Kapen rreth 12 kg kokainë në kontejnerin me banane në Portin e Durrësit! Erdhi nga Ekuadori 2 ditë më parë, u mbajt nën vëzhgim! Ndalohen shoferi e menaxheri i firmës, Report Tv zbardh itinerarin

DURRËS-Një sasi prej 11 kg e 675gram kokainë është kapur në Portin e Durrësit mesditën e sotme, në një kontejner të ngarkuar me banane që vinte nga Ekuadori.

Referuar të dhënave të raportuara nga gazetarët, Arsen Rusta dhe Artur Korriku, kokaina u gjet pas një kontrolli të Policisë Kufitare, ku nga skaneri rezultoi se droga ishte e fshehur në pjesën e motorit të frigoriferit të kontejnerit. Ngarkesa vinte për llogari të kompanisë shqiptare "Alba Exotic fruit", me seli në Kombinat, Tiranë, dhe që operon në treg që nga viti 2011, ndërsa pronarë të saj janë Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni.

Kontejneri kishte mbërritur në Portin e Durrësit dy ditë më parë dhe ishte nën vëzhgimin e autoriteteve për të kapur personin që do të shkonte për të marrë ngarkesën. Ky person, identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije, është shoqëruar nga Policia, ndërsa po ashtu autoritetet kanë shoqëruar edhe menaxherin e firmës shqiptare që kishte porositur ngarkesën me banane.

Kompania  'Alba Exotic Fruit' rezulton e përmendur edhe më parë në 'histori' me trafik droge, ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.

Droga dhe kontenieri

Ndërkohë, Report Tv ka zbardhur të gjithë itinerarin që ka ndjekur kontejneri me banane ku ishte ngarkuar droga. Kontejneri është nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe në total ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes është në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit. Aty ka qëndruar për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit është nisur drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor. Nga Maroku, kontejneri ka udhëtuar drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 11 kg e 675 gram.

Trafikimi i sasive të mëdha të kokainë po përmes kontejnerëve me banane nga Ekuadori, është një skenar që përsëritet në Portin e Durrësit. Kujtojmë se më 18 qershor, u kapën në Portin e Durrësit një sasi shumë e madhe kokaine, plot 324 kilogramë e 400 gramë, drogë që kalonte tranzit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Sasia e kokainës u gjet nga policia e Durrësit në serbratorin e një kamioni me targa të huaja, ndërkohë që u prangos shoferi 40-vjeçar i mjetit, me shtetësi të Maqedonisë së Veriut Nazif Ajrofski.

Ndërkohë që më 10 prill një tjetër sasi prej 143 kg kokainë e ndarë në 120 pako u kap nga Policia Shqiptare. Kokaina u  gjet po në një konteinier të mbushur me banane për llogari të kompanisë shqiptare 'Masabi Fruits' me seli në Kombinat të Tiranës, në anijen 'Dance' që u nis nga Ekuadori. Pakot e kokainës kishin të stampuar foton e Pablo Eskobar, narko-trafikantit kolumbian  si dhe shënimet "El mejor" (më e mira) dhe "Viejon" (i moshuari) dhe ishin të mbështjella me natriban kaf dhe të zi. Për ngarkesën, policia arrestoi në flagrancë dy ortakët e kompanisë 'Masabi Fruits', Klajdi Xibrakun dhe Erion Petin.

Ndërsa  më 1 prill, në Portin e Durrësit u kap një tjetër sasi më e vogël, 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një konteinier me banane në pronësi të Selim Çekaj, babai i Arbën Çekaj, ky i fundit i dënuar me 14 vite burg për sasinë 613 kg kokainë në 2018. Të dy ndodhen aktualisht në burg.

 

 

 

VIDEO-Raportimet e gazetarëve të Report TV 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:51
12 kg drogë në portin e Durrësit, arrestohet menaxheri i firmës, në kërkim administratori, i larguar jashtë vendit prej ditësh

Lidhur me 12 kg drogë e kapur sot në Port, në një kontejner bananesh i ardhur nga Ekuadori, është shpallur në kërkim një nga administratoret e Alba Exotic Fruit Eduart Dauti 50 vjeç, banues në Tiranë. Sipas verifikimevë prej disa ditësh Dauti është larguar jashtë vendit. Ndërkohë Policia  ka vënë në pranga menaxherin e firmës, Barjon Gumeni, i cili zotëronte edhe 10% të aksioneve të kompanisë 'Alba Exotica Fruit'.

