Korça është një ndër qytetet më të preferuara nga vendasit për të kaluar festat e fundvitit. Hotelet dhe bujtinat në qytet dhe në fshatrat turistikë raportojnë se kanë të ezauruara kapacitetet.

Rezervimet janë përqendruar kryesisht në qendër të Korçës, Pazarin e Vjetër dhe zonën e Bulevardit “Republika”, ku atmosfera festive, koncertet në shesh dhe aktivitetet për fëmijë e bëjnë qytetin tërheqës për të gjitha moshat.

Eriketa Koçollari, Operatore turistike tha se “pjesa më e madhe e prenotimeve janë 24-25 dhjetor dhe nga data 28 dhjetor deri më 3 janar. Kemi familje nga Tirana, Elbasani dhe Shkodra, ndërsa shumë struktura janë mbyllur me kapacitet të plotë.”

Jashtë qytetit, zonat malore si Dardha dhe Voskopoja janë të rezervuara pothuajse 100 për qind, për shkak të klimës malore, gatimeve tradicionale dhe bujtinave karakteristike. Edhe Boboshtica e Vithkuqi regjistrojnë prenotime të larta këtë vit.

“Na pëlqen Korça sepse ka qetësi, ushqim shumë të mirë dhe çmime më të ulëta krahasuar me qytetet e tjera”, thane vizitorët.

Aktualisht, në Korçë numërohen rreth 150 struktura hoteliere me mbi 4 mijë shtretër, ndërsa në platformat online raportohen mbi 290 struktura akomoduese, të cilat janë të rezervuara për krishtlindje dhe natën e ndërrimit të viteve.