Pas paralajmërimit publik të ministrit Enea Karakaçi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës u ka kërkuar zyrtarisht dy kompanive që kanë marrë përsipër ndërtimin e Aeroportit të Vlorës të zgjidhin ngërçin mes tyre, në mënyrë që të vijojnë punimet për përfundimin e veprës.

Përmes një shkrese zyrtare të firmosur nga ministri Karakaçi, kompanive u është lënë një afat prej 30 ditësh për të gjetur një zgjidhje që do të mundësojë mbylljen e punimeve dhe vijimin normal të projektit, ndryshe paralajmëron prishjen e kontratës.

Në kontratën e projektit thuhet qartë se "koncesionari është tërësisht përgjegjës për veprimet, vonesën dhe pakujdesinë" që lidhen me zhvillimin e projektit. Ndaj, ministria i referohet edhe parashikimeve të tjera kontratës, konkretisht pikës 15.4, e cila përcakton të drejtën e Autoritetit Kontraktues për zgjidhjen e kontratës në rast të mosrespektimit të afateve dhe detyrimeve.

"15.4 
Autoriteti Kontraktues do të ketë të drejtë të zgjidhë parakohe këtë Kontratë në rast se do të ndodhet në ndonjë prej rrethanave të mëposhtme, e cila nuk eshte rrjedhoje e një veprimi ose mosveprimi te Autoritetit Kontraktues:

D) Nëse Data e Operimit nuk ka ndodhur në një datë e cila do të jetë 90 ditë pas Datës së Synuar të Operimit, periudhë e cila nuk mund të zgjatet përveçse në përputhje me dispozitat e kësaj Kontrate",- thuhet në kontratë.

Kompania ‘Mabco’ e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli ka fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë për çështjen e aeroportit të Vlorës duke fituar edhe kontrollin mbi këtë të fundit që është kthyer në mollë sherri mes ortakësh dhe që çoi në bllokimin punimeve atje.

Kolegji civil i Gjykatës së Lartë ka vendosur të rrëzojë padinë e bërë nga shoqëria "2A Group" e drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.

Më herët dy gjykatat e faktit i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër ‘Mabco’ deri sa vendimi të merrte formë të prerë.

E gjithë përplasja ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”. Çështja përfundoi në gjykatë, ku fillimisht u pezulluan disa të drejta të “Mabco”, ndërsa më pas Apeli kufizoi të drejtën e votës së kompanisë vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e aksioneve të pretenduara nga “2A Group”.

Konflikti u thellua pas një kontrate kredie 100 milionë euro të marrë nga “Mabco” me fondin “Delphos”, duke bërë që “2A Group” të kërkonte pezullimin e administrimit dhe përjashtimin e ortakut nga shoqëria. Gjykatat e shkallëve më të ulëta i dhanë të drejtë përkohësisht kompanisë së Ademit, por Gjykata e Lartë riktheu kontrollin e aeroportit tek “Mabco”.