SHKUP - Nënshkrimi i dokumentit paqësor 13 vjet më parë, e njohur ndryshe si marrëveshja e Ohrit ka mbledhur këtë të mërkurë ekspert dhe diplomatë, por me mungesa të aktorëve kryesor, si kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi theksoi se është e nevojshme që të këtë transparencë gjatë implementimit praktik të marrëveshjes, si një obligim dhe përgjegjësi në rrugën drejt integrimit.

“Këtu gjithmonë jemi përballur me dallime metodologjike, nga njëra anë mund ta trajtojmë Marrëveshjen e Ohrit përmes parametrave të saj kuantitativ dhe të shohim sa për qind e përfaqësimit të barabartë është arritur. Fotografinë e vërtetë gjatë implementimit të Marrëveshjes së Ohrit mund ta fitojmë vetëm nëse bëjmë analizën cilësore të parametrave të saj dhe sa është ajo e suksesshme në ndërtimin e besimit në ato institucione, sidomos në institucionet e sigurisë dhe ato të jurisprudencës”. tha Xhaferi

Edhe pas 13 vitesh ka ndarje mes shqiptarëve dhe maqedonësve, deklaroi ambasadori i SHBA-së në Shkup Poll Volers, i cili i bën thirrje partive politike që të punojnë për tejkalimin e këtyre dallimeve.

“Më duhet të theksoj se në asnjë mënyrë nuk duhet të injorohen ndasitë, të cilat ekzistojnë mes etniteteve meqë ata paraqesin rrezik për të ardhmen e vendit” theksoi Volers

Në një tjetër aspekt e sheh marrvëshjen politikani shqiptar Tritan Shehu. Sipas tij Marrëveshja e Ohrit mbetet shtylla kryesore në bazë të të cilit duhet të ndertohet shteti demokratik.

“Shqipërisë, rajonit, Evropës, i duhet një Maqedoni stabile për t`u integruar në strukturat euro-atlantike. Kjo është një nevojë për të gjithë, por në fund të fundit është një domosdoshmëri për këtë vend” u shpreh Shehu

Marrëveshja paqësore nuk duhet parë si një listë detyrash të parëndësishme, po si një përgjegjësi e të gjitha etniteteve nënvizoj Vllado Popovski , një nga hartuesit e marrëveshjes së Ohrit 

“Marrëveshja e Ohrit nuk është listë e detyrave, me të cilën përfundon rëndësia e saj. Ajo ka një dinamikë, ka një proporcion me praninë e të gjitha bashkësive etnike, edhe pse nuk ka rezultate të barabarta në sfera të caktuara” tha ai

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001,e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)