I ftuar në studion e emisionit "5 Pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, profesor Krenar Lilaj, koordinator për përballimin e  emergjencave te Infektivi tregoi gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria në përballimin e kësaj pandemie dhe masat që janë marrë.

"Ndërgjegjësimi  i masës ndihmon në qetësimin e situatës, në të kundërt shërbimi shëndetësor nuk do jetë në gjendje ta përballojë këtë situatë. Ne, kohët e fundit kemi investuar shumë lidhur me pajisjen e plotë të qendrës që do të merret me trajtimin e pacientëve me coronavirus në terapi intensive, brenda spitalit infektiv.

Për sa i përket pacientëve që paraqiten si të dyshuar me covid 19, bazuar në shenjat paraprake që shfaqen si temperatura, dhimbja e fytit apo kolla, pas diagnozës, është mjeku ai që  përcakton kurimin apo karantinimin e tyre në pavjone të ndryshme. Aktualisht në reanimacion të infektivit ndodhen 3 pacientë. Unë besoj që do t'ia dalim, stafi është i  përgatitur", përfundon Lilaj.