Konferenca u organizua dje në ditën botërore të depistimit të kancerit të gjirit, një nismë e “A1 Report” e “Shqiptarja.com”.
Në takimin ndërkombëtar sensibilizues, i cili është moderuar nga gazetari, Carlo Bollino, ka marrë pjesë si i ftuar nderi kryeministri i vendit Edi Rama, si dhe kreu i ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Beqja. Aktiviteti i djeshëm, i cili ka kulmuar fushatën sensibilizuese që ka ndërmarrë gjatë gjithë muajit tetor “Shqiptarja.com dhe “A1 Report”, është organizuar në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, Shërbimin Onkologjik në QSUT, Shoqatën e Onkologëve të Shqipërisë, Institutin Evropian të Onkologjisë në Milano (IEO) nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri Beqaj nuk i ka kursyer akuzat ndaj INSTAT, i cili ka manipuluar shifrat e vdekshmërisë, ndërsa ka dhënë edhe plot lajme të mira: duke filluar që nga zhbllokimi i specializimeve të mjekësisë, shtrirja e skemës së mbulimit të sigurimeve shëndetësore edhe në sektorin privat si dhe mbërritja e akseleratorit linear, fjala e fundit e teknologjisë, në luftën kundër kancerit, pranë spitalit Onkologjik në QSUT. “Informacionet më të fundit publike për vdeshmërinë nga INSTAT janë të vitit 2010 dhe në 2010 vdekshmëria, kundrejt 2009, ka rënë me 23%. Në mënyrë naive ky është një lajm shumë i mirë.
Kam parë 10 grupimet kryesore të sëumdjeve dhe çuditërisht duket sikur një dorë e caktuar i ka ulur me 23% të gjitha sëmundjet, përveç atij grupit të fundit që janë sëmundje që nuk dihen shkaqet, grup që për mua po përdoret si një lloj koshi, ku mjekë apo struktura të ndryshme që duan të fshehin realitetin në një vdekje i çojnë atje. Për mua këtu INSTATI ka pjesën e vet përse i boton, por ata shifra i prodhojmë ne. Nëse ne arrijmë që një ngjarje të shëndetit ta regjistrojmë vetëm një herë, atëherë kur ndodh dhe aty ku ndodh, besoj se mund t’ia dalim që deri në piramidë të kemi një sistem koherent. U fol për personelin e pakualifikuar mjekësor. Po është e vërtetë dhe për më tepër ka dy-tre vjet që edhe specializimet në universitetin mjekësor, janë bllokuar. Unë besoj se shumë shpejt, brenda këtij janari do t’i zhbllokojmë dhe kështu do të plotësojmë edhe nevojat tona të përditshme. Nëse sot numri i mamografive në sistemin shëndetësor privat është më i madh se sa në publik, në fund të fundit ata janë pasuri e sistemit shëndetësor dhe ne jemi të gatshëm që të shfrytëzojmë të gjitha muëndësitë që ekzistojnë.
Qëllimi ynë i përdorimit të parasë publike, nuk është vetëm të shpenzosh para në një qendër shëndetësore publike dhe jo tek jopublikja. Një lajm i mirë. Unë jam 100% i sigurtë se më 21 tetor 2014 në spitalin Onkologjik do të jetë instaluar akseleratori i parë linear, kredia do të kalojë në parlament, për bunkerin e kemi dhe do të kalojë në buxhetin e ardhshëm, projekt idea është gati, ekspertët janë. Kemi në Shqipëri eksperiencë, mjekë të aftë, kemi edhe gadishmërinë të institucioneve ndërkombëtare dhe specifikisht atyre të Italisë që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm këto 23 vite, që na mjaftojnë të jemi të vendosur në reformat në sistemin shëndetësor”
TE FUNDIT TE SHKENCES PER GJIRIN: MJEKE ITALIANE TE IEO I TREGOJNE NE TIRANE
Diagnostikim i shpejtë, një terapi e përshtatshme, por edhe respekt për cilësinë e jetës së gruas së sëmurë dhe ruajtjen e feminilitetit të saj. Këto janë parametrat mbi të cilat bazohet formula e Institutit Europian të Onkologjisë (IEO), struktura shëndetësore me seli në Milano që drejtohet nga Profesor Umberto Veronesi, që është në pararojë në botë për luftën kundër tumoreve e veçanërisht të tumorit të gjirit.
Si përfaqësues të IEO në Tiranë në konferencën “Të luftosh kancerin e gjirit, mundet! Mjafton të duash” ishin doktoresha Giovanna Maria Gatti, senologe dhe eksperte komunikimi, e cila lexoi edhe relacionin e Prof. Alberto Luinit (duhet të ishte i pranishëm, por i bllokuar në Milano për shkak të temperaturës së lartë pas një viroze) dhe doktor Stefano Martella, nëndrejtor i Departamentit të Kirurgjisë rindërtuese dhe plastike.
Si Gatti, ashtu dhe Martella referuan dhe ilustruan principet mbi të cilat bazohet formula e IEO-s në luftën kundër kancerit të gjirit me të gjitha të rejat më të fundit të shkencës.
DIAGNOSTIKIM I SHPEJTE
“Vetëprekja nuk mjafton – tha doktoreshë Gatti – sepse për të arritur maksimumin e mjekimit të kancerit, duhet ta zbulosh kur është akoma në një fazë që nuk dallohet me prekje, as nga mjeku: pra duhen bërë analiza laboratorike që janë mamografia dhe ekografia dhe shpesh që të dyja së bashku”. Nëse kanceri i gjirit zbulohet kur është akoma më i vogël se 1 centimetër, mundësitë e shërimit total shkojnë deri në 97 %.
