Konventa, Rama, skeptikëve:
Ja pse duhet ta votoni PS

Konventa, Rama, skeptikëve:<br />
Ja pse duhet ta votoni PS <br />
<br />
TIRANE - Konventa Zgjedhore e Partisë Socialiste u hap sot pasdite me prezantimin e çdo pike të programit të PS-së nga kandidatët për deputetë. Ata folën në mënyrë mjaft të detajuar, duke cituar shembuj nga jeta reale, emra konkretë qytetarësh etj.  Në përfundim, e mori fjalën kreu i PS-së, Edi Rama.

E veçanta e Konventës së organizuar në mënyrë spektakolare, ku kreu i opozitës rrëmbeu mikrofonin dhe e drejtoi vetë bisedën dhe zhvillimet e mëpastajme, ishte prezantimi me zë dhe figurë i disa qytetarëve të vendit, që nuk kishin besim tek “Rilindja” dhe as shpresonin tek ndryshimi i një qeverisjeje nga një tjetër, të cilëve ai iu dha përgjigje direkt.


E para që u shfaq në sallë ishte një mësuese, e cila pranoi rritjen e pagës, por që gjithsesi nuk shihte kurrfarë perspektive. Pikërisht, duke dëgjuar fjalët e saj, kryetari i PS-së, sqaroi atë pikë të programit që kishte të bënte me administratën, arsimtarët në veçanti dhe taksën që rëndon mbi ta. “Ne duam të ulim taksën për 99% të shqiptarëve”, - theksoi ai, - se "ata" janë partia e 5% shqiptarëve, kurse "ne" jemi partia e 95% të shqiptarëve!”. Dhe kështu, ai foli edhe për mjekët, sesa do përfitojnë realisht me taksimin progresiv.

Konventa Zgjedhore e PS-së këtë herë ishte organizuar me zëra realë, me probleme që shtroheshin direkt në sallë. Atyre problemeve  iu dhanë përgjigje kandidatët, duke prezantuar programin në mënyrë mjaft të detajuar e duke cituar po ashtu, shembuj të tjerë nga jeta reale, emra konkretë qytetarësh etj.

Deputeti Damian Gjiknuri ngriti problemin e pazgjidhur të tokës dhe pronës, ku kudo shfaqet emri Argita Berisha ndërsa Ermonela Felaj, preku rastin e vëllezërve Deda, që u gjobitën nga gjykata, kur shteti kërkoi t'u blejë gjakun e vëllait të tyre. Kandidati i Peqinit, Alfred Peza, solli rastin e familjes Kalotaj në zonën e tij, e cila kishte mbetur në çadër pas djegies së shtëpisë, por që sot, asaj iu dhanë çelësat në dorë. "Ky është modeli i ndihmës, që do të aplikojë PS-ja", - theksoi ai. Pikën kulmore, Konventa e arriti me ardhjen e kreut socialist, i cili iu përgjigj i vetëm, pyetjeve të skeptikëve.

ORA 18:30 EDI RAMA: NJE MUAJ NGA SOT, SHQIPTARET DO VENDOSIN TE ARDHMEN E VENDIT

Kryesocialisti Edi Rama, i ftuar nga prezantuesja Alketa Vejsiu, u ngjit në podium i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Ai tha: "Një muaj nga sot, shqiptarët do të votojnë për të vendosur të ardhmen e këtij vendi. Do të votojnë ose duke qëndruar kështu - me këtë qeveri të skandaleve dhe korrupsionit -  apo nëse me votën e tyre do të ndryshojnë rrugën e vendit dhe jetës së tyre duke hapur shtegun e një rilindjeje.

Në mes të kësaj rrëmuje flamujsh të kampeve, ne nuk duhet të harrojmë pse quhemi Partia Socialiste. Ne duhet të jemi me ata njerëz që nuk hanë e flenë me politikën; me ata njerëz, që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë; që nuk sjellin në shtëpi një rrogë, se s’kanë punë; me njerëzit e zakonshëm, që do të vendosin nëse do të na japin apo jo votën, nëse do të na ngarkojnë me përgjegjësinë për t’u hapur atyre rrugën e Rilindjes".

TE JEMI NE KETE BETEJE PER NJEREZIT E ZAKONSHEM, QE S'RROJNE ME POLITIKEN

"Është e lehtë që të jesh lideri I miqve të tu", - tha Rama. -"Por sot unë dua të flas për ata që e jetojnë jetën jashtë rruzullit të politikës, që janë arsyeja pse edhe ne jemi këtu sëbashku, për ata që duhet të na japin mbështetjen dhe kemi detyrimin e madh t'i nxjerrim nga rruga e mungesës së shpresës, e braktisjes sociale, për ata që në fund të fundit ne kemi detyrimin t’i nxjerrim nga e vetmja ëndërr që të lënë Shqipërinë për një jetë më të mirë dhe të shohin bashkë me ne një ëndërr shqiptare, që mund dhe do ta realizojmë sëbashku këtu, në vendin tonë.