Ora 20:22
Kapja e 12 kg kokainë në Durrës, Çuçi: Luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas operacionit të sotëm në Durrës ku u kapën rreth 12 kg kokainë duke bërë një bilanc të punës së policisë në 4 muajt e fundit.

“Faktet flasin vetë. Pas operacionit të sotëm shkon në rreth 1 ton sasia e lëndës narkotike e llojit kokainë e kapur në Portin e Durrësit gjatë katër muajve të fundit. Asgjë nuk është e rastësishme, por dëshmi e luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe e aftësisë zbuluese e goditëse të Policisë së Shtetit.

Këto operacione dëshmojnë gjithashtu besimin e lartë të partnerëve tanë ndërkombëtarë në hetimet e përbashkëta, intensive dhe profesionale, në goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës.

Kjo është një luftë e vazhdueshme, që nuk nis e as përfundon me një operacion. Ne do të vijojmë punën me Policinë e Shtetit dhe të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt” shkruan ai.

 

Ora 14:54
Sot iu gjetën rreth 12 kg kokainë në banane, 'Alba Exotic Fruit' e njëjta kompani që në 2019 iu kapën në Pire 137 kg drogë që u zëvendësua me oriz

Rreth 12 kilogramë kokainë, që u zbuluan sot në Portin e Durrësit në një kontejner të ngarkuar me banane, i cili vinte nga Ekuadori, u gjetën në një kontejner me banane të porositur nga firma Alba Exotic Fruit me pronarë Eduart Dautin e Barjon Gumeni.

Eduart Dauti nuk është një emër i panjohur, pasi në vitin 2019 në konteinerët e po të njëjtës firmë, pra 'Alba Exotic Fruit' në Pire u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz. Për kokainën e ngarkuar në kontinerët e 'Alba Exotic Fruit' u shpall në kërkim Gentian Malindi.

Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e 'Alba Exotic Fruit' në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj.

Si u kap droga? Më 19 gusht 2019 kontenierët mbërritën nga Ekuadori, tranzit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare.

Pasi kontenierët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit. Pas tre ditëve lundrim në det katër kontenierët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta.

Të përfshirët në këtë trafik nuk mbërritën që atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës duke i lënë atje për disa ditë deri sa mesditën e 19 shtatorit të kontraktuarit nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontenierët. Sipas grupit hetimor ata kanë hapur vetëm kontenierin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar.

Gentian Malindi, me origjinë nga Skrapari dhe banim në Durrës, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi, është pronar i një kompanie për tregtiimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike (në vitin 2013). I arrestuari Mislihaka ishte pastrues në anijen e peshkimit të Gentian Malindit, "Eniwej", dhe kishte leje dhe akses për t'u futur në portin e Durrësit.

Ora 14:32
11 kg e 650 gram kokainë e kapur në Portin e Durrësit, "Alba Exotic fruit" kompania që kishte porositur sasinë e bananeve nga Ekuadori

1626175953_Screenshot1.jpg

"Alba Exotic fruit" është kompania që kishte porositur sasinë e bananeve nga Ekuadori, në kontejnerin e së cilës u gjet 11 kg e 650 gram kokainë. Rezulton se zbuluar emri i kompanisë që kishte porositur. "Alba Exotic fruit" është me seli në Kombinat, Tiranë, dhe operon në treg që nga viti 2011, ndërsa pronarë të saj janë Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni. Objekt të aktivitetit, mes të tjerash, kjo kompani ka edhe import, eksport, tregtim, grumbullim dhe përpunim fruta perime të ndryshme.

( Kliko këtu për të parë ekstraktin e kompanisë "Alba Exotic fruit")

Ora 14:25
Report Tv zbardh itinerarin e drogës/ U nis nga Ekuadori më 26 maj, mbërriti në Durrës pas 2 muajsh! U ndal në 5 porte

Report Tv ka zbardhur të gjithë itinerarin që ka ndjekur kontejneri me banane ku ishte ngarkuar droga. Kontejneri është nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe në total ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes është në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit.

