Opozita në Kosovë po shton presionin për zhbllokimin e Kuvendit. PDK i ka dërguar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke i kërkuar që të thërrasë vazhdimin e seancës nesër, më 22 gusht, në orën 11:00, ndërsa paralajmëron se zvarritja e procedurave po e thellon krizën kushtetuese.
Në letrën e saj, Partia Demokratike e Kosovës thekson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të akteve të Gjykatës Kushtetuese.
“Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë. Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në kërkesën e PDK-së.

Kërkesa e tretë vjen në kulmin e përplasjes mes pushtetit dhe opozitës për mënyrën se si duhet të zgjidhet ngërçi politik. Lëvizja Vetëvendosje ngul kwmbw se seanca konstituive nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike për Presidentin e ardhshëm, ndërsa PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare kërkojnë që Kuvendi të konstituohet fillimisht, sipas procedurave kushtetuese.
Përplasja u thellua edhe më tej pasi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ftoi drejtuesit e partive në një takim konsultativ për të diskutuar gjetjen e një kandidati konsensual për Presidentin. PDK dhe AAK e refuzuan ftesën, duke e cilësuar atë një tentativë për të zvarritur procesin dhe duke kërkuar që fillimisht të vazhdojë seanca e Kuvendit.
Ngërçi nisi më 6 gusht, kur u mblodh për herë të parë seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, me argumentin se zgjedhja e tij duhet të shoqërohet me një marrëveshje edhe për Presidentin.
Edhe pse afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar, procesi vijon të mbetet i bllokuar. Vetëvendosje argumenton se pa një dakordësi politike rrezikohen zgjedhje të tjera të parakohshme, ndërsa opozita e konsideron këtë qëndrim shkelje të Kushtetutës dhe kërkon vijimin e menjëhershëm të procedurave parlamentare.








Komente
Komento