Ne nuk jemi në këtë betejë për vete, por për ata, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Ata njerëz, që prej 22 vitesh, zhgënjehen nga politika dhe janë bërë cinikë sepse politika i ka mësuar përmes shfaqjes së saj, shpeshherë të pafuqishme, për të zgjidhur problemet e tyre. Ne të gjithë e kemi eksperiencën e njerëzve që na thonë fjalë të mira, na japin kurajo, por edhe të njerëzve që mendojnë pak më ndryshe, që nuk janë shumë miqësorë kur na takojnë, që thonë: "Shiko, ne e dimë, këta e kanë mbushur kupën, por edhe ju nuk është se na bindni, nuk është se jeni aty për të bërë diçka për ne".  Ja pse sot ky fjalim do jetë ndryshe!

"T'I DEGJOJME ATA QE MENDOJNE NDRYSHE NGA NE DHE NUK NA BESOJNE"

“Kam zgjedhur sot të bëj diçka tjetër, duke u kërkuar organizatorëve të kësaj Konvente, që të shkojnë nëpër Shqipëri dhe të mbledhin fjalët e atyre që nuk mendojnë si ne, që ndryshe nga ne nuk e shohin dallimin me "nesh" dhe "atyre", që ndryshe nga ne nuk shpresojnë se pas këtij rrënimi do të vijë një rilindje, por përkundrazi, besojnë se do të ndryshojnë ngjyrat e shumicës në parlament.

Mes shumë fjalësh e kritikësh, kemi mbledhur disa që do t’i sjellim këtu, për të sjellë bindjen se kjo është një betejë midis Shqipërisë së shkuar dhe Shqipërisë së ardhshme, mes botës së një politike që është e përqëndruar tek gjakimi për pushtet dhe botës që asaj politike që bashkon njerëzit. Jo të një bote që nuk ekziston, por që në mes të asaj që jemi s’kemi mundur ta prekim dhe quhet familja e Europës së bashkuar".

Një pyetje e drejtuar nga përfaqësues të biznesit fason ishte se pse duhej besuar, PS-ja. Rama tha: "Duhet t’i besoni, se ndryshe iu mori lumi fare! Ky biznes ka humbur 30 mijë vende pune, megjithëse i kërkoi qeverisë ndihmë, i humbi; pjesa dërrmuese gra e nëna fëmijësh në nevojë, që u detyruan të kthehen në shtëpi". Më pas, ai shpjegoi hollësish aspektin financiar të çështjes.

PROBLEMI I DREJTËSISË DHE I 21 JANARIT

Një zonjë ngriti pyetjen se çfarë do të bëhet me drejtësinë, ku luftohet të gjendet e drejta dhe nuk gjendet, përshirë edhe çështjen e 21 Janarit. Rama tha se 21 Janari është një çështje ku ne nuk do gjejmë paqe derisa t’i çojmë urdhëruesit në dyert e drejtësisë. Sot, nuk ka drejtësi, sepse gjykata mbyll sytë para qeverisë dhe qeveria mbyll sytë para shkeljeve të gjykatësve, sepse i duhen që kur të vijë puna të gjykohet prej tyre, ata të mbyllin sytë. Ndaj puna do filluar nga një qeveri që qeveris me drejtësi. Kjo është arsyeja pse sot krimi ka fituar mbi shtetin dhe shifrat e kriminalitetit janë shumëfishuar dhe siguria e shqiptarëve është ulur në mënyrë dramatike.

Sot, kur je në nevojë, nuk merr dot në telefon policinë, sepse aty ose nuk të përgjigjet njeri, ose të del si melodi ndonjë rapsodi me çifteli. Janë detyruar në fshat që njerëzit të armatosen me çifte dhe të ngrenë çetën e fisit për t’u mbrojtur. Çfarë policie të kenë këta, që i kanë vjedhur policit dhe mëngën e xhaketës, ashtu si është veshur?!

