Në pranga kanë përfunduar Fatjon Kasko, 34 vjeç, banues në Ersekë dhe Qazim Cacani, 49 vjeç po ashtu banues në Ersekë.
Burime zyrtare nga Policia e Korçës, bëjnë me dije së janë proceduar edhe E.Ç, 31 vjeç, me detyrë Përgjegjës i Sektorit Pyjorë Ersekë dhe 50- vjeçari E.G, banues në Ersekë dhe administratorë i një firme private.
Procedimi në gjendje të lirë i këtyre dy personave ka ardhur pasi E.Ç, nuk ka kryer kontroll ndaj subjektit privat të shtetasit E.G, i cili ka abuzuar me lejen e dhënë duke prerë një sasi lënde drusore të llojit Ah.
Njoftimi i policisë:
Ndalohen dy shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë, dy të tjerë për veprat penale : "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Prerja e paligjshme e pyjeve".
Konkretisht ndalohet specialisti i pyjeve dhe një punëtor i Agjensisë të Shëbimit Pyjor Ersekë. Gjithashtu procedohen penalisht në gjendje të lirë përgjegjësi i Sektorit Pyjor, si edhe administratori i një firme private.
Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës bënë ndalimin me iniciativë të shtetasve :
Fatjon Kasko, 34 vjeç, banues në Starje-Ersekë (me detyrë inxhinier/specialist pyjesh në agjensinë e Shëbimit Pyjor Ersekë) dhe Qazim Cacani, 49 vjeç, banues në Taç-Ersekë.
Ndalimi i tyre u bë pasi shtetasi Fatjon Kasko, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar një leje shfrytëzimi, në mënyrë të kundërligjshme për prerjen e 20 drurëve (pishë), në kurorën e qytetit të Ersekës dhe shtetasi Qazim Cacani (punëtor) ka prerë në vazhdim 85 drurë, duke dëmtuar kurorën me pisha të mbjella në një largësi prej 1 km nga qyteti i Ersekës.
Gjithashtu po nga specialistët e kësaj strukture filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit :
E.Ç, 31 vjeç, banues në Ersekë, (me detyrë Përgjegjës i Sektorit Pyjor Ersekë) dhe E.G, 50 vjeç, banues në Ersekë, (administrator i një firme private).
Procedimi ndaj tyre filloi pasi shtetasi E.Ç, dyshohet se nuk ka ushtruar kontroll ndaj subjektit privat të shtetasit E.G, e cila ka abuzuar me lejen e dhënë duke prerë një sasi lënde drusore të llojit ah në afërsi të fshatit Orgockë-Ersekë, duke shkelur ligjin për “Shpalljen e Moratoriumit të pyjeve”.
Gjatë kontrollit të këtij subjekti, një punonjës i tij, rezultoi i punësuar në mënyrë të paligjshme, i pasiguruar.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : "Shpërdorimi i detyrës", "Prerja e paligjshme e pyjeve" dhe "Punësimi i paligjshëm" parashikuar nga nenet 248, 205 e 170/a të Kodit Penal.
(Pemët e prera)
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com