Një ndryshim tjetër në ligjin e pastrimit të parave (lexo këtu) ka të bëjë me politikanët dhe familjarët e tyre. Projekti planifikon që tek personat e ekspozuar politikisht vëzhgimi do të shtrihet edhe për një periudhë 10-vjeçare pas lënies së detyrës. Fjala është pë rata qytetarë, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil.
Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”. Shtesa në projektligj është “kjo kategori klientësh konsiderohen ‘persona të ekspozuar politikisht’ deri në 10 vite pas largimit nga funksioni. Sipas gjykimit të vetë subjektit, ky afat mund të shtrihet edhe përtej 10 vjetësh”.