RAMA: INTEGRIMI S'KA MBETUR TEK 3 LIGJET, POR TEK PRONA DHE KORRUPSIONI

"Po për Kosovën, çfarë do të bëni ju z.Rama, kur vetë ju nuk jeni në BE?" - ishte një pyetje, që iu drejtua Ramës nga një i ri kosovar. Rama tha: "Shumë po kujtojnë se integrimi ka mbetur tek ligjet, por ne duhet të zgjidhim çështjen e pronës, duhet të zgjidhim çështjen e administratës, që duket si kazermë ku dalin në rresht, rrogtarët…Na duhet lufta kundër korrupsionit. Shkurt, na duhet shtet. Lidhur me Kosovën, kemi shumë fusha bashkëpunimi, ofertë turistike të njesuar, shkëmbime tregtare, kulturore etj."

"NE SHKODREN E PERMBYTUR KERKOVA TE SHPETOJ ...QENIN"

Pyetjes së një të ish-persekutuari se çfarë mund të bëhej për ta, kreu i PS-së, tha: "Kjo pyetje më kujton Shkodrën e përmbytur, kur një njeri që i ishin zhytur në ujë të gjitha dhe i dukej vetëm maja e çatisë, m'u hakërrua duke më thënë: "Çfarë do ti këtu more, se unë e kam ndarë mendjen të votoj Berishën!" Unë, i thashë, dua qenin! Mirë ti paske vendosur të mbytesh, por ç'kusur ka qeni të mbytet pas teje! Zgjedhja më 23 Qershor është një zgjedhje mes rrënimit të vendit, arsimit, fshatit, shëndetësisë, ndarjes që e ka rrënjosur komunizmi dhe e ka ushqyer Saliu dhe rilindjes, rilindjes, rilindjes", - përfundoi Rama. 
 
ORA 18:22 "SHOWGIRL" ALKETA VEJSIU MBESHTET EDI RAMEN

Prezantuesja e njohur Alketa Vejsiu foli në emër të familjeve shqiptare. “Erdha këtu për të thënë sot disa fjalë zemre, atyre që si unë duan që Shqipëria të ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar. Unë jam këtu sot sepse dua ta përdor lirinë time për të ndihmuar të tjerët të gjejnë lirinë e tyre. Jam këtu sepse kam besimin e palëkundshëm që Shqipëria të udhëhiqet nga shqiptari i punëve të mëdha, kryeministri ynë i ardhshëm, ylli i adoleshëncës dhe gjeneratës sime, atij që sot qetësisht mund t'ia besoj votën time.

Kam qënë 14 vjeçe kur e kam takuar për herë të parë këtë të ri me çitjane dhe rroba vezullueze; i vetmi ministër Kulture që unë mbaj mend dhe i vetmi kryetar bashkie, nga më spektakolarët. Ka shumë si unë që e mbajnë mend Tiranën e çoroditur dhe që sot mban era Europë. Po ashtu, jam e bindur se siç lindi Tiranën, ai mund të lindë Shqipërinë", - tha Vejsiu.

ORA 18:15 BUSHATI: BRENDA NJË VITI DO TË MARRIM STATUSIN KANDIDAT

Deputeti Ditmir Bushati tha : “Nuk mund të tolerojmë askënd, as qeverinë në ikje, që ta fusë Shqipërinë në konflikt me SHBA-në. Zotohemi të jetësojmë të gjitha angazhimet e papërmbushura nga përfshirja në NATO. Në kontributin ushtarak, do ta shoqërojmëme kontributin civil dhe diplomatik. Marrja e statusit kandidat brenda vitit të parë të mandatit tonë qeverisës është objektiv plotësisht i arritshëm. Kosovës do t'i japim statusin e partnerit parësor në të gjitha fushat e bashkëpunimit".

ORA 18:08 CELIBASHI: RREGULLA TË REJA PËR REKRUTIMIN E ADMINISTRATËS

Kandidati për deputet Ilirjan Celibashi foli për problemet e administratës, që në një pjesë jo të vogël të saj është në një kaos, e keqtrajtuar në pagë dhe kushte pune. “Individi i thjeshtë është dëshmitar i asaj se çfarë administrate afron sot. Mirëqeverisja si sfidë tërësore për të nesërmen kërkon një administratë efiçente dhe transparente. Angazhohemi të ndryshojmë tërësisht rregullat për rekrutimin e administratës publike”.

