Konflikti, bllokimi i Vettingut
nga PD alarmon SHBA dhe BE

Konflikti, bllokimi i Vettingut<br />nga PD alarmon SHBA dhe BE
Rikthehet konflikti mes Perëndimit dhe opozitës shqiptare për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Bllokimi i procesit të Vetingut nga Partia Demokratike, me anë të bojkotit të Kuvendit, ka alarmuar si dhe ka vënë edhe një herë në lëvizje përfaqësitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë.

Pas një beteje epike për ta rrëzuar në Komisionin e Venecias dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike ka nisur lëvizjen e tretë për bllokimin dhe shtyrjen e procesit të Vetingut, i cili rrezikon shpërbërjen e sistemit aktual të drejtësisë.

Pavarësisht investimit historik të faktorit ndërkombëtar, mbështetjes nga shumica e shqiptarëve dhe konfirmimit të ligjshmërisë së procesit nga Gjykata Kushtetuese, Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votimin e kandidatëve për organet e Vetingut, pasi për të, parësore është garantimi i zgjedhjeve të lira. Në këtë kuadër, zhbllokimin e Vetingut, opozita po e përdor si presion dhe kusht për mundësimin e qeverisë teknike ose për të marrë ndonjë garanci se nuk do të preket nga institucionet e reja antikorrupsion.

Situata merr një dimension edhe më serioz në kushtet kur nga zbatimi i Vetingut kushtëzohet jo vetëm ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por edhe e institucioneve të tjera të drejtësisë, të cilat rrezikojnë të shtyhen pas zgjedhjeve të 2017.

Në këto kushte, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin kanë zbarkuar dje në zyrën Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Sipas njoftimit të Presidencës, kryefjala e takimit ka qenë pikërisht ushtrimi i detyrave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të mbikëqyrë procesin e Vetingut të rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pas deklaratave të para kundër bojkotit, në ditët në vijim, faktori ndërkombëtar pritet të përshkallëzojë qëndrimet ndaj opozitës, për ta detyruar këtë të fundit t’i hapë rrugë zbatimit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi në tërësi.

Ja si po e bllokon PD Vetingun
Institucionet e Vetingut nuk mund të konstituohen kurrsesi pa konsensusin e Partisë Demokratike. Nenet 8, 9, 10 dhe 11 të ligjit të Vetingut e bëjnë të domosdoshme rolin e opozitës në këtë proces. Konkretisht, neni 8 i ligjit parashikon që Kuvendi, brenda 3 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e një komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, si dhe procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve dhe realizimin e procesit të votimit, sipas këtij neni dhe nenit 9 të këtij ligji. Pra, ligjit parashikon pjesëmarrjen e opozitës, duke mos përcaktuar asnjë rrugëzgjidhje në rast bojkoti.

Mesazhi i Nishanit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë takimit me ambasadorët, ka mbështetur shqetësimet për paligjshmërinë e Bordit të ONM. Nishani ka kërkuar që të respektohet Kushtetuta. “Presidenti Nishani theksoi se e konsideron shumë të rëndësishme mbështetjen konsensuale edhe të fazës së zbatimit të kësaj reforme, duke iu përmbajtur detyrimit të të gjitha palëve për të respektuar në germë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE në realizimin e kësaj reforme përmes një procesi të paanshëm, ligjor dhe të besueshëm për qytetarët shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Pamje dramatike/ Stuhitë e shiut përmbytin ishujt Majorca në Spanjë, evakuohen banorët (VIDEO)

Pamje dramatike/ Stuhitë e shiut përmbytin ishujt Majorca në Spanjë, evakuohen banorët (VIDEO)