Kongresi vendos: Më 9 prill
referendum për kreun e PS

Kongresi vendos: Më 9 prill<br />referendum për kreun e PS
Kongresi i Partisë Socialiste ka miratuar propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, për mbajtjen e një referendumi për çështjen e mandatit të tij në krye të PS.

Kërkesa e hedhur në votim nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka marrë vetëm 6 vota kundër, përfshirë edhe votën e deputetëve Arta Dade e Fatmir Xhafaj.  
 
Po me votën e delegatëve të Kongresit, u vendos data 9 prill, ditë e shtunë, për referendumin e anëtarësisë së Partisë Socialiste, për çështjen e mandatit të kryetarit të saj, Edi Rama. 

"Të hedhim në votim kërkesën për referendum. Atëherë janë 6 vota kundër. Data e referendumit, në prill. Do të jetë data 9 prill, ditë e shtunë. Miratohet!", u shpreh Ruçi.   

Kundër referendumit u shprehën dhe anëtarë të tjerë të PS, përveç kritikëve. Gjatë diskutimit në Kongres, kreu i grupit të punës për hartimin e ndryshimeve statutore, Fatmir Xhafa, tha se miratimi i statutit të ri ka mbyllur çdo diskutim tjetër. "Duhet hequr dorë nga ideja e referendumit. Statutin o e keni votuar, o s’e keni votuar. Nga sot, përgjigjen e ka dhënë Kongresi. Nga dita e sotme, të gjitha strukturat e PS, zgjidhen me këtë statut. S’ka tjetër diskutim, këtu mbarojnë diskutimet. Kongresi duhet t’i bëjë qejfin statutit që e miratoi", u shpreh Xhafa.
 
Kësisoj, do të jetë vota e anëtarësisë socialiste që do të përcaktojë të ardhmen e debatit të ndezur tashmë në PS, mbi mandatin e kryetarit të PS, nëse do të duhet të ketë zgjedhje apo jo. 

holli i kongresit
(Holli i Pallatit të Kongreseve ku po zhvillohet Kongresi i PS)

Kongresi miraton statutin e ri, s'merren parasysh propozimet për zgjedhje në PS
Kongresi Kombëtar i Partisë Socialiste, ka miratuar pas orëve të tëra diskutimesh, projektstatutin e ri të partisë.Tre kanë qenë votat kundër kushtetutës së re të socialistëve, Ben Blushi, Petrit Ago dhe Maqo Lakrori.Ndërsa propozimet e Lëvizjes për Demokratizimin e PS, të kryesuar nga deputeti Ben Blushi dhe anëtari i Asamblesë Kombëtare, Maqo Lakrori, nuk janë marrë parasysh.

Edhe propozimet e deputeteve Arta Dade dhe Mimoza Hafizi, që Kongresi të niste administrimin e kandidaturave për kryetar të PS, sipas parimit “një anëtar, një votë”, nuk janë marrë në shqyrtim.

Por, nga ana tjetër, Dade ka refuzuar të votojë statutin e ri, ndërsa Hafizi s’ka qenë e pranishme në sallë gjatë votimit. 

Më herët, deputetja e PS, kërkoi ndryshimin e dy neneve në statutin e ri, për të bërë të mundur çeljen e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri. “Propozoj ndryshime ne nenin 5 të statutit si vijon: Raporti nga përfaqësia e kongresit lidhur me administrimin e kandidaturave për kryetar të PS. Të shtohet pika 7-ë, zgjedhja e kryetarit të PS sipas parimit një anëtar, një votë. Është kjo kërkesa jonë, e dy deputeteve Arta Dade dhe Hafizi. Jemi ende në kufijtë e zbatimit të statutit që kemi para se të ndryshohet. Të zbatojmë këtë që kemi dhe të miratojmë statutin e ri. Është ende në fuqi statuti që kemi miratuar në Kongresin e fundit”, u shpreh Dade.