ORA 18:04 DAKO: DO AFROJME SHERBIME NE QYTETE DHE STREHIM SOCIAL ME QERA TE ULET

Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, tha: “Ne ia dolëm të rezistojmë. Do të rrisim shërbimet qytetare sipas modeleve europiane. Studio të njohura europiane do të punojnë me ne për përmirësimin e imazhit të qëndrave tonë historike e kulturore. Qytetet tona do të jenë më të gjelbërta, më të pastra, me landfille rajonale. Do të ngremë struktura turistike europiane. Sot përballemi me probleme të mëdha sociale, por zotohemi se do hapim qëndra për të moshuarit, shërbime komunitare për të gjithë shtresat në nevojë. Për strehimin, do afrojmë banesa sociale me qera të ulët duke i ndërtuar ose blerë në tregun e lirë e zhbllokuar industrinë e falimentuar të ndërtimit".

ORA 17:55 LAME: DO TË NGREMË NJË AKS RRUGOR QË TË LIDHË VERIUN ME JUGUN

Artan Lame prezantoi projektin e ri të rrugëve kombëtare, që do të lidhë me njera-tjetrën në një aks rrugor të vetëm, veriun me jugun. PS do të ngrejë Korridorin e Gjelbër përgjatë gjithë bregdetit. M’u kujtua që kemi edhe një muaj që i kërkojmë Berishës të na i numërojë 10 mijë km rrugët që ka bërë, por s’e dimë pse nuk e bën". Më pas, Lame, prezantoi një numër të madh rrugësh, të deklaruara si të sapondërtuara, por që kanë shumë probleme që do të marrin zgjidhje pas 23 Qershorit.

ORA 17:50 BIZHGA: RINGJALLJE PESHKIMIT NË GJITHÇKA QË S’E BËRI KJO QEVERI

Deputeti Gazmir Bizhga solli shembullin e 5 të vdekurve dhe 6 të gjymtuarve, peshkatarë të zonës së tij, që gjuajnë me eksploziv për të fituar bukën e gojës në lumin e Ishmit. Kjo është gjendja e rrënuar e sektorit të peshkimit. Para 8 ditësh, Kryeministri me atë të folurën e tij prej “shejtan budallai” mblodhi peshkatarët në Durrës dhe u premtoi që s’i bëri në 8 vite. Sot në vend nuk ka asnjë port për riparimin e anijeve të peshkimit. Mungon çdo infrastrukturë për mjetet e peshkimit; u mbyllën shkollat profesionale për peshkimin. Para pak ditësh, edhe 2 peshkatarë humbën në Vlorë, por fati e deshi të shpëtonin, por një gjë e bëri qeveria: nxori në breg dy ministra, për t’I pritur dhe thënë “Kur Zoti të do, ashtu të do dhe Saliu”. Mirëpo problem më i madh janë taksidarët barmëdhenj. Ne do t’im fund peshkimit me lëndë plasëse. Do organizojmë grumbullimin dhe shpërndarjen e të dhënave. Do ngremë tregje të hapura dhe me standarte për tregtimin e prodhimit. Do të ngremë infrastrukturën portuale të ankorimit e do bëjmë gjithçka që kjo qeveri s'e bëri në 8 vjet".

ORA 17:40 XHAÇKA: ÇDO GRUA, E PUNËSUAR OSE JO, DO TË JETË E MBËSHTETUR

Problemet e gruas dhe mbështetjes së saj u ngritën nga Olta Xhaçka, e cila deklaroi ndër të tjera se “çdo vajzë që do të bëhet nënë dhe do të rrisë fëmijët në një ambient të pastër e të sigurtë, do ta gjejë atë duke votuar PS-në dhe do të fitojë edhe shpërblimin e barrëlindjes; çdo grua që ngjit shkallët e karrierës me meritë ka gjithë arsyet për të votuar “Rilindjen””.

ORA 17:35 VELIAJ: DO TË 10-FISHOJMË SHPËRBLIMET PËR SPORTISTET KAMPIONE

Erion Veliaj shpalosi programin e punësimit të të rinjve, të diplomuar apo jo, duke theksuar rëndësinë e shndrrimit të shkollave në qëndra arsimore, kulturore, takimesh komunitare etj. Ne kemi propozuar ndalimin e dhunës në shkollës, bashkëpjesëmarrjen e prindërve në aktivitetet e shkollës, emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve etj. Investimet në sport do të jenë në qëndër të vëmendjes, kun ë Korçë do të themelohet qëndra e parë olimpike. Do të çlirojmë dhe klubet sportive, që ndeshjet të përcaktohen nga loja dhe jo nga llogaritë e klubeve të basteve. Do të mbështesim sportistët elitarë, do të dhjetëfishojmë shpërblimet për kampionet, që të të mos tundohen ta ndërrojnë flamurin. Kam kaq shumë besim sepse kapiteni ynë është sportist, i ri, me kulturë.