Aty ka qëndruar për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit është nisur drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor.

Nga Maroku, kontejneri ka udhëtuar drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 11 kg e 650 gram kokainë.

1626179725_intererai.jpg

Itinerari i kontejnerit ku u gjet droga
Ora 13:44
Me vrap sikur të ishin kriminelë, momenti kur shkon Policia për t'i fshirë operatorëve pamjet e drogës në portin e Durrësit

Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në Portin e Durrësit, ku efektivë të shumtë policie kanë vrapuar në drejtim të operatorit operatorëve, për t'u fshirë pamjet e filmuara nga droga e kapur sot në një kontejnerët me banane. Policia i ka marrë operatorëvbe celularët dhe i ka fshirë videot, mirëpo redaksia i ka rikthyer për shkak të lehtësive që teknologjia ofron ditët e sotme.

Nga sa raporton gazetari i Report Tv në Durrës, Artur Korriku, policia u ka deklaruar se pamjet nuk duhen publikuar se janë sekret hetimor, ndonëse duhet theksuar se kjo nuk është hera e parë që është kapur drogë në Portin e Durrësit, e për rrjedhojë apo është pasqyruar me pamje nga vendi i ngjarjes në çdo televizion.  

1626177452_Screenshot3.jpg

Momenti kur Policia shkon me vrap në drejtim të operatorëve për t'u fshirë pamjet 
Ora 13:35
U kap me kokainë në Portin e Durrësit, Report Tv siguron pamjet ekskluzive nga kontrolli i kontejnerit

Report Tv ka siguruar pamjet nga kontrolli që po i nënshtrohet kontejneri i kapur me kokainë në Portin e Durrësit. Kontejneri, i ngarkuar me banane, vinte nga Ekuadori, për llogari të një firme shqiptare, ku deri më tani janë sekuestruar 14 pako me kokainë, ndërsa vijon kontrolli.

 

Ora 13:27
Kokaina në Portin e Durrësit, Policia: Shoqërohen 2 persona! Kontrolli në kontejnerin që vinte për një kompani shqiptare, pas informacioneve që dispononte Policia Kriminale

Foto ilustruese

Policia e Shtetit ka dhënë të tjera detaje në lidhje me sasinë e kokainës që u kap soit në Porti e Durrësit, në kontejnerin e ngarkuar me banane, që vinte nga Ekuadori. Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se janë ndaluar dy persona, njëri prej të cilëve shoferi i kamionit që shkoi të tërhiqte ngarkesën, ndërsa deri më tani janë sekuestruar 14 pako me kokainë, ndërsa kontrolli në kontejneri vazhdon. Kontejneri, që vinte për llogari të një kompanie shqiptare, iu nënshtrua kontrolleve, pas informacioneve që dispononte Policia Kriminale.

"Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit,  evidenton dhe sekuestron deri në këto momente 14 pako me lëndë  narkotike të dyshuar kokainë.

Shoqërohen në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dy persona.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara,  bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca  permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga  kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me banane për llogari të një firme në  Shqipëri.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, deri tani janë gjetur të fshehura 14 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Kontrolli vijon.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë shoqëruar dy persona  për tu pyetur në lidhje me këtë ngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon  veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të", njofton Policia.

 

M.Q./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toni: 13/07/2021 17:05

    Kjo eshte me ton jo me kg, S'thoni dot qe u kap 1 ton Por e ulni ne 12 kile, se normal sjeni te trashe, E shet.

    Përgjigju
  • Tata: 13/07/2021 16:44

    Nje lajm i tille ska nevoje per filmime publike,sepse me te drejte,mund te pengohen hetimet. Njohja makines,kontrolloreve etj nga kriminelet e trafiqeve,veshtireson punen e hetimit. Sikur tu jepej me pak informacion i kualifikuar trafikanteve nga shtypi,do ishte me mire per te gjithe

    Përgjigju
  • Ali e kadi vet saluku: 13/07/2021 11:10

    keto sasi vinin ene ne koh te sales po ahere nuk kapej po shitej

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Dy senatorë amerikanë propozojnë sanksione ndaj Turqisë lidhur me veprimet në Siri

Dy senatorë amerikanë propozojnë sanksione ndaj Turqisë lidhur me veprimet në Siri