SHKODËR- Report Tv mëson se janë konfirmuar 2 raste ri-infektimi në qytetin e Shkodrës. Bëhet fjalë për 2 persona të moshës 40 dhe 50 vjeç.
Mësohet se ato kanë bërë testin dhe kanë rezultuar për të dytën herë pozitiv me këtë virus. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja raporton se këta dy persona kishin rezultuar pozitiv 6 muaj më parë, por kanë shfaqur sërisht simptoma si temperaturë e lartë, dhimbje gjymtyrësh. Për pasojë, kanë bërë sërish tamponin ku përgjigja ka qenë pozitive. Aktualisht gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Më herët, në konferencën për media, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ceku rastin e ri-infektimeve sipas së cilës janë shtuar rastet dhe dyshimet tha se bëhen fjalë për variantin e ri të COVID.
Shkodra është një ndër qarqet më të prekura, ku gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar pozitiv me COVID 32 qytetarë. Aktualisht në këtë qark janë 1544 raste aktive. Gazetari Ergys Kavaja raporton se qytetarët kanë neglizhuar totalisht masat anti-COVID. Ajo që vihet re është se mbajtja e maskës apo distancimi social zbatohet vetëm në institucione, aty ku është e detyrueshme pasi në të kundërtën nuk merret shërbimi, ndërsa në ambiente të tjera, sjellja e tyre është sikur COVID të mos ekzistojë.