17:30 PEZA: DO TA RILINDIM MEDIAN, JO MË “TË FALA SANDRIT”, POR “TË FALA EDI RAMËS”

Kandidati socialist i Peqinit, gazetari Alfred Peza, tha: “23 ditë më parë shkova në fshatin Kalotaj, ku fatkeqësia e kishte lënë pa shtëpi një familje që ashtu e kaloi vjeshtën dhe dimrin, në çadër. Këto ditë unë kam qënë 23 herë në këtë fshat dhe sot kam kënaqësinë t’ju tregoj se sot I kam dorëzuar çelësin e shtëpisë së re. Ky është modeli sesi ne do t’I ndihmojmë njerëzit, do t’u gjendemi më pranë se qeveria dhe pushteti lokal. Kur Grida Duma bie në këtë sallë, kjo përbën lajm për mediat, por kur një familje ngelet pa shtëpi, kjo jo. Ky është problemi i medias, që nga avangardë e shoqërisë, është kthyer në bishtin e shoqërisë, sepse është bërë me të fortin dhe jo me të drejtin. Si dikur, kur shqiptarët, në vend të bëheshin me Fan Nolin, u bënë me djalin e bajraktarit. Ne do ta rilindim median shqiptare. Më 23 Qershor medIa do rilindë, reklama shtetërore nuk do të jetë më ushqim për mediat antiopozitare. Do të ringjallim TVSH-në; do të zbatojmë në mënyrë të plotë ligjin për të gjithë mediat. Ne e shpëtuam paradhomën e Kryeministrit nga Koço e morën dhe e futëm brenda. Pas 23 qershorit, në vend “të fala Sandrit”, do kemi “Të fala Edi Ramës”.

ORA 17:20 SHQIPËRIA DIXHITALE, E NISIM ME PAJISJEN E ÇDO GJIMNAZISTI ME TABLETE

“Shqipëria dixhitale e Saliut nuk është thjesht kalimi me orë në internet për të parë facebook", - tha deputetja Milena Harito, -" por për të gjetur aty të gjitha shërbimet që kemi nevojë. Programin tonë do ta fillojmë me të rinjtë, që të konkurojnë me dije në botën e sotme, që është bota e teknologjisë. Zotimi ynë është konkret: pajisja personale me tabletë e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme. Nuk ëhstë utopi, as luks, as e tepërt, por detyra jonë për të kapërcyer prapambetjen e shkollës. Zotimi ynë është krijimi I 4 mijë vendeve të punës në këtë fushë nëpërmjet regjistrimit online”.


ORA 17:13 GJERMENI: JETIMËT, ROMËT, USHTARAKËT, KANË ZGJIDHJE

Problemet e strehimit të jetimëve, paraplegjikëve etj. u trajtuan nga deputetja Eglantina Gjermeni, përfshirë dhënien e zgjidhjes përfundimtare të regjistrimit të familjeve rome, përcaktimin e një fondi për strehim për gratë kryefamiljare; reformim të sistemeve të pensioneve për t’i nxjerrë pensionistët nga varfëria, rishikim të statusit të ushtarakut. Të gjithë këto çështja kanë vend në programin e PS-së, kanë zgjidhje, tha ajo.

Ora 17:01 GJIKNURI: PRONAT JANË TË ZËNA DHE KUDO SHFAQET EMRI ARGITA BERISHA

Deputeti Damian Gjiknuri iu referua çështjes së pronës dhe tokës, e cila është në një "tollovi" dhe kudo shfaqet emri Argita Berisha. Pronarët panë se si toka e tyre është e zënë dhe nuk gjejnë drejtësi. 8 mijë vetë janë vrarë për arsye pronësie. Arshiva e tokës është kthyer në një zyrë militantësh dhe ne agazhohemi që do evidentojmë tërë tokat publike, që fshihen në sirtarët e ministrive. Procesi i kthimit të pasurive publike do të jetë transparent. Në fund do përfundojmë procedurat për të gjitha ndërtimet pa leje.

ORA 16:55 BALLA: DO T’I KTHEHET PUBLIKUT ÇDO PASURI E PRIVATIZUAR ME KORRUPSION

Deputeti Taulant Balla u ndal në praninë e fenomenit të korrupsionit në vend dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Ndërkaq Balla u ndaj tek tjetërsimi i pronës publike. “Duhet t’i japim fund korrupsionit. Nuk duhet të shohim më mënyrën se si po tjetërsohet pasuria publike. Do t’i kthehet publikut çdo pasuri e privatizuar me korrupsion”, tha Balla.

ORA 16:50 TARE: DO ORIENTOJME INVESTITORET DREJT NDERTIMEVE CILESORE NE TURIZEM

Duke u ndalur tek nevoja dhe rëndësia e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, deputeti Auron Tare tha se do të punohet për zhvillimin e turizmit në vend.
“Do të mbrojmë zonat e trashëgimisë kulturore. Do të bashkëpunojmë me qeverisjen vendore për realizimin e kësaj çështje. Do rrisim ndërgjegjësimin e të rinjve nëpërmjet futjes së programeve arsimore. Do të ruajmë këto objekte në përputhje me standardet europiane, pasi kjo do të rrisë nivelin e turizmit, dhe do të na bëjë konkurrues në rajon. Po kështu, do të rrisim cilësinë e shërbimit për të krijuar edhe produktin turistik “Made in Albania”. Si dhe do të ndërtojmë Agjencinë Kombëtare të Turizmit për mbrojtjen e bregdetit. Do të miratojmë masterplanin kombëtar për zhvillimin e turizmit dhe orientimin e investitorëve drejt ndërtimeve cilësore”, tha Tare.

ORA 16:42 SHALSI: DO RISHIKOJME TE GJITHA KONCESIONET, DO ZHBEJME ATO QE NUK PLOTESOJNE KUSHTET

Deputeti Eduard Shalsi vuri theksin tek problematikat në sektorin e energjitikës dhe tregtimit të naftës. Shalsi tha se do të rishikohen të gjitha koncesionet.
“T’i japim fund kontrabandës së naftës dhe evazionit në tregtimin me pakicë të naftës. Do të ngremë institucion të mirëfilltë për menaxhimin e burimeve natyrore. Po kështu, do të rishikojmë të gjithë koncesionet në naftë, hidrocentrale, minerale, etj. Do t’i zhbëjmë ato që nuk kanë plotësuar kushtet. Gjithashtu do të ofrojmë paketa stimuluese për të tërhequr investitorët më seriozë dhe do t’i shfrytëzojmë burimet në të mirën e të gjithë qytetarëve”, theksoi Shalsi.

ORA 16:37 HYSI: KONSULTIM ME BIZNESIN NE ÇDO HAP KRAHAS HEQJES SE TAKSAVE DHE GJOBAVE NDAJ TIJ

Deputetja Vasilika Hysi foli për biznesin e vogël: "Do të ndjekim një sërë masash për të mundësuar përmiërsimin e situatës së biznesit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij, Synojmë heqjen e taksës së biznesit të vogël; heqjen e referencës doganore; jo më gjoba në dogana. Bizneseve do t'i lihet kohë të përshtaten me ndryshimet; thjeshtim të procedurave ligjore; stabilizim të administratës tatimore dhe doganore, që do jetë një e vetme. Do të konsultohemi me biznesin; do të ketë rikthim të komunitetit konsultativ të biznesit; ristrukturim të këshillit kombëtar të biznesit; hartimi të një kontrate të qartë me sipërmarrësit dhe krijimin e kushteve që të eliminohet shantazhi. Do të krijohet kadastra e shumë qëllimshme për të orientuar investitoret vendas dhe private".

ORA 16:33 TAHIRI: SYNOJMË KTHIMIN E LIGJIT DHE “NJE SHTET, NJË POLICI”

“Shoqëria është e ndarë dhe e pabarabartë”, - tha deputeti Saimir Tahiri: “ në një anë ata qytetarë që as nuk u shkon në mendje ta shkelin ligjin dhe që janë të pambrojturit dhe nga ana tjetër, të fortët, që janë të tillë se I tillë është shetti ligjor. Shifrat flasin për 8500 krime në 2012, ndërsa 2013-a u mbyll me më shumë se 22 mijë. Ne synojmë rikthimin e paqes shoqërore dhe rilindjen e policisë së shtetit, për ta rikthyer në krye të detyrës në besim të qytetarëve. Brenda 300 ditëve të para do apstrojmë shoqërinë nga armët, duke mos lejuar që ato të jenë alternative për të zgjidhur problemet, qoftë edhe më voglin. Do të pastrojmë skudrën e policisë së shtetit nga të paaftët. 517 mijë lekë do paguhet inspektori më i vogël dhe mbi 1 milionë, drejtuesi. Do kujdesemi për familjet e policëve të vrarë”.

