Ndërmjetësuesit nga Katari janë kthyer këtë të premte në Teheran, në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Lajmin e raporton Reuters që citoi një zyrtar të informuar mbi bisedimet.

Sipas tij, negociatat ndërmjetësuese janë koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Katari i ka paraqitur Iranit të dielën një draft të planit të paqes, sipas zyrtarit I cili megjithatë është kundërshtuar nga një zyrtar i lartë iranian që i ka cilësuar propozimet si të papranueshme, duke deklaruar se Teherani do të ruajë qëndrimin e tij lidhur me programin bërthamor.

Uashingtoni kërkon që çështjet bërthamore të përfshihen që në fillim të negociatave, ndërsa Teherani kërkon që SHBA-ja fillimisht t'i japë fund bllokadës së porteve iraniane dhe të heqë sanksionet ndaj eksporteve të naftës.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, deklaroi të mërkurën se Teherani vazhdonte të mbante kontakte të ngushta me ndërmjetësuesit, për të shqyrtuar propozime që mund të garantonin zbatimin e planit të vet shtatëditor, që synon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Ndërkaq, të enjten, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kontaktet e zëvendëspresidentit JD Vance me Iranin kishin të bënin me furnizimet mjekësore.

Deklarata erdhi pas raportimeve të mediave amerikane, të cilat i kishin lidhur këto kontakte me përpjekjet për të rifilluar negociatat e paqes.