Kryetari i PS, Edi Rama i kërkon Kongresit referendum për mandatin në krye të PS
Kryetari i PS, Edi Rama i kërkoi Kongresit sot miratimin e propozimit të tij për mbajtjen e një referendumi në anëtarësinë e PS, për çështjen e mandatit të tij. Rama tha se mandati i tij duhet të ishte zgjidhur 2 vjet e gjysmë më parë, por tha ai, atëherë çështja nuk u ngrit nga askush. “Sot po flasim duhet votuar apo s’duhej votuar, sot që jemi 2 vjet e gjysmë pas afatit, ndërsa nuk u votua 2 vjet e gjysmë më parë, për arsye të qarta, të shpjeguara e të kuptueshme. Dhe për më tepër, që nuk u ngrit si çështje nga askush, as nga brenda partisë, e as nga jashtë. Arsyeja pse nuk u votua atëherë, lidhej drejtpërdrejt me pamundësinë për t’i hyrë një procesi zgjedhor në parti krejtësisht të pakuptimtë, pasi sapo kishim marrë detyrën dhe kishim marrë detyrën në kushte dramatike për vendin që s’ka nevojë ta përsërisim këtë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, partitë që e zgjedhin kryetarin me parimin një anëtar, një votë, janë parti të cilat kryetarin e kanë automatikisht edhe Kryeministër, në rastin kur fiton zgjedhjet. “Megjithatë, pavarësisht aspektit politik, ka edhe një aspekt formal, për të cilin ne, unë, ju, s’ka rëndësi, nuk morëm masa që në momentin e parë. Aspekti formal, për të mos krijuar një situatë si kjo e cila është artificiale, por është e mbështetur në një formalizëm. Pra, nuk morëm që në fillim masa, që një statut të përgatitur në opozitë dhe pa paparashikuar deri në fund kushtet në qeverisje, ta modifikonim siç e modifikuam sot dhe siç e kanë jo vetëm laburistët, por edhe konservatorët në Britani, si dhe laburistët irlandezë, parti të tjera në veriun e Europës, gjithmonë kur flitet për parti të mëdha që janë alternativa pushteti. Pra, vota e marrë për të qeverisur është e barazvlefshme me ratifikimin e mandatit të kryetari të partisë”, theksoi kreu i PS.
 
Për të shuar debatin e brendshëm në PS, tha Rama, ai i drejtohet Kongresit që të miratojë propozimin e tij për referendumin. “Është anëtarësia që duhet ta ndajë këtë muhabet të stisur. Janë ata që duhet të thonë me votën e tyre nëse duhet të vazhdojmë duke konfirmuar mandatin mbi bazën e statutit të ri. Nëse ata nuk do ta konfirmojnë mandatin mbi bazën e statuti, sigurisht që bujrum, të bëjmë zgjedhje në parti, të bëjmë një muaj punë që nuk është puna jonë sot. Puna jonë sot është qeverisim. Kështu që, ju kërkoj që Kongresi të japë miratimin që kjo çështje të mos jetë një çështje debati me alibia, me sebepe që bëjë mu, dhe as një çështje argumentesh që nxjerrin njëri-tjetrin, por të jetë një çështje që e zgjidhin me votim të gjithë socialistët në të gjithë vendin. Pra, një referendum demokratik brenda partisë, që rikonfirmon atë që ne jemi, që pavarësisht shumicës nga cepi në cep i kësaj salle, nuk i imponohemi një pakice sado të vogla, por japim mundësi, edhe asaj pakice që të ndjehet mirë. Kam kundra shumë nga kolegët, për arsye tërësisht të kundërta me arsyet e kolegëve që thonë se këtu po bëhet hataja, por do t’ju lutesha që të mos e kalojmë këtë moment, duke e mbyllur me një votë tiranike në këtë Kongres. T’u japim mundësi të gjithëve dhe marrim përgjigjen jo nga lart, por nga poshtë, nga të gjithë socialistët", ka thënë Rama.

edi rama

Blushi: Kjo që ndodhi sot, privatizim i PS-së
Ben Blushi kundërshtoi dhe njëherë tjetër propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, për referendumin. Sipas tij, kjo është një përpjekje e kreut të PS, për t’i ikur zgjedhjeve.

