Në rafte gjen veshje artizanale, çanta dhe aksesorë të punuara me dore, ndërsa ngjyrat e fijeve, copat e qëndisura krijojnë një atmosferë unike.

Në këtë hapësirë te vogel prane baneses, artizanja Bruna Zguro ka rihapur atelienë e saj në Korçë pas 40 vitesh.

"Kam rreth 40 vite që punoj me punime dore dhe këtë e kam trashëgimi nga gjyshja dhe mamaja ime. Këto që shikoni janë të gjitha të punuara me dorë.Veshje të ndryshme, sipas stinëve, tezgjah, punime dore, nga më të ndryshme",- shprehet Bruna.

Veprimtaria e Brunës ka nisur me qëndistari dhe punime tradicionale për shtëpinë, ndërsa vitet e fundit është orientuar drejt veshjeve dhe aksesorëve, duke iu përshtatur kërkesave të tregut.

"Tani kam kthyer në veshje, jeteaë, pasi për shtëpitë mbaruan, perdet, çentrot për tavolinat",- shprehet ajo.

Një pjesë e produkteve realizohen tërësisht me dorë, ndërsa disa të tjera përshtaten dhe transformohen përmes ndërhyrjeve artistike, duke marrë një identitet të ri.

Bruna Zguro është prej vitesh e angazhuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo drejton shoqatën "Arti në duart e gruas".

"Duke parë interesimin dhe duke parë këto gra që punojnë kaq bukurl, dhe nuk gjenin dot nëj treg, një mundësi për të shitur prodhimet e tyre, në foemuam një shoqatë dhe e quajtëm 'Arti në duart e gruas'. Kam edhe burra në shoqatë, kam edhe këpucarë. Shkojmë në panaire kombëtare dhe ndërkomëbatre, ku shpalosim traditën tonë",- thotë artizania.

Zguro punon edhe me fëmijë dhe të rinj, duke u mësuar teknikat e punimeve të dorës. Sipas saj, interesi është më i lartë te fëmijët deri në moshën 11–12 vjeç.

Pavarësisht sfidave, Bruna Zguro vijon të promovojë artizanatin si një pasuri të trashëgimisë kulturore shqiptare, me synimin që kjo mjeshtëri të vazhdojë të trashëgohet edhe nga brezat e rinj.