Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe situata e krijuar me përhapjen e COVID-19 në vendin tonë nuk do të ndikojë tek rezervat e produkteve ushqimore, e kryesisht të atyre që prodhohen në vendin tonë. Ilir Pilku, ekspert i agrobiznesit thotë se nuk ka vend për panik nga qytetarët pasi pikat e grumbullimit janë të furnizuara, prodhimi vijon dhe aktualisht ka nisur kultivimi i disa prej perimeve nëpër sera.
“Një pjesë e prodhimit bujqësor kryesisht perimet të serave është e destinuar që 50% të kalojë për eksport. Asnjëherë nuk bëhet fjalë për mungesë të furnizimit të popullatës me produkte ushqimore. I gjithë konsumatori të jetë i qetë sepse produkte të prodhuar nga fermerët shqiptarë do të jenë prezent në treg, për të gjithë konsumatorët. Ka produkt pa pasur nevojë për as më të voglin panik në popullatë, ju siguroj për këtë pjesë. Jemi rreth 180 mijë-200 mijë ton produkte të prodhuara nga serat ne konsumojmë vetëm gjysmën e këtyre produkteve”, thotë Pilku.
Kreu i shoqatës së eksportueseve shqiptarë Alban Zusi në një intervistë për Report Tv tha se qytetarët nuk duhet të shqetësohen për furnizimin e tregut me produkte ushqimore. Pasi importet e ushqimeve bazë dhe të lëndëve të para për industritë përpunuese po vijojnë normalisht. Zusi e ka konsideruar zero riskun për problematikat mbi mungesën e ushqimeve.
Sipas tij duhet të tregohet kujdes në mënyrë që të garantohet minimumi jetik.
"Importet e ushqimeve importet e ushqimeve bazë dhe të lëndëve të para për industritë përpunuese po vijojnë normalisht. nëse ka diçka që unë e them me bindje dhe sinqeritet të plotë është që qytetarët nuk pse të shqetësohen për garantimin me furnizime me produkte ushqimore. Risku për këtë është zero. E vetmja gjë për të cilën duhet të shqetësohemi është që të garantohet minimumi jetik që të mos kemi situata të tensionit social", tha Alban Zusi
Lidhur me shqetësimin e punonjësve mbi marrjen e rrogave, Alban Zusi ka pohuar se punëtorët do vijojnë që të marrin pagën në fund të muajit.
"Pa diskutim që i garantoj punëtorët jo vetëm të biznesit tim por edhe me shumë biznesmenë që kam pasur kontakte që do i paguajnë punonjësit. Të gjithë këtë kanë shqetësim kryesor për të dhënë pagat, madje dhe biznese që kanë shkurtuar punonjësit po kujdesen sesi do t'i mbështesin këta punonjës", tha Alban Zusi
Bizneset prodhuese janë ndër të vetmet aktivitete që do të qëndrojnë të hapura në këtë periudhë ku koronaviruasi është përhapur në vendin tonë. Përveç ekspertëve edhe institucionet shtetërore kanë deklaruar se veç prodhimit vendas edhe importet vijojnë me të njëjtin intensitet.