“Referendumi nuk bëhet për njerëz. Zgjedhjet bëhen për njerëz. Ne sapo e votuam statutin që s’ka fuqi prapavepruese. Nuk kam votuar kurrë dot një ligj që efektet e të cilit fillojnë sot, por në fakt efektet fillojnë dje, pardje, para 3 vitesh. Ky statut hyn në fuqi për zgjedhjet e ardhshme dhe për çdo normë tjetër që ato sanksionon. Ne po ndërtojmë një normë e cila anulon në vitin 2016, zgjedhjet që duhet të ishin bërë në vitin 2013-ë. Është thënë se s’patëm kohë, por askush nuk e pengonte këtë Kongres, Asamblenë, Kryesinë e PS të mblidhej në atë kohë. S’patëm mundësi se kishim reforma? Pse s’bëmë Kongresin atëherë? Asamblenë? Kryesinë? Është një cenim i dinjitet të gjithë ju. Kush i fiton zgjedhjet kryetari i PS, apo partia? Angela Merkel ka 16 vjet në krye të Partisë. Por, çdo dy vjet bën zgjedhje në parti. Nëse atë e rrëzon partia, ajo s’është më kryetare e partisë dhe as Kancelare. Është Tony Blair, fitoi zgjedhjet në Britaninë e Madhe, partia u mblodh pas 2 vitesh dhe partia itha se s’do jesh më kryetar jonë dhe s’do jesh më kryeministri jonë. Vijmë te referendumi. Çfarë do të thotë referendum? Që të zëvendësojë zgjedhjet? Ja ku po ia them në sy, referendumi bëhet në bazë anëtarësie dhe votojnë, pyetja është pikëpyetje e madhe, votojnë këta, çfarë ndryshimi ka që mblidhen 100 mijë vetë, votojnë një pyetje dhe nuk votojnë dy njerëz?Prandaj, e konsideroj antistatutor, të paarsyeshëm, të papranueshëm, e konsideroj një hile për t’i ikur garës brenda PS. Ka 3 vjet që ndodh kjo. Se kush është stërshumica dhe pakica, ka vetëm një mundësi verifikimi, të bëjmë zgjedhje. Jam dakord, zgjedhje për kryetarin e partisë dhe referendum për statutin. Në këtë sallë u tha se u votua statuti në parim dhe nen për nen e miraton grupi i punës, i cili erdhi në Kongres nga Grupi i Punës. Kjo do të thotë, në parlament votojmë ligje, por jo një ligj në parim, e votojmë në parim dhe nen për nen. Ditën që kjo ka për të ndodhur në Parlament, kemi të bëjmë me një anomali kushtetuese. Na u hoq e  drejta për të votuar statutin", u shpreh Blushi.

Ai theksoi gjithashtu se pas votimit të statutit të ri të PS pa marrë në shqyrtim propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve, PS është privatizuar. "Ky është privatizim i një partie. Edi Rama nuk është çështje. Përsa kohë s’ka zgjedhje, kjo parti po ngre pikëpyetje. Ne kemi propozuar një pikë, që thotë se sipas statutit në fuqi,ky Kongres përcakton dhe hap datën e zgjedhjeve për kryetarin e partisë, s’u fut fare në rendin e ditës”, theksoi Blushi.

Ndërhyrja e tij, pas miratimit të statutit të ri të PS, u prit me kundërshti nga delegatët e pranishëm në Kongres. 

blushi

Vangjush Dako: S’mund të diskutojmë statutin se do Blushi të bëhet kryeministër
Anëtari i Asamblesë së PS dhe njëherazi kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh se s'mund të diskutohet statuti se deputeti Ben Blushi kërkon të bëhet kryeministër. Ai tha se neni 92 i statutit shfuqizon statutin e 2011-ës. “Neni 92 i statutit të ri thotë se statuti i 2011-ës, është shfuqizuar. Pak më parë, me 3 vota kundër, e miratuam statutin dhe për mua statuti është i miratuar. Dhe pastaj, fjala e kryetarit që do të bëjmë referendum, më duket se do t’i bëjë qejfin Blushit. Statuti nuk përmban referendumin. Nëse duan të largojnë kryetarin, grupi parlamentar dhe anëtarësia, mund ta shkarkojë. S’mund të diskutojmë statutin se do Ben Blushi të bëhet Kryeministër. Kemi gjithë këtë kohë që merremi me statutin, se statuti të bën kryeministër, s’të bën statuti por vota e popullit”, tha Dako. 