ORA 16:30 PELESHI: DO TË GJALLËROJME KOMUNITETET E RILINDIM SHKOLLËN

Niko Peleshi, kryetar i bashkisë së Korçës, tha: Shqipëria ka sot modele të gabuara për të orientuar komunitetet drejt modeleve europiane. Do punojmë për të ndërtuar komunitete të gjalla, të prekshme; qëndrat kulturore, bibliotekat e etj. do jenë qëndra ku do gjallërohet jeta komunitare, ku do rigjallërohet jeta e qëndrave të banuara. Do të orientojmë kthimin e besimit të komuniteteve tek e ardhmja e qyteteve të tyre. Çdo njeri do ndërtojë planet e së ardhmes të lidhur me qytetin e veçanrisht me shkollën, që do ta rilindim.

ORA 16:25 MAZNIKU: DO TË MBAJMË NËN KONTROLL BORXHIN PUBLIK

Arbi Mazniku: Shqipëria ka rreth i milionë të papunë, por ne premtojmë 300 mijë vende pune në mandatin e parë, duke synuar zhvillimin e industrive prodhuese, të bujqësisë etj.Synojmë të mbajmë nën kontroll borxhin, sepse çdo fëmijë në Shqipëri lind me borxh. Zotohemi ta vënë nën kontroll.

ORA 13:00 RAMA FTON QYTETARET TA NDJEKIN KONVENTEN

Dy orë para se të nisë punimet në ditën e dytë të saj kreu i PS-së fton qytetarët të ndjekin prezantimin e programit të cilin kërkoi ta nënvizonte disa herë se nuk është një program elektoral i cili pas 23 qershorit hidhet në kosh por një program qeverisës për qytetarin. 

Përmes një organizimi në formë spektakli në Pallatin e Kongreseve, Konventa Zgjedhore e Partisë Socialiste nisi punimet paraditen e djeshme me prezantimin e të gjitha partive aleate dhe gjatë pasdites, të 140 kandidatëve për deputetë.  Ndërsa sot kreu i PS-së Edi Rama do të prezantojë programin.

Kryetari i PS-së doli në një konferencë për shtyp për t'ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve si dhe të ftojë të gjithë qytetarët të ndjekin Konventën për të dëgjuar programin e PS-së Rama tha se nuk kemi të bëjmë me një program elektoral por program për qytetarin.

“Sot është dita e dytë e Konventës Zgjedhore. I kushtohet e gjitha programit më të detajuar që një forcë politike ka pasur në këto 20 vjet para një ballafaqimi zgjedhor. Nuk është program elektoral por një kontratë qeverisëse me popullin shqiptar. Ftoj ta ndjekin shpalosjen e sintezës së programit, i cili është shumë i gjerë dhe i gjatë të shtjellohet në një sesion si ky dhe ndërkohë në ditët në vijim do ia vëmë në dispozicion qytetarëve librin e programit. Pala tjetër nuk ka program s’ka s’i të ketë libër por i rikthehet gjithmonë vetveteës dhe bën kate shtesë pa leje në pjesë te kopjuara prej nesh, ne kemi shumë të qartë cfarë do të bëjmë nga dita e qeverisje”

Rama tha se "programi nuk është si programet e shkruara ndër vite nga një grup njerëzish për t’u paraiqtur si një platformë elektorale që pas zgjedhjeve hidhet në kosh, ai është shkruar me sipërmarrës, grupe intersi është një program që ka autorësinë e shumë njerëzve dhe është pronë e publikut”

Rama nënvizoi më tej se alternative e PS-ë është ajo e punësimit përkundër papunësisë, lirisë së konkurencës së sipërmarrjeve përkundër shkatërrimit, alternative e taksimit të ndershëm që do sjellë uljen e taskave përkundër taksës së sheshtë që shkatërroi komplet shtresën më të varfër. Alternativa e shëndetësisë falas, arisimit të garantuar e rilindjes së fshatit. Alternativa e një Shqipëria model në rajon.

RAMA: DO BEJME GABIME TE REJA, S'DO PERSERISIM TE VJETRAT
Sipas Ramës pas 23 qershorit me ardhjen në pushtet të aleancës së majtë njerëzit do të votojnë të lirë.  “Ne jemi të lumtur që do i çlirojmë robërit që shteti i mban pas me kërcënim për bukën e gojës. Pas 23 qershorit do të jenë të lirë të votojnë kë të duan të zgjedhin në njësitë vendore dhe do të mbështeten në funksion të zhvillimuit të përgjithshëm të vendit. Ju zotohem se do bëjmë gabime të reja jo të vjetra”

RAMA: NUK MUND TE KETE ZGJEDHJE TE LIRA ME SALIUN, KQZ ORGANIZATE PARTIE TA MBAJE
“Si në Tiranë në 8 maj zgjedhjet janë vjedhur.Këtë herë diferenca është aq e thellë saqë sadotë vjedhin nuk të mund ta përmbysin dot rezultatin dhe fitorja jonë do të jetë e pastër. Nëse duan ta mbajnë KQZ-në si organizatë partiake le ta mbajnë përgjegjësinë përpara popullit nëse KQZ do të sillet si organizatë partie. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Saliun. Zgjedhjet me standard do t’ i sjellim ne pas 23 qershorit. Nuk e ndal dot asgjë fitoren tonë dhe nuk e shpëton dot asgjë kastën."