KIRURGJI JO RADIKALE
Ekspertët e IEO, dhe për këtë prof. Umberto Veronesi është i pari në botë që e ka shpikur, janë të sigurtë se ndërhyrja në gjoks nuk duhet të jetë radikale. Pra nuk vlen të hiqet i gjithë gjiri (mastektomi) por mjafton të heqësh vetëm një pjesë (kuadraktomi) për të pasur të njëjtat mundësi shërimi. Ndërsa në Shqipëri, në 80 përqind të ndërhyrjeve janë vetë gratë (shpesh me presione të familjarëve) të pretendojnë mastektomi radikale, duke besuar se në këtë mënyrë mund të shërohen më mirë: mjekët italianë të pranishëm në konferencën e djeshme, treguan se kjo bindje është e gabuar. Sigurisht që dëmet estetike që një grua pëson pas një ndërhyrje kuadraktomie janë shumë më të vogla sesa dëmet e shkaktuara nga mastektomia.
GJENDRAT LINFATIKE TE HIQEN VETEM KUR ESHTE E DOMOSDOSHME
Vite më parë, kur një grua zbulonte se kishte kancer, bashkë me gjirin i hiqeshin dhe të gjitha gjendrat linfatike të sqetullës, heqje që shkaktonte probleme të forta në jetën e përditshme të gruas gjatë gjithë jetës. “Sot në IEO, hiqen vetëm kur është absolutisht e nevojshme”, shpjegoi doktoresha Gatti. Për të zbuluar se kur hiqen dhe kur jo, kryhet një analizë në kohën e operacionit duke kontrolluar gjëndrën e parë të të gjithë zinxhirit të gjendrave (e ashtuquajtura gjëndër sentinele – roje) dhe vetëm nëse kjo gjëndër është kapur nga qelizat kancerogjene, atëherë hiqen dhe të tjerat. Nëse gjendra-roje është e shëndetshme, operacioni përfundon duke shmangur për gruan vështirësi të panevojshme. Në Shqipëri, kjo praktikë kryhet vetëm prej një viti, por vazhdon akoma të jetë shumë e përhapur praktika e heqjes të të gjitha gjëndrave pa dallim.
RADIOTERAPI GJATE OPERACIONIT
Për të zvogëluar akoma më shumë vështirësitë e gruas së operuar nga kanceri i gjirit, në IEO radioterapia (e domosdoshme për “të djegur” qeliza tumorale që mund të kenë mbetur) kryhet, atëherë kur është e mundur, që gjatë operacionit dhe kjo i shmang gruas që të bëjë radioterapi tradicionale që zakonisht zgjat gjashtë javë dhe që mund të sjellë veç dëmeve estetike, edhe shumë vështirësi. Në Shqipëri, kjo taktikë radioterapie gjatë operacionit nuk ekziston dhe ajo radioterapi që kryhet në strukturat publike bëhet me aparate shumë të vjetër (kobaltoterapia) që i sjellin dëme anësore gruas shumë më të mëdha se ato të aparateve të viteve të fundit (akseleratorët), deri tani të pranishëm në Shqipëri (me pagesë) vetëm në disa klinika private.
RINDERTIMI I GJOKSIT GJATE OPERACIONIT
Një risi tjetër e përshkruar nga doktor Stefano Martella dhe në shumë raste e praktikuar në IEO (si dhe në shumë spitale të specializuar europianë) është ajo e zëvendësimit të gjirit të hequr gjatë një mastektomie radikale, me një protezë artificiale direkt gjatë ndërhyrjes. Në këtë mënyrë, gruaja e operuar nga kanceri në gji zgjohet nga operacioni kirirgjikal pa traumën e një gjoksi të munguar. Në Shqipëri është një praktikë ende e paaplikuar.
Dr. Martella tregoi të gjitha teknikat e disponueshme sot në mjeksi për të lejuar rindërtimin e gjirit të operuar nga kanceri, duke nënvizuar rëndësinë psikologjike për një tutelim edhe estetik të gruas së sëmurë.
“Nëse një grua kupton se të sëmuresh me kancer në gji do të thotë edhe të vazhdojë të ruajë edhe pas një ndërhyrje kirurgjikale bukurinë dhe feminilitetin – konkluduan mjekët e IEO-s – atëherë është më e lehtë të bindet për të kryer kontrolle parandaluese, dhe të përballojë eksperiencën onkologjike me më pak frikë, duke mësuar se sa më parë të zbulohet kanceri, aq më e lehtë është të shërohet përgjithnjë”.
Alberto Luini
I ftuar në këtë takim, ishte edhe Drejtori i Departamentit të Senologjisë në Institutin Europian të Onkologjisë, Alberto Luini. Përmes një letre ai shprehu keqardhjen që nuk ishte i pranishëm në Shqipëri, ndërsa falenderoi organizatorët e këtij takimi. “Iniciativa juaj është shumë e rëndësishme. Duhet kujdes maksimal për kujdesin ndaj gruas dhe sëmundjes së kancerit të gjirit. Veçanërisht falenderoj Alba Malltezin dhe Carlo Bollinon për këtë nismë dhe do ta kenë gjithmonë ndihmën time në luftën ndaj kancerit të gjirit”
Giovana Maria Gatti
Shkrimtare, radiologe dhe Përgjegjëse e marrëdhënieve me Publikun në Institutin Europian të Onkologjisë, ajo ka deklaruar se ka shumë rëndësi edhe metodologjia që përdoret. Sipas saj nëse gruaja e di që kancer gjiri është i barabartë me heqjen e gjirit, atëherë ajo ngurron të shkojë të bëjë ekzaminimet, ndaj duhet ecur me hapin e të tjerëve në këtë drejtim.
Shkrimi u publikua sot (22.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)