dako

Edi Rama: Çështja është tek një axhendë personale 
Po të ishte për mua, do bëja zgjedhje në PS sa herë të ndërronte stina. Por do të ishte papërgjegjshmëri që në vitin 2013, tu thoshim shqiptarëve se, prisni tani, na dhatë 1 milionë vota, por ne kemi dhe një punë tjetër, sepse duhet të merremi pak me mandatin e kryetarit të partisë. Do të ishte një absurditet dhe për këtë s’i shkoi mendja askujt, qoftë edhe formalisht. E kjo duhet të ishte zgjidhur atëherë. Sot, çështja është tek një axhendë krejtësisht personale. Edhe këto axhenda, duhen, në mos respektuar, së paku, jo përjashtuar nga debati. Pra, nëse në këtë debat, i gjithë debati ngrihet mbi një qëllim të hapur për të rrëzuar qeverinë e PS, dhe për këtë, vihet përpara një sebep formal, i quajtur parimor, ne s’merremi me qëllimin e hapur, por me sebepin, atëherë respekti për sebepin e kërkon t’i shkojmë deri në fund demokratikisht. Pasi për ndryshe, e keqja është se ndodh ajo që kërkohet, që ky debat të mos mbarojë e të bëhet i lodhshëm për njerëzit dhe të cenojë PS-në. Ta mbyllim këtë debat midis nesh”. 

Ruçi, Blushit: Në 2013-ën donim të dy Ramën kryeministër 
Kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi është drejtuar deputetit Ben Blushi se në 2013-ën, të dy ata donin që Partia Socialiste të fitonte zgjedhjet dhe Edi Rama të zgjidhej Kryeministër i vendit. “Problemi nuk është statusor, por politik. Dhe duhet t’i japim përgjigje politike problemit, edhe statusore. Nuk duhet të marrim statutin si një të vetëm, se po kaq statusore është neni kur flitet për kryetarin, ku thotë se kryetari në rast fitoreje, është automatikisht kryeministër. Kjo është statusore. Po të jetë për mua, e kam thënë që atëherë që të bënim zgjedhje për kryetar, askush nuk e kërkoi këtë, sepse vërtetë ishte një formalitetit. Se ky popull votoi këtë njeri dhe këtë parti, që ky është ishte kryeministër. Dhe vërtetë ishte formalitet. Edhe debati që ka prapaveprim neni që miratojmë, nuk qëndron. Neni i votuar, që kryetari është automatikisht kryeministër. Ka mocion mosbesimi nga 1/3 anëtarëve, nga asambleja kombëtare nga delegatët e kongresit, t’i bëjmë mocion mosbesimi Edi Ramës, tek anëtarësia për ta hequr si kryetar. Nuk ka asnjë mocion të tillë. Nuk ka skaduar mandati,në 2013-ën, edhe unë e ti Blush, kemi kërkuar që me këtë statut kjo parti të vijë në pushtet dhe ky njeri të bëhet kryeministër. Mocion mosbesimi s’ka. Nëse doni një orë pushim, të kërkohet 1/3 e firmave dhe të bëhet mocion mosbesimi këtu. Ka një rrugë tjetër. Kjo parti ka zgjedhur një grup parlamentar,nuk ka deri më sot që të gjejmë një kryeministër tjetër, e të bëjmë edhe emërimin e shkarkimin e këtij, nuk ka një rast të tillë. Kemi variantin jetër, mocion besimi...”

ruci

Edi Rama: Për t’i vënë kapak kësaj pune kërkoj mocion besimi
Ka edhe një rrugë tjetër statusore e i vëmë një kapak si po qeverisim, mocionin e besimit...që i bie ta kërkoj unë. Por unë jam i prirur të them se në këtë rast, e gjithë kjo është një farsë dhe kësaj farse duhet t’i japë fund anëtarësia”.

Redaksia Online
(L.Q/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Porositi vrasjen e Saimir Kodrës / ‘Nuk po e gjejmë dot qenin, fle te Plaza’. Pajtime Fetahu: Është edhe Arben Llangozi, do përfundojë si Raviku. Vajza e gjyqtares: Mami e kënaqur që po flet me ju

Porositi vrasjen e Saimir Kodrës / ‘Nuk po e gjejmë dot qenin, fle te Plaza’. Pajtime Fetahu: Është edhe Arben Llangozi, do përfundojë si Raviku. Vajza e gjyqtares: Mami e kënaqur që po flet me ju