimin e ngushtë, mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Lajmi kryesor:
Konferenca Ndërqeveritare, ministri Hoxha: S’do të ndalemi, të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel! Delegacioni i BE: Moment i rëndësishëm në negociata








