Korkuti: Reforma, si do të shkrihet
Qendra e Studimeve Albanologjike

Korkuti: Reforma, si do të shkrihet<br />Qendra e Studimeve Albanologjike
Pesë vjet më parë, debati për shkëputjen e Institutit të Studimeve Historike, e Institutit të Gjuhësisë, e atij të Arkeologjisë, etj., nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë mori përmasa të gjera në media. Mendime pro dhe kundër sollën si rrjedhojë një vendin të qeverisë së asaj kohe që institutet të shkëputeshin nga ASHSH. Pas këtij vendimi Qendra e Studimeve Albanologjike doli më vete dhe përfshiu në rrezen e vet Institutin e Arkeologjisë dhe të Gjuhësisë, ndërsa një pjesë e instituteve shkencore u shkrinë plotësisht dhe iu atashuan universitetit. Akademia e Shkencave mbeti vetëm me një funksion honorifik, por megjithatë me administratë të plotë, me kryetar, nënkryetar, sekretarë, etj. Qendra e Studimeve Albanologjike, gjithashtu pati drejtorin e saj dhe institutet patën drejtuesit përkatës.

Por e gjithë kjo reformë pesëvjeçare do të kthehet mbrapsht si një projekt i dështuar. Kështu deklaron kryetari i sapozgjedhur i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti. Institutet e shpërndara në skaje të ndryshme të Tiranës do të shkrihen dhe nuk do të ketë më dy apo tre kupola drejtuese, por kupola do të jetë një, ajo e Akademisë së Shkencave. Kryetari i sapozgjedhur, Korkuti tregon se çfarë do të ndodh, dhe me këtë rast kundërpërgjigjet për përfoljen mediatik se është zgjedhur kryetar duke shkelur ligjin.
 
Zoti Korkuti, shkrirja e Qendrës Albanologjike, ishte një ide e të gjithë akademikëve apo ishte vetëm e juaja pasi morët postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave?
 
-Kjo ide është lidhur me fillimin reformës në Akademinë e Shkencave. Ka nisur që në vitet 2005-2006 diskutimi për reformat shkencore në akademi dhe pasi u bë një diskutim i gjerë me të gjithë specialistët dhe të gjitha institutet paraqitën një material sesi mendohej të organizohej Akademia. Për fat të keq në ato vendime nuk rezultoi asnjë veprim i duhur, ndodhi që ajo që ndodhi dhe u shkri Akademia e Shkencave, edhe pse ishte një grup i gjerë akademikësh që bënë diskutime kundër shkrirjes. Kështu që akademia u kthye në një akademi honorifike dhe institutet albanologjike të gjuhësisë, historisë, albanologjisë sociologjisë, filozofisë u kthyen në departamente, siç i thonë një fjale popullore në vend të vinin vetulla, i nxorën sytë, dhe Akademia e Shkencave nuk kishte të drejtë të komunikonte me institucione brenda vendit e jashtë vendit. Instituti i arkeologjisë ka 10-15 projekte në Akademi që duheshin të ishin bërë. Kjo e drejtë iu hoq akademisë dhe këto duhet t’i bënte vetëm Instituti i Studimeve Arkeologjike. Pas kësaj pati lëvizje të tillë në sistemin e kuadrit dhe u shumëzua kuadri. Si rrjedhim gjatë këtyre viteve kanë dalë vetëm defektet e kësaj reforme. Le të kujtojmë Institutin e Fizikës Bërthamore që u shkri fare. Pra pati shumë dështime në këtë drejtim dhe shumë shpenzime të pakontrolluara, dhe kështu pas këtij rezultati pas katër-pesë vitesh ne kemi të drejtë ta rishikojmë këtë reformë dhe t’i rikthejmë Akademisë së Shkencave të paktën institutet themelore, ato me karakter kombëtar, strukturën e vjetër si të thuash. Akademia duhet të ketë të paktën në varësinë e saj historinë, gjuhën e  kombit si dhe arkeologjinë. Një akt i rëndësishëm është edhe hartimi i enciklopedisë, e cila është produkt i akademisë. Në këtë enciklopedi kanë kontribuuar jo vetëm institutet albanologjike -pra nëse 40 për qind është e Qendrës së Studimeve Albanologjike pjesa tjetër është e instituteve, pra është e tëra në sistemin tonë.
 
Ju sapo përmendët se enciklopedia është një kontribut i Akademisë së Shkencave, por besoj se i keni lexuar artikujt në gazetë që shkruhet se janë gjetur gabime në hartimin e kësja enciklopedie. Cila është përgjigjja juaj për këtë?
-T’i ndajmë dy gjëra, kontributin dhe pasaktësirat. Në ‘85-n është botuar një fjalor enciklopedik shqiptar. Tani u botua edhe botimi i tretë. Pra vjen një fjalor me tri vëllime. Unë do t’u rekomandoja atyre që e lexojnë me vëmendje të shohin njëherë çfarë vlerash dhe çfarë ndryshimi cilësor ka, dhe pastaj do t’u rekomandoja të gjenin edhe ndonjë pasaktësi. E rëndësishme është ta botosh njëherë, të dëgjosh mendimin e lexuesve me dhe pastaj edhe ta ribotosh, do vijë botimi tjetër...
 
Pra, fjalori enciklopedik i ‘85-s është i korrigjuar, doni të thoni ju?
-Po, është bërë ndryshim thelbësor se ka qenë i ideologjizuar. Ky i fundit u bë me mendimin më të mirë të shkencëtarëve dhe me kontributin e tyre.
 
Mendoj se ju jeni në dijeni se në iniciativat e Qendrës së Studimeve Albanologjike dolën mjaft probleme që prekën historinë dhe sidomos standardin e shqipes. Cili është qëndrimi juaj  në këtë rast?
-Unë jam për ruajtjen e standardit, sepse parimi ku duhet të udhëhiqemi është ai që ka nisur që nga Kongresi i Manastirit. Ka pasur një arsye të fortë gjuhësore dhe kombëtare që e solli gjuhën deri në këtë fazë, derisa erdhëm tek Kongresi i madh i Drejtshkrimit. Që atëherë e deri tek ky kongres, thelbi qe bashkimi kombëtar nëpërmjet një gjuhe të njësuar. Këtë parim duhet të ndjekim. Dhe çfarë është arritur deri tani në gjuhë duhet ruajtur dhe nuk duhet prishur. Në këtë rast do ta përkrah çështjen e gjuhës, që thelbësore është ta ruajmë fort dhe të zbatojmë standardin dhe mbi bazën e standardit të shohim sesi evoluojnë proceset gjuhësore shkallë-shkallë.
Madje përpjekjet e shumicës së akademikëve për të ruajtur standardin përkuan edhe me një një vendim që u përshëndet së fundmi edhe nga qeveria Rama, ku ai deklaroi se institucionet duhet të kenë punonjës gjuhe që të ruajnë standardin.
Por, mbledhja e marsit të këtij viti alarmoi pjesën më të madhe për rrezikun që i kanosej gjuhës standarde. U deklarua nga kahu i QSA-së publikisht përpjekja për ndryshime drastike....
-Më vjen keq, por megjithatë komisioni nuk ka të drejtë vendimmarrje, do të ketë një komision tjetër. Le të jetë i lirë diskutimi. 
 
Profesor, le të kthehemi tek reforma e shkrirjes së Qendrës së Studimeve Albanologjike. Si do të bëhet kjo shkrirje?
-Qendra e Studimeve Albanologjike ka tri institute në varësi, ka një drejtor e një nëndrejtor. Pra kjo qendër nuk ka nevojë që të ketë administratë. Ato katër institute gjithashtu nuk kanë nevojë për administratë. Do t’i atashojmë drejtpërdrejtë pranë Akademisë së Shkencave, dhe në pikëpamje ekonomike ka më shumë leverdi. Nuk ka nevojë për shumë kuadro.
 
 
A ka ndikuar pavarësia e këtyre instituteve gjatë pesë viteve në disa çështje thelbësore të rishikimit të historisë apo të gjuhësisë?
 
-Unë nuk kam qenë në dijeni të problemeve të tyre gjatë katër pesë viteve të fundit se ato kanë qenë të shkëputura nga akademia. Në akademi ne do të vëmë në themel të punës së instituteve cilësinë shkencore. S’do të ketë më studime të karakterit politik apo qëndrime krahinore. Koha e ka provuar s’e u gabua me ndarjen.
 
 
Nuk i kemi harrur ende debatet mediatike derisa u ndanë përfundimisht institutet nga Akademia me pretendimin se akademia është drejtimi i centralizuar politik, etj, etj. A ka gjasa të lindin sërish këto debate?
 
-Për këtë gjë ka mirëkuptim, debatet bëhen në planin shkencor. Për shembull, nëse kemi një problem, revolucionin e qershorit, figurën e Fan Nolit, etj, nuk duhen errësuar këto figura, por duhen të dalin në dritë të gjitha të vërtetat dhe të vlerësohen objektivisht, ose për figura të tjera që janë më afër historisë moderne, kjo është rruga.
 
 
E kam fjalën që është bërë çmos që të ndahen, si ka mundësi të bien kaq shpejt dakord që të bashkohen sërish?
 
-Me sa kama lexuar edhe nga reagimet nga shtypi janë dakord. Nuk kanë pasur probleme edhe kundërshtime institutet e gjuhës, të arkeologjisë, etj. Çështja është për institutet e tjera shkencore, të shkencave natyrore. Ka probleme sepse ato janë shpërbërë fare, ka një dëmtim të jashtëzakonshëm. Po marrim një shembull historinë e meteorologjisë. Ka pasur në tërë vendin laboratorë për matjen e reshjeve, të temperaturës. Këto nuk bëhen sot e si mund të parashikosh kohën, si mund të parashikosh prognozën e përmbytjeve, prandaj kërkohet që edhe këto të rishikohen. Puna është ç’duhet të bëjmë dhe si duhet ta bëjmë.
 
PO qeveria e re besoni se do t’ju mbështes në këtë projekt?
-Më vjen mirë që brenda në programin e qeverisë thuhet që “qeveria do të mbështes rritjen dhe kontributin shkencor të Akademisë se Shkencave sipas vizionit shkencor për zhvillimin e vendit. Do ti ofrohet Akademisë së Shkencave fonde për kërkimet shkencore në vend dhe drejtuesve të  mendimit shkencor”. Kjo na hap një dritë të re...
 
 
Pyetja e fundit. Në shtyp është përfolur që posti juaj i kryetarit të Akademisë është bërë në kundërshtim të ligjit?
-Unë jam zgjedhur kryetar i Akademisë sipas ligjit të fundit në fuqi, që thotë se Akademia e Shkencave ka në përbërjen e saj anëtarë të rregullt, anëtarë të përhershëm, anëtarë të asociuar dhe anëtarë nderi (neni 5, pika 2). Ky nen përcakton: anëtarë të rregullt të akademisë mbajnë titullin akademik dhe të tilë janë 30 veta. Në këtë grup përfshihen edhe anëtarë të përhershëm të akademisë. Të tillë janë 10 veta. Në vitin 2010 unë jam zgjedhur me votë të fshehtë anëtar i përhershëm i kësaj akademie. Këtë status e kanë fituar edhe Shaban Demiraj, dhe profesor Besim Elezi. Çdo akademik me këtë status ka të drejtën të kandidojë për kryetar të akademisë. Pra me këtë status përhershëm kanë të drejtën të zgjidhen edhe pas moshës 75-vjeçare. Ky status jepet për përvojën. Sot janë tre anëtarë të përhershëm. Mund të ishin dhjetë, por janë tre dhe ndaj u zgjodha unë. Pra jemi zgjedhur me vota unanime nga Asambleja, ku është statusi ynë që gëzojmë të drejtë të zgjedhim e të zgjidhemi në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
 
Shkrimi u publikua sot (24.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim