Konkursi i tretë Mbarëkombëtar i Letërsisë së humorit “Niko Nikolla” ka ngritur siparin në qytetin e Korçës. Mikpritës i këtij eventi është Teatri “Andon Zako Çajupi”, ku për dy net radhazi, mes një sërë aktivitetesh kulturore, 31 autorë të prozës, poezisë dhe komedisë, nga disa vende të botës, bëhen bashkë përmes artit të humorit.

Organizatorja e këtij aktiviteti, Flora Nikolla, njëkohësisht vajza e gazetarit Niko Nikolla, thekson se ky është një event me rëndësi të veçantë, i cili e ngre letërsinë e humorit në një tjetër nivel vlerësimi artistik.

'Qëllimi është ngritja në një shkallë më të lartë të letërisë së humorit. Marrin pjesë 31 autorë shumica janë nga Shqipëria', tha ajo. 

Një ndër pjesëmarrësit e konkursit ka qenë edhe komediani, aktori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu, i cili ka vlerësuar këtë kompeticion, duke nënvizuar se humori mbetet një nga zhanret më të vështira të artit. Ai ka theksuar se në Shqipëri ka shumë shkrimtarë që i dedikojnë botime këtij zhanri, ndërsa përmes humorit, shkrimtari arrin të godasë dhe të reflektojë mbi realitetin.

'Humori është zhanri më i vështirë i artit dhe duke parë këtë stendë me libra je i kënaqur se prodhohet dhe për t'i dhënë lexuesit jo vetëm buzqeshje por nepërmjet shkrimeve t'i japin edhe mesazhin. Arti i humorit është i preferuar si në skenë, si në ekran si në letërsi', tha ai.

Përveç pjesës së letërsisë së humorit, në hollin e Teatrit të Korçës janë ekspozuar edhe karikatura të realizuara në mënyrë të veçantë, me mesazhe të forta dhe aktuale. Tematikat variojnë nga përdorimi i inteligjencës artificiale deri te situata politike botërore. Endrit Beqo është një prej karikaturistëve të rinj që ka prezantuar në këtë event një punim të lidhur me një botë pa paqe.

Mbrëmjen e parë u çel zyrtarisht konkursi, ndërsa të dielën në mbrëmje pritet të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.