Klubi i Skënderbeut ka reaguar për ngjarjen e pasdites të së shtunës në Korçë, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari Joan Zuko nga bashkëmoshatari i tij dhe shoki i fëmijërisë, Kristjan Sterjo. Klubi bën me dije se i riu kishte qenë më herët futbollist i akademisë dhe më pas një nga tifozët më të zjarrtë.

Gjatë kohës kur ishte aktiv në klub, Zuko luante me ekipet e moshave, në pozicionin e portierit.

“Ndarje e parakohshme nga jeta e Joan Zukos

Klubi i Futbollit Skënderbeu shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të Joan Zukos, ish-futbollist i Akademisë së Skënderbeut dhe një tifoz i zjarrtë i ngjyrave bardhekuqe.

Joani ishte pjesë e familjes sonë, fillimisht si futbollist i akademisë dhe më pas si një nga ata tifozë që e mbajnë Skënderbeun në zemër. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Prehu në paqe, Joan! Do të mbetesh gjithmonë pjesë e familjes bardhëkuqe”, shkruhet në postimin e Skënderbeut.


Lajmi kryesor:

Vrasja në Korçë/ Dedikimi drithërues i nënës së 20-vjeçarit: Do të mbetesh përjetësisht fryma, dashuria ime më e madhe