Një edukatore e kopshtit publik numër 6 në Korçë është arrestuar, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë 4-vjeçar. Rasti u denoncua nga nëna e të miturit, pasi djali ishte ankuar se goditej nga edukatorja, Xhensila Zaimasi.
Nena e 4-vjecarit, Volsjana Plasa tregon se disa ditë më parë kishte vënë re një shenjë të kuqe në qafën e të birit.
“Para katër ditëve djali më është ankuar, më ka thënë që mësuese Xheni më godet. Para pak ditësh fëmija kishte një shenjë të kuqe te qafa. Atje më tregoi që më goditi mësuesja, ishin ditët e para dhe s’i vura shumë rëndësi, por tani e zbulova vetë.”- ka rrëfyer ajo.
Sipas saj, djali i kishte treguar se e kishin futur në qilar ndaj kishte frikë për t’u kthyer në kopsht. Dyshimet e saj u shtuan kur shkoi për ta marrë në kopësht, pa edukatoren duke e shtrënguar nga dora. Ajo pretendon se gjatë përballjes me stafin, një tjeter edukatore i hodhi telefonin dhe e goditi.
“Shkoj për të marrë djalin rreth orës 1:30 dhe e shoh që e kishin nxjerrë në oborr. Mësuesja e kishte shtrënguar në dorë djalin e po i thërriste. U tmerrova nga ajo që pashë. I thoshte: ‘Pse gënjen, o mashtrues?’ Mora fëmijën dhe shkova direkt në komisariat.”- ka shprehur nëna e 4-vjeçarit.
Ndërkohë pas kallëzimit, policia ka kryer veprimet hetimore, përfshirë këqyrjen e pamjeve filmike. Në përfundim të verifikimeve, edukatorja është arrestuar për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Volsjana Plasa, nëna e 4-vjeçarit ka rrëfyer ngjarjen dhe shqetësimet që e shtynë të denonconte rastin ku djali i tij u dhunua nga edukatorja në kopshtin nr. 6 në Korçë. Ajo thotë se djali i kishte treguar se goditej nga edukatorja, ndërsa prej disa ditësh shfaqte frikë dhe nuk dëshironte të shkonte më në kopsht.
Sipas nënës, fillimisht stafi i kopshtit nuk u kishte besuar pretendimeve të të miturit, duke i thënë se fëmija gënjente.
"Kam shkuar në kopsht dhe u kam thënë se fëmija po ankohej. Ato më thanë se kjo nuk ishte e vërtetë, duke pretenduar se fëmija është ters dhe gënjen. U thashë se është fëmijë dhe nuk desha ta zgjasja më tej. E mora djalin dhe ika."- është shprehur nëna.
Ajo pretendon se gjatë përplasjes në kopsht, telefonin ia morën dhe ia hodhën, ndërsa sipas saj edhe iu ushtrua dhunë. Nëna e djalit kërkon që institucionet përgjegjëse të kontrollojnë kopshtet dhe të garantojnë sigurinë e fëmijëve.
"Kërkova drejtoreshën, por ajo nuk ndodhej aty. Isha shumë e revoltuar, si çdo nënë që sheh fëmijën e saj në atë gjendje. Unë e çoj djalin në kopsht që të edukohet dhe të mësojë, jo që të përjetojë situata të tilla.
U thashë se do të përballeshin me ligjin. Sipas asaj që përjetova, më morën telefonin dhe ma hodhën, ndërsa pretendoj se edhe më vunë dorë. Mora djalin dhe shkova menjëherë në komisariat.
Pa e dhënë ende deklarimin tim, më telefonoi drejtoresha, duke më kërkuar të takoheshim për t'u sqaruar. I thashë se tashmë e kisha zbuluar vetë situatën dhe se, sipas meje, po gënjenin personat e kopshtit, jo fëmija im. Ajo më kërkoi falje dhe pranoi se kisha të drejtë, por unë i thashë se do të ndiqja rrugën ligjore.
I bëj thirrje Drejtorisë Arsimore që të kryejë kontrolle në kopshte, sepse fëmijët janë të pambrojtur dhe të pafajshëm. Djali im foli edhe në prani të psikologes, por çfarë ndodh me ata fëmijë që nuk dinë të flasin apo të shprehen? Kush e di se sa prej tyre mund të kenë përjetuar situata të ngjashme pa mundur të tregojnë se çfarë u ka ndodhur?- është shprehur nëna e 4-vjeçarit.









Komente
Komento