Korça e shekullit të XX-të
ishte Korça e Shën Gjergjit

Korça e shekullit të XX-të<br />ishte Korça e Shën Gjergjit
Edhe pa thënë kisha, kur përmendej Shën Gjergji, dihej, që bëhej fjalë për kishën madhështore në një gur gri të çelur, që kishte nisur të ndërtohej dhjetvjeçarin e fundit të shekullit të XIX-të dhe ishte përfunduar më 1905.

Kishte zgjatur ndërtimi, se gjithshka ishte në blloqe të mëdha guri, të gdhenduara me mjeshtëri. Tregohej, që mjeshtri Naum Trasha nga Opari, që drejtonte punimet, i kishte vënë numur çdo blloku guri dhe drejtonte, që poshtë vendosjen e tij në vendin e caktuar. Të gurta ishin strehët, rozetat, harqet mbi dritare dhe çdo detaj tjetër.

Duhet të kishin ndjekur në ndërtim, teknika të ngjashme me ato të ngritjes të Katedraleve madhështore gotike të Francës dhe Gjermanisë. Në anët tona ende ndërtimi kishte mbetur pas dhe Korça edhe pse më përpara se të tjerët, nuk kishte nisur ende të njihte betonin e armuar apo konstruksionet e mëdha prej metali. Ishin vetëm një qoshe e varfër dhe e prapambetur e Europës. Por që po modernizohej shpejt, më shpejt se të tjerët.

Shën Gjergji ishte madhështor dhe disi i mistershëm. I drejtoheshim në gjininë mashkullore edhe pse ishte kishë. Ishte autoritar. I patundur.

Flitej, që diku brenda tij ishte edhe trupi i Lakçes. Kjo e bënte më të mistershëm për ne të vegjjlit, që e kishim të vështirë të kuptonim se ku niste jeta e  ku vazhdonte nëpërmjet kishës tek zoti dhe ku vazhdonte me trupat e pajetë, si ai i Lakçes. Të gjitha ishin brenda Shën Gjergjit.

Brenda tij kishte meshuar për herë të parë në shqip imzot Fan Noli, duke shënuar përfundimisht, mbështetjen e ortodoksëve të Korçës për një Shqipëri të ardhme. Disa vite më vonë, një numur jo i pakët korçarësh ortodoksë, kishin firmosur Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë dhe ishin bërë anëtarë të qeverisë së Ismail Qemalit. Kishte një pjesë të Shën Gjergjit tonë në atë Deklaratë. Jo vetëm emrin e Kastriotit, por lidhjen e fortë të korçarëve me Shqipërinë, me themelet e forta të saj. E korçarëve të Stambollit, Bukureshtit dhe Bostonit, por më shumë e korçarëve, që jetonin në qytet.

Emri Gjergji, ishte më i përdoruri në djemtë e lindur pasluftës. Kishte patur edhe shumë para saj, por në vitet ’50 dhe ’60, thuajse nuk kishte më Gaqo dhe Jorgo, por të gjithë ishin Gjergji. Emri i Skënderbeut, por edhe emri i shënjtorit, emrin e të cilit kishte madhështorja Kishë, me të cilën përballeshe sa hyje në Korçë. Në klasë kishim pesë djem me emrin Gjergji. Plot të tjerë në klasat e tjera. Kështu deri më 1968.

Shën Gjergji kishte qënë i heshtur prej më tepër se një viti. Ndoshta në dyert e tij, në muzg ndizeshin qirinj, por për ne që kalonim shpesh atje, ishte një gjigand i heshtur dhe më i mistershëm. Vetëm galat krrakarisnin në plepat pranë tij. Gjithmonë, plepat ishin plot me gala. Kështu kishte qënë gjithmonë, apo ishin shtuar pas heshtjes të Shën Gjergjit, këtë e dinë më mirë ata, që jetonin pranë kishës.

Në qytet kishin nisur të flisnin se do prishej Shën Gjergji. Edhe ata, që nuk besonin çuditeshin. Ishte aq madhështor.

Por diku lart, për arsye të paspjegueshme, kishin vendosur të shpëtohej Kisha e Mitropolisë, por jo Shën Gjergji. Një vit më parë ishte prishur Shën Mëria dhe diçka ishte folur rreth të krisurve, që kishin vënë dorën të parët, por Shën Mëria ishte e vogël dhe në të dalë të qytetit. Shën Gjergji ishte ndryshe. Ishte i madh, gati i bardhë, i gurtë dhe në qendër të qytetit.

Dikush, tepër i fuqishëm, nuk donte që Shën Gjergji të ishte më atje.
Mbase donin të fshihnin diçka. Mbase edhe të ulnin vlerat e Fan Nolit, të cilin korçarët e donin shumë. Specialistëtë që kishin përpiluar listat e monumenteve të arkitekturës, që duhej të mbroheshin, nuk arrinin të kuptonin, përse Shën Gjergjin nuk e linin në atë listë. Kështu, deri ditën, që nisi beteja e prishjes së Shën Gjergjit. Më pas gjithshka nisi të merrte fund.

Ishte vërtet një luftë me gjenialitetin e ndërtuesve oparakë, që kishin punuar në gjithë botën deri në Taxh Mahal-in e famshëm. Vendi i “luftës” nuk ishte rrethuar, ndaj ne fëmijët mund të shkonim pasditeve të vona të verës, pasi punëtorët ishin larguar, dhe të shikonim blloqet e gurit, të mbuluar nga pluhuri i betejës, rënë mbi to. Nuk kuptonim pse një gjë aq e fortë, duhej të prishej. Nuk na i rrokte mendja jonë, që dinte pak dhe askush nga të rriturit nuk na spjegonte. Të gjithë përmendin se sa mirë ishte ndërtuar. Edhe ne shikonim blloqe guri të punuara me saktësi, ndërsa ndiqnim shokët më të rritur që kërkonin copa të plumbit lidhës të blloqeve për të mbushur ashikët.

Flitej, që mes dy blloqeve në mur nuk mund të futje as thikën. Ishte ndërtuar me saktësi dhe lidhur në gjithë muraturën me plumb. Nuk mund të prishej si gjithë ndërtesat e tjera. Pjesë të caktuara, nuk i shkulnin dot edhe pse përdornin buldozerë, që tërhiqnin kollonat dhe pjesë të tjera vertikale me kavo. Një shfaqje e shëmtuar dhe drithëruese në mes të qytetit për muaj të tërë.
Kështu deri sa e prishën të gjithë.
Ndoshta pjesë të themeleve janë ende atje.
Në atë pjesë të bukur të Korçës së shekullit të XX-të.
Ku ngrihej ndërtimi i gurtë më i arritur në gjithë Shqipërinë. Në më të mirët e Ballkanit.
Shën Gjergji jonë.

shen gjergji
  Kisha e Shën Gjergjit, Korçë

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit