Këto janë dy libra nga dora e specialistit të shquar të Prehistorisë së Shqipërisë në moshën më të pjekur shkencore, nga dora e një akademiku të mirënjohur të shkencave historike të vendit tonë, dy punime të gdhendura nga mendja e arkeologut që ka gërmuar tërë jetën për të nxjerrë dokumente nga nëntoka për ndriçimin e prejardhjes së kombit të vet dhe të autoktonisë së tyre në trojet ku ata jetojnë sot. Kujtojmë se Prof. Korkuti është veprimtar i arkeologjisë historike të Shqipërisë, pjesëmarrës qysh në periudhën foshnjore pas lindjes së saj si veprimtari institucionale drejt fundit të vitet 40’ të shekullit të kaluar.
Ai është një nga studiuesit e parë që u diplomuan me profil arkeologjik (1962) nga aulat e Universitetit të Tiranës të themeluar më 1957. Ai pati profesorë - arkeologët themelues të arkeologjisë shqiptare në trojet tona, si Prof. Hasan Ceka, Prof. Selim Islami, Prof. Skender Anamali, Prof. Frano Prendi, të cilët sillnin eksperiencën e disa fakulteteve të ndryshme evropiane - austriake, ruse, italiane, bullgare.
Ai u bë pra studenti i kombinimit të këtyre përvojave dhe kulturave të ndryshme arkeologjike të shkollave të Lindjes dhe të Perëndimit. Me këtë përgatitje tradicionale historike klasike, që për mendimin tim është edhe sot moderne për t’u bërë një albanolog profesionist, sepse kultura jonë ka dhënë e ka marrë pa ndërprerje njëkohësisht nga deti dhe nga toka, Prof.
Korkuti e lidhi jetën e tij shkencore me të hyrë vitet 60’ me ndriçimin e Prehistorisë së shqiptarëve dhe të Shqipërisë - të mos harrojmë, në një kohë kur gërmimet sistematike mbi Prehistorinë në truallin e Shqipërisë sapo kishin filluar. Në këtë fushë Prof. Korkuti u regjistrua fillimisht si pionieri i shkencës së arkeologjisë sonë. Por vepra e tij e madhe është përkushtimi për tërë jetën mendërisht, shpirtërisht dhe fizikisht ndaj kësaj teme studimore dhe kërkimore, ku ai u shqua si ndërtues i saj.
Është dashur dekada për pionierët e shkencës së atyre fillimeve të mjegullta, mbushur me të panjohura mbi vendbanimet prehistorike në territorin e Shqipërisë dhe me mungesë përvoje në qeverisjen institucionale shkencore, që të zgjidhnin detyrën kryesore të studimeve arkeologjike të periudhës prehistorike dhe të zbulonin dhe të përcaktonin kulturat materiale që kanë sunduar në viset e sotme shqiptare.
Kjo u arrit prej gërmimeve të shumta arkeologjike në terren anembanë trevave shqiptare nën konceptin klasik kërkimor shkencor. Pikërisht puna kërkuese-studimore e Korkutit është këtu nga më të spikaturat, e cila ka hedhur dritë mbi identitetin kulturor dhe shkallën e zhvillimit të popullatave që kanë banuar në këto vise gjatë Neolitit (6000-3000 vjet p.Kr.) dhe Eneolitit (3000-2100 vjet p.Kr).
Ato janë pasqyruar në vepra të tilla themelore si “Neolithikum und Chalkolithikum in Albanien“ (Neoliti dhe Eneoliti në Shqipëri), përfunduar si manuskript më 1990 dhe botuar në Mainz më 1995 nën kujdesin e Akademisë së Shkencave në Heidelberg (Gjermani), të cilën e përpunoi dhe e ribotoi së fundi në gjuhën shqipe me titull “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri“ nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2011). Një sintezë domethënëse të rezultateve të punës së tij shkencore, ai e ka pasqyruar në punimin e tij me titull “Parailirët, Ilirët dhe Arbërit“ botuar më 2003 në Tiranë.
Në këtë punim ai bën pikërisht ndërlidhjen etnologjike të banorëve parahistorikë, protohistorikë dhe historikë të kësaj treve. Është një punim ku bëhet përpjekja për të parë vazhdimësinë etnologjike të banorëve të trevës shqiptare që nga mijëvjeçari i katërt p. Kr. deri në mesjetën e hershme. Por së fundi, libri më freskët që kemi sot në dorë nga Prof. Korkuti - “Etnogjeneza e ilirëve” më duket – do ta quaja për krahasim - si “Gioconda” e punës së derisotme të tij.
Por Prof. Korkuti është ndërkohë edhe një dëshmitar i pazëvendësueshëm i epokës së arkeologjisë në Shqipëri, qysh në hapat e para të saj në vitet 50’të shekullit të kaluar e deri më sot. Prej më se 55 vjetësh puna dhe vepra e tij shkencore ka qëndruar e lidhur dhe konsekuente në shërbim të historisë së vendit të vet. Ai është edhe përfaqësues i denjë i arkeologjisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kush më shumë se ai sot mund të dëshmojë mbi rrugëtimin, ecurinë, sukseset dhe vështirësitë historike, politike, shoqërore dhe intelektuale të arkeologjisë shqiptare.
Pikërisht në librin e tij të dytë me titull “Shkrime” që Prof. Korkuti na ka vënë në dorë sot, janë vargëzuar në kronologji shkrime të përzgjedhura të autorit (1962-2015), secila në vetvete një dokument i përgatitur nga pena e një profesionisti mbi faktet dhe ngjarjet më të rëndësishme në këtë rrugëtim, dëshmi reale që vinë nga një bashkëkohës që e ka prekur vetë pothuajse të gjithë segmentin e historisë shkencës albanologjike shqiptare.
Në këtë takim promovimi i dy veprave dhe njëkohësisht jubilar të 80 vjetorit të shkencëtarit binte në sy pjesëmarrja e më shumë arkeologëve të brezave më të rinj, nxënësve të tij. Për një çast m’u duk se nuk po festonim ditëlindjen e një shkencëtari akademik. Sepse si zakonisht në festat e përvjetorëve ditëlindjesh, respekti për mësuesin shprehet shpesh duke zgjedhur për atë një dhuratë domethënëse nga vetja, për t’i shprehur atij në shenjë simbolike respektin dhe mirënjohjen për ndihmesën që ai i ka dhënë gjithsecilit prej nesh në kohë. Por Prof. Korkuti nuk na dha rast as kësaj radhe t‘i dhuronim atij diçka, sepse ai kishte zgjedhur të na dhuronte si gjithnjë peshqeshe të çmueshme për vendin – dy vepra të tij që kemi përpara.
Por cila do të kishte qenë dhurata ime për Profesor Muzaferin këtë ditë ? Nuk më mbeti gjë tjetër veç t’i premtoja në heshtje si nxënësi dhe mirënjohësi i punës së tij gati 60-vjeçare, se do të ndiqja fillin e së vërtetës për të cilën ai bashkë me albanologët klasikë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar punuan deri më sot, për të ndriçuar etnogjenezën iliro-shqiptare të mbuluar në shekuj.
Ky është mësimi i punës së tij dhe jam i sigurt, se vepra e tij i takon shumë më shumë së ardhmes, se sa të sotmes. Ajo do të çmohet shumë më shumë nesër, kur shkencëtarët patriotë realistë shqiptarë do të punojnë në atmosferën e integruar europiane dhe kur Europa do t‘i njohë më shumë, se kush kanë qenë ilirët dhe shqiptarët në histori dhe se si meriton të shihet Shqipëria e vërtetë prej saj, por edhe prej vetë nesh.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com