RAMA: BERISHA S'DO T'I VOTOJE TRE LIGJET SIPAS  KOMPROMISIT TE LSI
"Nuk është dakord PD për 3 ligjet sepse po të ishte le të vijë. Ka një propozim nga kreu i LSI së që ne e kemi mbështetur. Statusi i kandidatit miratohen në fund të vitit. Urdhëro t’i votojmë të hyjmë në fuqi në shtator. Në mënyrë që në fund të verës mos i mbushin gjykatat me derbederë, mercenarë dhe bejlerë. "

RAMA: TVSH DO E BEJME SI BRITANIKET
"Do ta çlirojmë dhe TVSH-në pas 23 qershorit. Do ta bëjmë një televizion model publik në shërbim të popullit shqiptar. Do bëjmë television europian, duke marrë shembull nga britanikët dhe amerikanët, më pak nga italianët se e kanë të lodhur RAI."

KONTRATA ME TONY BLAIR NUK DO TË RËNDOJË MBI BUXHETIN E SHQIPTARËVE
“Ngutje e madhe, e kotë, e lodhur për të bërë krahasime midis pranisë së Tony Blair dhe grupit të tij në grupin e qeverisë me praninë e një grupi lobistësh për të dezinfomruar opinionin ndërkombëtar dhe për të zbukuruar imazhin e një pushteti të korruptuar deri në palcë. Mos bëni krahasime as në pikëpamje të shpenzime, sepse jeni të sigurt se vullneti i Tony Blair për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim për të mirat që do të sjellë. Ndërkohë që ne do të realizojmë një kontratë që nuk do të rëndojë hiç fare në buxhetin e shtetit dhe publikut. Për momentin kemi një marrëveshje për të bashkëpunuar në të mirë të Shqiopërisë dhe shqiptarëve. Tony Blair është një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve. Kurajo e madhe për të marrë nëpër gojë Tony Blair se nuk keni ç’bëni. Jam i bindur që edhe Klani do të rilindë pas 23 qershorit."- tha Rama.

DITA E PARE E KONVENTES
Rama u shpreh dje se “Partia Socialiste e Shqipërisë është sot lokomotiva e një transformimi, forca udhëheqëse e Aleancës për Shqipërinë Europiane “ dhe se programi i PS-së është një program i detajuar në shërbim të skuadrës dhe ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve që duan të jetojnë me punën e tyre dhe familjen e tyre.

Seancën e pasdites së djeshme e mbylli skuadra e fundit e kandidatëve, ajo e qarkut të Vlorës drejtuar nga kreu i PS-së, Edi Rama, i cili tha: "Unë jam krenar, sepse ne, PS-ja, jemi lokomotiva e një transformimi të madh, jemi forca udhëheqëse e një aleance, e një bashkimi të madh që do t’i kthejë Shqipërisë të drejtën për t’u qeverisur nga shumica! Unë jam krenar sepse për të gjitha këto arsye, pas një rrugëtimi të vështirë në opozitë, në 23 Qershor ne do fitojmë!"

Gjatë paradites së djeshme krerët e 40 partive  pjesë e koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane" hipën në podiumin e Pallatit të Kongreseve për të bërë thirrje për të votuar më 23 qershor për rilindjen e Shqipërisë nën një qeverisje me në krye kreun e PS-së Edi Rama.

"Siç tha profesor Skënderi, ne kemi një tren të gjatë drejt fitores. Qytetarët të zgjedhin vagonin e duhur. E rëndësishme është të mos e ngatërrojnë me trenin e mallrave që shkon drejt humnerës. Dhe le të shkojë, se për aty është nisur, por s’kanë pse marrin shqiptarë me vete. Qytetarët e kanë të qartë; ose në trenin me qytetarë drejt Europës, ose me trenin e mallrave drejt humnerës. Pa dyshim që treni ynë do shkojë drejt Europës” - u shpreh në këtë etapë të Konventës, kreu i PS-së, Edi Rama.  Dita e Parë/ Konventa e PS,Rama shtrëngon duart me aleatët e kandidatët

Redaksia Online
(arsh/es/sg/mg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë