Koronavirusi/ Pezullohen veprimtaritë gjyqësore deri në 22 prill! Përjashtohen rastet urgjente

Foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar punën në të gjitha gjykatat në Shqipëri deri më datën 22 prill. Përjashtim këtu bëjnë çështjet urgjente, por edhe këto do të realizohen në masa të rrepta mbrojtëse. Lajmi është konfirmuar nga KLGJ me anë të një deklarate zyrtare. Në reagimin zyrtar, KLGJ i drejtohet të gjithë qytetarëve që të mos paraqiten në dyert e gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike.

Në vendimin e fundit të marrë nga organi gjyqësor, ishte parashikuar që seancat gjyqësore të nisnin në datën 7 prill, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, njëjtë siç ndodhi me të gjitha masat e marra nga qeveria, edhe gjyqet nuk do të zhvillohen të paktën deri më 22 prill.

"Duke marrë shkas nga vijimi i situatës së fatkeqësisë natyrore në vend e krijuar nga virusi COVID-19, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori vendimin për të vijuar pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë, deri në datën 22 prill 2020, me përjashtim të çështjeve urgjente. Këshilli i Lartë Gjyqësor i kushton rëndësi parësore sigurisë së publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Këto janë kohë të paprecedenta për të gjithë botën dhe ne, ashtu si dhe ju, jemi duke punuar për të gjetur rrugën më të mirë për të ecur përpara. Ne mbështesim marrjen e masave të vazhdueshme për mbrojtjen e vendit dhe të gjithë qytetarëve nga përhapja e virusit COVID-19.

Gjyqtarët e caktuar për shqyrtimin e çështjeve individuale do të zbatojnë ligjin duke garantuar mbrojtjen, sigurinë dhe aksesin në drejtësi si prioritare, kur përcaktojnë cilat çështje do të kategorizohen si “të ngutshme” apo “urgjente”. Këshilli i Lartë Gjyqësor i lutet publikut dhe përdoruesve të tjerë të gjykatave të mos paraqiten pranë gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vijojë të punojë me gjykatat për të menaxhuar sa më shumë që të mundet në distancë dhe kërkon mirëkuptimin dhe durimin e publikut, ndërsa kalojmë të gjithë këtë periudhë të vështirë. Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh vlerësimin maksimal për gjyqtarët dhe ata punonjës të Drejtësisë, që janë të detyruar t’i ofrojnë publikut shërbimin e tyre edhe në këtë kohë, në kushte të vështira pune", njofton KLGJ.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Një ditë afat për reformën zgjedhore, a mendoni se palët politike do vendosin në favor të qytetarëve?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Vlorë/ Arrestohen dy persona për vdekjen e 17-vjeçarit në kantierin e ndërtimit (EMRAT)